Hipokrizia që na mban larg BENga Denis DyrnjajaPresidenti i Çekisë, Václav Klaus, ishte në Tiranë e tha troç se, miratimi i Traktatit të Lisbonës nga irlandezët nuk ka të bëjë me zgjerimin e BE me vende të Ballkanit Perëndimor. Zoti Klaus e cilësoi s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Hipokrizia që na mban larg BENga Denis DyrnjajaPresidenti i Çekisë, Václav Klaus, ishte në Tiranë e tha troç se, miratimi i Traktatit të Lisbonës nga irlandezët nuk ka të bëjë me zgjerimin e BE me vende të Ballkanit Perëndimor. Zoti Klaus e cilësoi si keqkuptim tragjik ekzaltimin e politikës në Tiranë, që e interpretoi referendumin e Irlandës si mundësi për integrimin e shpejtë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Por a janë shqiptarët të gatshëm për të qenë pjesë dinjitoze e familjes së madhe evropiane? Realiteti i dukshëm i parë nga çdo këndvështrim tregon se jo. Unioni ka kushtet e tij se si një komb apo një shtet mund të bëhet anëtar. Këto kushte nuk mund të kapërcehen me hipokrizi politike e sociale, që për 19 vjet demokraci në Shqipëri buron pashtershmërisht edhe si pasojë e mentalitetit që ka lënë sistemi monist e diktatorial. Thënë ndryshe, asokohe por dhe sot, ne vazhdojmë të ndërtojmë vlerat mbi antivlerat, për shkak të hipokrizisë individuale dhe kolektive që na karakterizon. Shqipëria do të ishte më afër portave të Evropës, nëse qytetaria, politika dhe media nuk do të kishin në vetvete dhe mes tyre marrëdhënie hipokrite. Do të ishim më afër, nëse do të kishim krijuar si kudo në historinë e kombeve demokratike një elitë dhe borgjezi reale, se pa këto dy elemente do të vazhdojmë të jemi dhe mbetemi një shoqëri komune dhe primitive. Evropa nuk ka nevojë për të tillë shtete. A nuk gënjejmë veten kur mendojmë se kemi vlera qytetare, kur në fakt kudo ku shkelim mungojnë normat bazë të kulturës dhe etikës, si në rrugë dhe institucione?! Po pse duhet të sillemi sikur i kemi, kur nuk i kemi këto vlera?! Ne jetojmë si një komunitet në mbijetesë e jo si një shoqëri në rrjedhë normale dhe kjo është larg normave bazë të Evropës. Kontraksionet e forta shoqërore dhe politike për shkak të ndërtimit të një shoqërie të deformuar shfaqen kudo. Në politikë e media, pseudovlerat po shfaqen e shiten si vlera. Mjafton t’i hedhësh një sy përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë në vite dhe kupton se ç’kualitete të rëndomta ka patur. Në karriget e ligjvënësve janë ulur mumie me fytyrë të trukuar, që kanë vegjetuar për vite e vite me radhë nën ombrellën e faktit se janë votuar nga populli. Po nga cili popull?! Nga populli që kur e sheh se si ecën në semafor i përngjan një turme bagëtish pa bari. Evropa nuk është jeta që bëhet te Blloku, në mes të Tiranës. Por dhe atë po ta shohësh, nuk përngjan me asnjë vend tjetër evropian, ku ka argëtim. As hallet, as qejfet nuk i kemi si ata, të cilëve duam t’u bashkëngjitemi. Ose i kemi krejtësisht të ndryshme, ose i kemi kopje të deformuara dhe të shëmtuara të tyre. Kjo tablo do të ishte më pak e trishtueshme sikur njëri prej motorëve më të rëndësishëm të një shoqërie, siç është media, të funksiononte normalisht. Por paradoksalisht dhe fatkeqësisht, nga dritare për t’u hapur sytë njerëzve, për të emetuar të vërtetën dhe kulturën, media është kthyer në frëngji, ku brenda saj janë strukur një mori gazetarësh të paaftë që vegjetojnë si rrogëtarë, duke shitur mediokritetin e tyre si vlerë. Ndaj s’kemi pse nxitojmë duke gënjyer veten. Evropa aty është dhe ka shekuj që na pret. Ne nuk po afrohemi dot dhe kjo jo për faj të saj, por për shkak të hipokrizisë sonë, që nuk na lejon të shohim realitetin me sytë e së vërtetës dhe jo të buzëqeshjeve të gënjeshtërta, që fshehin pas dështimin e një shoqërie që nuk di të krijojë dot vlerat e saj, me të cilat duhet të identifikojë veten.