“Gjon Bardhi të japë dorëheqjen dhe të marrë mandatin e deputetit”

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh dje se Gjon Bardhi duhet të japë më parë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Fushë Krujës dhe më pas të bëj ç’të dojë me mandatin e deputetit.
“Mund të kesh lëshuar akte. Mund të të jenë marrë nën forcë, nën imponim, akte për heqje dorë, por kurrsesi nuk përbëjnë shkak për heqje mandati. Kjo do të thotë se është i destinuar zoti Gjon Bardhi për të qenë deputet. Veç kësaj, para këtij akti, do të duhet të bëjë po ai dhe heqjen dorë nga mandate që ka marrë si kryetar i bashkisë së Fushë Krujës”, tha Alibeaj.
Sipas tij, 30 ditët që neni 164 i kodit zgjedhor parashikon për të humbur mandatin nisin pikërisht nga momenti betimit në Kuvend. “Duhet të bëjë paraprakisht dorëheqjen si kryetar i njësisë se qeverisjes vendore përkatëse. Nga ky moment ai mandatohet dhe është i aftë për tu paraqitur në Kuvend. Pasi bën betimin, mund të mungojë 30 ditë apo të tjera, dhe në këtë rast ndodh që i kalon tjetrit”, tha Alibeaj.
Arsyeja pse nuk pranon të ulet në karrigen e deputetit, Bardhi e argumenton me faktin se respekton votën popullore të elektoratit në zgjedhjet e 8 majit. Kandidati pasardhës në listën shumë-emërore të qarkut të Durrësit pas Gjon Bardhit është Edison Konomi.
Damian Gjiknuri: Duket se mazhoranca po na mban peng mandatin/Mandati i deputetes socialiste Rudina Seseri vijon të ngjallë polemika mes mazhorancës dhe opozitës. Në lidhje me mandatin e ish-deputetes Rudina Seseri ka reaguar dje edhe deputeti Damian Gjiknuri. Socialisti shprehet se pretendimet që ngre mazhoranca janë të pabaza, pasi siç tha ai, Kushtetuta e zgjidh këtë çështje. “Kur refuzohet, mandati i kalon pasardhësit”, u shpreh ai, duke nënvizuar se në këtë rast, kur mazhoranca refuzon emrin pasardhës në listë, “Është shkelur Kushtetuta e demokracia e vendit”.
Nga ana tjetër, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit demokrat, Edi Paloka. Ai akuzoi PS-në se po luan rolin e zhurmuesit në këtë çështje, pasi sipas tij asnjë nuk po tenton i vjedhë mandatin që i takon. Ndërkohë, Paloka vlerëson se gjithçka është përcaktuar në Kod, ndërsa i bëri thirrje opozitës që t’i drejtohet gjykatës për të zgjidhur ngërçin.
“Ajo luftë që bëhet në Parlament, në Komisionin e Mandateve është krejtësisht absurde. Parlamenti nuk jep mandate deputetësh dhe këtë e di dhe një fëmijë. Asnjë tjetër përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk i jep mandate deputetëve. Është një çështje që mesa duket duhet të zgjidhet në gjykatë. Askush nuk e vjedh mandatin, të vjedhësh mandatin do të thotë t’i ta marrësh dhe të zëvendësosh me një deputet të Partisë Demokratike, kjo është e pamundur. Mandati është i Partisë Socialiste, nuk e merr njeri, as nuk e fut kush në xhep as nuk ka pse ta përvetësojë kush. Ata thjesht kanë një procedurë që duhet ta kishin zgjidhur me kohë”, u shpreh Paloka.
Mazhoranca do të dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Gjon Bardhi, si zëvendësues i ish-deputetes Rudina Seseri, pas tërheqjes së kësaj të fundit disa muaj më parë.
PD vlerëson se “Gjon Bardhi duhet të japë më parë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Fushë Krujës dhe më pas të bëj ç’të dojë me mandatin e deputetit. Nga ky moment ai mandatohet dhe është i aftë për t’u paraqitur në Kuvend. Pasi bën betimin, mund të mungojë 30 ditë apo të tjera, dhe në këtë rast ndodh që i kalon tjetrit”.