Moisiu: Të marrë fund vjedhja e votës, të hapen kutitë e votimit Nga A.KajaBerat- I ndodhur ditën e djeshme në qytetin muze për promovimin e vëllimit të librave të tij “Kujtimet e një presidenti”, ish-presidenti, Alfred Moisiu, i është përgjigjur edh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Moisiu: Të marrë fund vjedhja e votës, të hapen kutitë e votimit Nga A.KajaBerat- I ndodhur ditën e djeshme në qytetin muze për promovimin e vëllimit të librave të tij “Kujtimet e një presidenti”, ish-presidenti, Alfred Moisiu, i është përgjigjur edhe interesimit të medias për problemet dhe zhvillimet e kohëve të fundit në vendin tonë.
Libri “Midis Nanos&Berishës” është pjesa e tretë e vëllimit. Në këtë libër pasqyrohen kujtimet dhe ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset dhe dështimet, dëshirat dhe mundësitë që e kanë shoqëruar presidentin Alfred Moisiu për periudhën 5-vjeçare (2002-2007), kohë kur ai ka kryer detyrën e kryetarit të shtetit. Aktiviteti u zhvillua në galerinë e arteve “Eduard Lir” në praninë e shumë qytetarëve beratas. Në pritjen që iu bë z. Moisiu nga qytetarët beratas, veç të ftuarve të tjerë, merrnin pjesë edhe kryebashkiaku i qytetit të Beratit Fadil Nasufi, deputetit socialist Fatmir Toçi, drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi etj. Referuesit vlerësuan librin si një rrëfim origjinal nga vetë protagonisti i ngjarjeve politike të periudhës 2002-2005, libër që në vendin tonë është i pari i këtij lloji.
Vetë autori i librit, ish-kryetari i shtetit, Alfred Moisiu, midis të tjerash u shpreh: “Kam pasur përplasje të mëdha, qoftë për problemin e Shërbimit Informativ me Sali Berishën, qoftë për problemin e Prokurorit të Përgjithshëm, qoftë për problemin e ambasadorëve, qoftë edhe për problemin e ligjeve”.
“Po kështu, - u shpreh Moisiu, - kam pasur përplasje të ndryshme me Fatos Nanon për ligjet dhe për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të Komisionit Qendror Zgjedhor”.
“Kur ka ardhur puna kam kritikuar Nanon si njeri i papërgjegjshëm dhe dembel, kur ka ardhur puna kam kritikuar Berishën si njeri autoritar dhe që kërkonte të vendoste pushtet tribal, dhe të gjitha këto përplasje nuk kanë ardhur se unë isha njeri kapriçoz apo se unë mbroja sedrën time, por unë këto gjëra i bëja se e pashë të arsyeshme dhe vlerësova se mbroja interesat e vendit tim, interesat e zhvillimit demokratik të vendit dhe interesat e integrimit të Shqipërisë”.
Në përfundim të aktivitetit, ish-kryetari i shtetit, Alfred Moisiu, i është përgjigjur edhe interesimit të medias rreth mendimit të tij për zhvillimet politike në vend.
Pyetjes se si e vlerëson bojkotin e opozitës në Kuvend, Moisiu i është përgjigjur se “nuk dua që të përzihem me palët, por unë them se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri, dhe të bëjmë edhe në zgjedhje, siç bëjnë gjithë të tjerët, pa pasur merak se vota e shqiptarëve nuk do të numërohet, ashtu siç e ka vendosur zgjedhësi”.
Në vijim të përgjigjes së pyetjes për zgjedhjet e fundit parlamentare, ish-kryetari i shtetit ka thënë se hapja e kutive zgjedhore nuk ka se si mos të bëhet. Sipas tij, hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore, manipulimit të votës.
Në përgjigje të pyetjes për marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, Moisiu tha se “më duket një servilizëm i qeverisë tonë ndaj qeverisë greke. Fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje tregon se diçka aty duhet parë”.