E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, peshkimi importon 10 mijë tonë naftë në Greqi e Itali me çmim më të lirë

Sasia e naftës që peshkatarët shqiptarë blejnë në portet e vendeve fqinje në Itali dhe në Greqi gjatë një viti është rreth 10 mijë tonë. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, e llogaritur në para, nafta që përdorin peshkatarët dhe që e blejnë në këto porte është 9 milionë dollarë. Vendimi për heqjen e akcizës së naftës për peshkatarët, i marrë nga qeveria shqiptare pak kohë më parë, do të bëjë që kjo sasi nafte të mos blihet më në këto porte. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, kostoja e karburantit në Itali zë 37 për qind të kostos së prodhimit, në një kohë kur në Shqipëri përbën mbi 70 për qind të kostos së prodhimit. Në kushtet e shfrytëzimit të të njëjtave rezerva ujore të detit Adriatik dhe Jon si dete të përbashkëta, flota shqiptare e peshkimit gjendet e diskriminuar kundrejt asaj italiane dhe greke, për arsyen e thjeshtë se nafta për peshkim në vendet e BE-së shitet nga magazina doganore pa asnjë lloj detyrimi fiskal mbi të. Deri më tani, në Shqipëri është zbutur rimbursimi i akcizës, i cili jo pak herë ka krijuar probleme, duke bërë që kostoja e karburantit të jetë më e lartë se në vendet e tjera fqinje. Gjithashtu, politika të hartuara me çmim fiks për gazoilin e peshkimit kanë krijuar kushte jo reale të funksionimit të këtij sektori, duke ndikuar në zhvillimin e tij.

Investimet në peshkim

Në aktivitetin e peshkimit janë kryer investime të rëndësishme nga sektori privat. Aktualisht, vendi ynë ka një flotë peshkimi prej 268 anijesh të shpërndara në katër portet kryesore Durrës, Vlorë, Shëngjin, Lezhë, ku janë të punësuar mbi 900 vetë. Nëse kësaj flote i bashkëngjitet edhe një numër i konsiderueshëm punonjësish që merren me shërbimet si zdrukthëtarë, elektricistë, riparues anijesh motorësh dhe rrjetash numri i tyre shkon në 1500 vetë. Gjithashtu, i gjithë zinxhiri i peshkimit që nga prodhuesi e deri te konsumatori, duke përfshirë industrinë përpunuese, transportin, restorantet, zinxhirin e shitjes, etj., shkon në rreth 15 mijë vetë. Sektori i peshkimit kishte kërkuar më shumë se një herë heqjen e akcizës së naftës, për ta bërë më të lehtë punën e tyre dhe të krahasueshme me vendet e tjera që e kanë të fuqizuar këtë linjë. Para pak kohësh ishte unioni i biznesit të peshkimit që ka propozuar skemën konkrete për këtë sektor, që tashmë është marrë në konsideratë nga qeveria shqiptare.

Peshkimi, 271 anije dhe 2 400 punonjës

Janë mbi 271 anije peshkimi, ku punojnë 1 400 peshkatarë dhe mbi 1 000 persona të punësuar në sektorin ndihmës, të cilët aktualisht thuajse janë pa punë. Në këtë sektor të rëndësishëm të biznesit janë 26 subjekte që janë licencuar në organet tatimore.

Investimet e bëra nga vetë peshkatarët në këtë fushë po i gërryen deti në molet e porteve të detit, sepse në çmimin aktual që shitet nafta, kostoja e produktit të peshkut është shumë e lartë dhe e bën të pamundur vazhdimin në këto kushte të këtij biznesi. Sipas peshkatarëve, janë 50 milionë euro investime në këto anije në 4 portet kryesore të vendit. Peshkimi po kalon pikën kritike të tij për shkak të humbjes edhe të tregut të brendshëm, sepse rreth 70 për qind e konsumit të brendshëm të peshkut importohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›