E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza po vjen se aleatët duan më shumë humbjen me Edvinin, sesa turpërimin me Bamirin

10-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: PS-së nuk ia zë kush vendin në parlament, t’i drejtohet Gjykatës së Apelit

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të kryesocialistit, Edi Rama se mazhoranca po grabit mandatin e PS-së, në qarkun e Durrësit të lënë vakant pas dorëheqjes së Rudina Seserit.
Duke folur në mbledhjen e përjavshme të grupit të PD-së, Berisha i cilësoi absurde pretendimet e selisë rozë, ndërsa ka siguruar se mazhoranca nuk do të cenojë mandatin e asnjë force politikë, por nga ana tjetër u shpreh se kërkon respektimin e Kushtetutës. Berisha kujtoi se mandati i Rudina Seserit i takon pasardhësit në listën e deputetëve të PS, që është Gjon Bardhi.
Ky i fundit ka refuzuar mandatin e dhënë nga KQZ në janar të këtij viti, me pretendimin se është kryetar i bashkisë së Fushë-Krujës. Berisha i kërkoi Ramës t’i drejtohet gjykatës për çështjen në fjalë, ndërsa i cilësoi po aq absurd presionet që i bëhen komisionit të mandateve, në një kohë kur mandatet i jep vetëm KQZ.
“Ka një muaj që Kryetari i Partisë Socialiste, në mënyrën më absurde, akuzon këtë mazhorancë, këtë Kryeministër, këtë Kryetare Parlamenti, se do që t’i vjedhë mandatin e ish deputetes Seseri. Dhe e bën në një mënyrë shumë të paskrupullt këtë. Me datën 13. 01. 2012, në vendimin nr. 2, të marrë në ora 11:00, Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin e zonjës Seseri, deputetit të Durrësit, zotit Gjon Hill Bardhi. Z. Bardhi, duke qenë deputet në listën e Partisë Socialiste, pa paraqitur dorëheqjen nga kjo listë ka garuar dhe fituar për kryetar bashkie të Fushë-Krujës. Z. Bardhi nuk kishte asnjë pengesë mbi tokë, për të bërë atë që bëri, në rastin e kundërt, ministri Basha, i cili dorëzoi mandatin dhe garoi për kryetar bashkie, zoti Ferdinant Xhaferri, që e dorëzoi mandatin dhe garoi, apo zoti Ardian Kollozi, që dorëzoi gjithashtu, mandatin e deputetit dhe garoi. Z. Bardhi nuk kishte pengesë t’i bënte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën me shkrim, ku ta njoftonte se po garonte për kryetar bashkie, ndaj dhe jepte dorëheqjen si kandidat për deputet në listën, në të cilën ndodhej. Por ai nuk ë bëri këtë. Shkojmë më tutje, sepse të bësh akuza dhe kërcënime absurde, nuk fiton kapital politik dhe nuk mund të mashtrosh njëri. Me datën 13 janar, Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve  votoi mandatin e zotit Bardhi. Zoti Bardhi paraqiti dorëheqjen, por tani është me dy mandate, është me atë të kryetarit të bashkisë dhe me mandatin që ia ka akorduar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sërish, shteti ligjor ka mekanizmat e tij. Zoti Bardhi vetë, partia e tij si palë e interesuar, zoti Edi Rama, i cili një e dy padit kryeministrin për interesat personale dhe tani për interesa të partisë, duhet t’i drejtoheshin gjykatës. Me ligjin e vendit, ne kemi një Gjykatë Apeli, e cila trajton çdo lloj çështjeje që ka të bëjë me deputetin, kandidimin e mandatimin. Qëllimshëm, ata lanë të digjen të gjitha afatet, për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit, nëse gjykonin se i ishte bërë një padrejtësi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tani kërkojnë të bëjnë gjykatës, Komisionin e Rregullores së Parlamentit, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër, përveçse për t’iu drejtuar parlamentit me mendimin e tij. Ky Komision nuk ka atribute gjykate, por ata kërkojnë të bëjnë kryegjyqtar Kryetaren e Parlamentit, vetëm për akuza politike. Kjo mazhorancë nuk mund të pranojë t’i diktohen rregulla sui generis, siç i dikton ai, në partinë e tij. Kjo mazhorancë është e detyruar të respektojë ligjet vendit. Ndaj nuk ka vend kërcënimi se: do të bllokoj reformat. Nëse reformat i bën për hir të mazhorancës dhe e konsideron veten argat të mazhorancës, atëherë asnjë ditë mos bashkëpuno! Ne nuk e kemi argat opozitën. Opozita është sovrane, ka një program që  jua ka shpallur shqiptarëve, ka zgjedhësit e vet, absolutisht, me interesa në  tërësi të njëjta me të shqiptarëve të tjerë. Në mënyrë absurde, këto shëmbëllejnë me një mikro byro politike: nëse nuk bën atë që të them, nëse nuk bëhesh gjykatës, nëse nuk merr atributet e Gjykatës së Apelit, atëherë unë bëj këtë apo atë veprim. Por se është një popull në mes, kjo nuk ka rëndësi. Këtu ka rëndësi se çfarë mendon kjo bërthamë për interesat e saj”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë ironizoi sjelljen e Ramës pas largimit të Seserit, pasi këtë të fundit ua serviri qytetarëve të Durrësit si “star të politikës”.
“Ai e ka të qartë që mandati nuk mund t’i merret askujt, e ka të qartë që mazhoranca nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë tendencë të përvetësojë një mandat që nuk i takon, e ka të qartë që Kushtetua dhe ligjet e këtij vendi janë të kristalta në përcaktimet e tyre për mandatet. Por ai e bën këtë se jua serviri shqiptarëve, zonjën Seseri, si “star” dhe ajo u tha mirupafshim, se donte të fitonte diku tjetër, në bursë. Unë qytetarët duhet t’i sqaroj si qëndron e vërteta”, tha Berisha.
Po ashtu Berisha ironizoi edhe deklaratën e Ben Blushit, i cili u shpreh fundjavën e kaluar se LMN, ku ai bënte pjesë me një grup deputetësh kundërshtarë të linjës politike të lidershipit socialist, e kreu misionin e saj! Për kreun e demokratëve, misioni i LMN-së paska qenë përjashtimi i Kastriot Islamit.
“Na del edhe Mefistofeli  i PS-së, i cili thotë se LMN-ja e përmbushi qëllimin e vet. Paske qenë qëllimi i LMN-së për të përjashtuar Kastriot Islamin?! Blushi thotë se LMN-ja e përmbushi misionin. Çfarë misioni, përjashtimi i Kastriot Islamit! Por këto nuk janë gjëra që më takojnë mua. Unë jap përgjigje vetëm për këtë çështje. Por që të qarkullojë çdo lloj teze në politikë është një ofendim për politikën. Paska qenë qëllimi i LMN-së përjashtimi i Islamit?!”, theksoi kryeministri.
Gjithashtu, Berisha tha se Rama po mendon t’i çojë aleatët e tij te Bamiri, pasi i mbajti me mashtrime për një kohë të gjatë. Por, sipas Berishës, ka hasur në rezistencën e tyre, pasi po qe për Bamirin ata janë më mirë me Ramën.
“Ai ka një grup njerëzish, me të cilët fabrikon mashtrimin e servir dhe ata kanë kënaqësi që mashtrohen. Po të hyj dhe t’jua rreshtoj zinxhirin e mashtrimeve që i servir klubit të tij, ju do të çuditeni. Ne nuk kemi asnjë tendencë për t’ia cenuar mandatin dhe as nuk mund ta imagjinojmë. Ai është në konfuzion. Tani e gjithë beteja që bëhet është se si  t’i bashkojë aleatët me Bamirin dhe i la pa mend. I ka mbajtur deri më tani me premtim-mashtrime dhe tani ju thotë shkoni tek Bamiri. Disa prej tyre thonë se po të jetë puna për Bamirin, rrinë më mirë me Ramën. Çfarë ju sjell ajo?!”, shtoi më tej kryeministri Berisha.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›