Eduard Kukan: “Për 100 vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat”
Parlamenti Evropian: Lajme pozitive për Shqipërinë, rekomandimet po plotësohen
Parlamenti Evropian ka vlerësuar konsensusin politik të verifikuar së fundmi në Shqipëri dhe i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të vijojë në këtë drejtim. Në seancën kushtuar Shqipërisë, shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan ka deklaruar se vetëm zbatimi i reformave mund të sjellë progres në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Do të flas shkurt pasi përndryshe do të më duhej të përsërisja çfarë kam thënë gjithë këto kohë. Është mirë që po marrim disa lajme të mira nga Tirana. Por sot ka ardhur koha, dhe koha fluturon shpejt pasi po afrohen zgjedhjet e presidentit dhe raporti i progresit, kur neve na nevojiten rezultate konkrete dhe të prekshme. Jemi të kënaqur që partitë po diskutojnë, do ishte mirë që për 100 vjetorin e Pavarësisë të merrnit statusin e vendit kandidat. Ne jemi të kënaqur që situata është duke ndryshuar për mirë në Shqipëri, unë e besoj këtë”, u shpreh Kukan. Në këtë linjë ai kërkoi që bashkëpunimi mes palëve politike të kthehet në rezultate konkrete. Ndërkohë, Libor Rouçek, kreu i grupit të punës për Ballkanin në PE tha se zgjedhja e Presidentit është një çështje e vetë shqiptarë, por ajo që kërkon Brukseli është klima pozitive. “Para zgjedhjeve të përgjithshme vjen zgjedhja e presidentit. Nuk na takon neve t’ju themi kush duhet zgjedhur pasi kjo i takon popullit shqiptar. Por i bashkëngjitem kolegut në rekomandimin se do të ishte mirë, për klimën në Shqipëri dhe që të shënohet progres, që të zgjidhet dikush i cili nuk do ta ndajë vendin, por dikush që do ta bashkojë”- tha ai. Sakaq, në të njëjtën linjë u shpreh edhe eurodeputeti, Nikolais Chountis i cili shtoi se për çështjen e Presidentit se nuk duhet zgjedhur dikush që t’i ndante shqiptarët, por dikush që të shërbente si model bashkëpunimi.