E Diel, 1 Nëntor 2026

Holanda tani është e frikshme, dërrmon 3-0 favoritët e Italisë

Kombëtarja e Holandës ka dërguar një sinjal të fortë se është gati për të kërkuar titullin Kampion të Evropës. 

Djemtë e trajnerit Marko Van Basten kanë kaluar me sukses provën e parë, ndaj një prej kundërshtarëve më të fortë, më saktë ndaj kampionëve të botës, Italisë. Një ndeshje e mbushur me emocione e spektakël për të gjithë, por që në fund nxori fitues “tulipanët”, të cilët fituan 3-0. Goli i parë i Holandës erdhi në minutën e 26-të, kur Rud Van Nistelroi devijoi për në portë një top të ardhur nga jashtë zone. Ka qenë një moment konfuzioni për Italinë, që u mundua të nxirrte sulmuesin në pozicion jashtë loje, por goli u quajt i rregullt, pasi jashtë fushës ka qenë i shtrirë Panuçi dhe me rregulloren e futbollit, ai mund të mbajë në lojë futbollistët kundërshtarë. Uesli Sneijder dyfishoi gjithçka, duke finalizuar në mënyrën më të mirë një aksione spektakolar të futbollistëve holandez. Në minutën e 79-të të lojës, Xhiovani Van Bronkhorst shënoi edhe golin e tretë.
Rumani-Francë 0-0
Një ndeshje me shumë emocione dhe e qetë që nga minuta e parë, deri në minutën e fundit. Një përballje e përqendruar te lufta në mesin e fushës, ndërkohë që mbrojtjet e të dy ekipeve kanë arritur të ndalojnë me sukses pothuajse të gjithë aksionet e kundërshtarit. Ndërkohë që pritej që Franca ta niste me “këmbën e duhur” kampionatin evropian, ka qenë Rumania, ajo që tregoi se nuk është aq e lehtë sa duket në letër. Djemtë e trajnerit Viktor Piturka u mbrojtën me të gjitha forcat. Një përballje, ku në fakt barazimi ishte rezultati i duhur.

Rumani – Francë 0-0
Rumania (4-3-3): Lobont, Kontra, Tamas, Goian, Rat, Kokis (Kodrea 63’), Radoi (Dika 90’), Kivu, Nikolita, Nikulae, Mutu (M.Nikulae 78’). Trajner: Viktor Piturka
Franca (4-4-2): Kupe, Sanjol, Turam, Gallas, Abidal, Riberi, Tulalan, Makelele, Maluda, Anelka (Gomis 72’), Benzema (Nasri 78’). Trajner: Rejmond Domenek
Kartonë të verdhë: Kontra, Goian, Nikulae, Sanjol
Arbitër: Mejtuo Gonzales
Spektatorë: 30,585

Holandë – Itali 3-0
Golat: Van Nistelroi 26’, Sneijder 31’, Van Bronkhorst 79’
Holanda (4-2-3-1): Van der Sar, Ojer, Bulahruz (Heitinga 77’). Matijsen, Van Bronkhorst, De Jong, Engelar, Kajt (Afelaj 81’), Van der Vart, Sneijder, Van Nistelroi (Van Persi 70’). Trajner: Marko Van Basten
Italia (4-3-2-1): Bufon, Panuçi, Barzali, Materaci (Groso 55’), Zambrota, Ambrozini, Pirlo, Gatuzo, Kamoranezi (Kasano 75’), Di Natale (Del Piero 64’), Toni. Trajner: Roberto Donadoni
Kartonë të verdhë: De Jong, Zambrota, Gatuzo, Toni. Arbitër: Peter Frojdfeld. Spektatorë: 38, 777

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›