Internet me bazë të gjerë, vetëm një ofertë në tender
Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit, MITIK ka zhvilluar tenderin për ndërtimin e Rrjetit Kombëtar me brez të gjerë. Afati i dorëzimit të ofertave ishte data e djeshme, kur sipas ministrisë është paraqitur një ofertë e vetme nga një konsorcium shqiptaro-izraelit. Nëpërmjet një prononcimi të shkurtër zyrtar, pa dhënë hollësi të mëtejshme, ministria shprehet se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ndjekë procedurat ligjore të vlerësimit në vijim. Që vitin e kaluar, ministri i Punëve Publike i dha të drejtën një kompanie private për të hapur rrugët dhe për të shtrirë rrjetin e fibrave optike në të gjithë territorin e vendit. Ky veprim u denoncua si i kundraligjshëm nga disa media dhe, me gjithë shkeljet për të cilat u akuzua, ministri nuk u tërhoq nga vendimi i tij. Ende nuk është plotësisht e qartë ku dallon e drejta e dhënë nga z.Olldashi me atë që po tenderon Pollo, duke qenë se në thelb bëhet fjalë për të njëjtin shërbim: ngritjen e të gjithë infrastrukturës, përfshi rrjetin e fibrës optike, për të ofruar transmetim të dhënash me brez të gjerë. Vetë kompania ATU është partneri shqiptar në konsorciumin që paraqiti dje ofertë në tenderin e MITIK-ut. ATU kishte hedhur më parë në gjyq MITIK-un, sepse në rregulloren e tenderit ishin përjashtuar kompanitë vendase dhe fituesi duhet të ishte një investitor i huaj strategjik. Kjo është arsyeja që ATU-ja ka krijuar konsorciumin me një partner izraelit, prania e të cilit duket të jetë fiktive vetëm për të shmangur pengesat teknike. Një veprim i ngjashëm u bë nga grupi i investitorëve shqiptarë që përfituan licencën e katërt celulare në vitin 2008, kur si investitor strategjik u përdor Post-Telekomunikacioni i Kosovës.