Shqipëria ka realizuar shumicën e reformave, kriteret realizohen në kohë
12 prioritetet-– ministrat Bregu dhe Haxhinasto, në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE
“Shqipëria ka realizuar shumicën e reformave dhe është në përfundim të pjesës së mbetur”. Kështu u shpreh dje zv/kryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në një seancë të posaçme dëgjimore të komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku u diskutua për situatën në Shqipëri dhe plotësimin e 12 rekomandimeve të kërkuara për anëtarësim. Haxhinasto shprehu vendosmërinë e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, si dhe rolin e vazhdueshëm të Shqipërisë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. “Integrimi evropian është një objektiv madhor për popullin shqiptar, që bashkon të gjitha përpjekjet për transformimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të shoqërisë shqiptare. Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë një prioritet për qeverinë shqiptare. Partitë janë pranë një marrëveshjeje për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Shqipëria ka një kornizë ligjore domethënëse për respektimin e të drejtave të njeriut. Censusi u zhvillua sipas standardeve ndërkombëtare. Kemi besim që ky do të jetë viti që Shqipëria do të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën e integrimit në BE. Ka pasur progres të dukshëm në të gjitha fushat. Jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat që kemi përpara Është besimi jonë se ne do të ndryshojmë të gjitha problemet që mund të kenë vendet brenda rajonit, Parlamenti miratoi projektligjin për bashkëpunimin me EULEX dhe atë të task-forcës. Kemi marrë dhe zhvillime të tjera drejt hapjes së tregut me vendet e tjera. Vëmendje të veçantë i kushtojmë marrëdhënieve ndërmjet vendeve. Shqipëria do të përkushtohet për stabilitetin në rajon”, tha ministri Haxhinasto. Kryediplomati shqiptar shprehu vlerësimin maksimal për anëtarët e këtij Komisioni dhe eurodeputetë të tjerë, të cilët me përkushtim kanë promovuar dhe mbështetur procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Z. Haxhinasto bëri me dije se marrëveshja ndërpartiake e nëntorit të kaluar shënoi pjesëmarrjen e plotë të opozitës në Parlament dhe angazhimin e përbashkët për një dialog konstruktiv dhe efikas në Parlament. Ai theksoi se përparimi drejt zbatimit të 12 prioriteteve të Komisionit Evropian kërkon një aksion të vërtetë kombëtar, përfshirë Qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile, dhe se kjo ishte qasja me të cilën u rishikua dhe miratua Plani Kombëtar i Veprimit, çka u evidentua dhe gjatë vizitës së Komisionerit Fyle në Tiranë.
“Mendoj se e rëndësishmja e takimit të sotshëm dhe atij që do vijojë nesër i Këshillit të Stabilizim Asociimit është se, jo vetëm jemi këtu së bashku dhe mesazhi për këtë është shumë i qartë që çështjet e integrimit evropian janë një përgjegjësi e gjithë faktorëve politike, e gjithë shoqërisë shqiptare me qëllim që të ketë atë sukses, atë realizim të objektivave që pritet nga të gjithë dhe të bëhet në cilësinë e duhur, por ka dhe mesazhin tjetër, që kjo punë është duke vazhduar, ky është një proces i cili për disa nga çështjet, nga 12 prioritetet, ka disa afate konkrete që duhen realizuar brenda një kufiri kohor të caktuar, por për pjesën tjetër ka rëndësi që procesi të vazhdojë. Ajo që miratohet në ligj, të vazhdojë më pas të zbatohet, dhe pas kësaj të vendoset një standard i ri në atë fushë që reforma rregullon apo vendos këtë model apo standard të ri evropian. Duhet të jemi optimist, se nëse vazhdojmë me këtë rritëm, me këtë model bashkëpunimi, gjasat janë që askush prej tyre nuk do të zhgënjehet”- tha ministri i Jashtëm, Haxhinasto.
Duke u ndalur tek zgjedhja e Presidentit të Republikës, zv/kryeministri vuri në dukje se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri duhet të jetë në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës. Në përfundim ai bëri një pasqyrë të arritjeve të deritanishme për çdo prioritet sipas masave të parashikuara në Planin e Veprimit. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në fjalën e saj vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet mazhorancës dhe opozitës dhe siguroi përfaqësuesit në komisionin e PE-së se do të punohet për implementimin e të gjitha rekomandimeve, dhe se pavarësisht se do të ketë kundërshtime mes palëve do të prevalojë dialogu dhe konstruktiviteti. Bregu tha se heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë do jetë pjesë e vazhdimësisë së konsensusti dypalësh. “Në Shqipëri ka një frymë të re konsensusi. Ne jemi të angazhuar që dialogu politik të vazhdojë. Qeveria ka kërkuar heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe çështja e imunitetit nuk mund të na pengojë për ecjen përpara”- deklaroi ministrja e Integrimit.
Gjithashtu, sot në Bruksel ministri Haxhinasto do të drejtojë takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Delegacioni i Bashkimit Evropian në këtë takim kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, z. Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, z. Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, z. Fernando Xhentilini. Gjatë takimit do të vlerësohet progresi që ka bërë Shqipëria në plotësimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian, zbatimin e MSA-së, zhvillimin ekonomik në vend, përafrimin e legjislacionit dhe mbi qasjen e politikës së jashtme shqiptare në rajon.