Deklarata/ODIHR përsërit qëndrimin: “Numërimi elektronik duhet të implementohet në mënyrë graduale”

Misioni i ODIHR sqaron raportin e tij të dy ditëve më parë, lidhur me aplikimin e teknologjisë elektronike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u shprehur se është ende herët për implementimin kësaj formule të re votimi. Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ose siç njihet ndryshe si ODIHR, përsërit qëndrimin se “nuk janë pjekur kushtet që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të futen të përdorim teknologjitë e votimit elektronik”. Zyra e këtij misioni sqaron se: “Në raportet e zgjedhjeve tona të mëparshme, kemi rekomanduar që teknologjitë e reja të votimit, përfshirë numërimin elektronik të votave, duhet të implementohen në mënyrë graduale, hap pas hapi dhe jo e gjitha menjëherë. Këtë këshille e kemi paraqitur në mënyrë konsekuente në takimet tona me partitë politike në Shqipëri, përfshirë edhe në tryezën e zgjeruar për çështjet zgjedhore që u mbajt në muajin mars, por edhe në vizitat e ekspertëve tanë javët e kaluara”- thuhet në sqarimin e misionit të ODIHR.
Rama mashtron Milon dhe Gjinushin, nis sulmi edhe ndaj ODIHR-it
Të ashpër dhe me akuza kundër ODIHR-it u shfaqën dje Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi, të cilët kundërshtuan raportin e Misionit i cili parasheh heqjen dorë prej votimi elektronik në zgjedhjet e 2013-ës. Kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se Shqipëria nuk mund të kthehet në një vend laborator për të eksperimentuar projektet pilot të ODIHR, në një kohë, siç theksoi ai, zgjedhjet shqiptare kanë një emërues të përbashkët, që është vjedhja. Dy drejtuesit e partive të vogla shprehën habinë dhe shqetësimin lidhur me qëndrimin e ODIHR, pasi sipas tyre minon procesin e zgjedhjeve në 2013-n. “Ne shprehim çudinë tonë dhe në të njëjtën kohë edhe indinjatën tonë, që një institucion i tillë, i cili është i nderuar dhe që ka shërbyer si arbitër i paanshëm në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri, të mund të bëjë deklarata të tilla, të cilat shkojnë në kundërshtim me frymën e rekomandimeve që ka bërë OSBE-ODIHR dhe që janë të qarta për të gjithë opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. Na është premtuar që në fillim, qoftë nga OSBE-ODIHR, qoftë edhe nga forcat kryesore politike që do të garantonin numërimin elektronik, që do të garantonin identifikimin elektronik dhe mbi të gjitha do të kishim një Komisioni Qendror Zgjedhor të balancuar. Është me të vërtetë shumë e rrezikshme për fatet jo vetëm të zgjedhjeve të vitit 2013, por gjithçka po ndodh këto dy-tri ditë është e rrezikshme edhe për fatet e demokracisë në Shqipëri”, tha Milo. Ndërsa Skënder Gjinushi i PSD, akuzoi ODIHR-in se s’po bën asgjë për garancinë e zgjedhjeve. “Vlerësojmë që është mendimi zyrtar i ODIHR, por shohim që kjo deklaratë kërkon të hedhë në erë Reformën Zgjedhore, sepse nëse nuk futet edhe teknologjia e re do të thotë se nuk është bërë asgjë në këtë reformë kaq të trumbetuar dhe kaq të reklamuar. Ky deklarim është fiks si deklarimet e misionit të OSBE-së, të cilat nuk përfaqësojnë vlerat e institucioneve të cilat përfaqësojnë, por bëhen njësh me qeverinë apo me Partinë Demokratike, në rrugën e tyre për të mos respektuar votën e lirë dhe të ndershme në Shqipëri”- tha ai.