Ahmetaj: Zgjidhja e krizës, në tryezën e Berishës

Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, është shprehur mosbesues ndaj negociatave të djeshme mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe zv.kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta
TIRANË - Lëvizjen e fundit politike të mazhorancës nëpërmjet takimit midis zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe Presidentit Bamir Topi, opozita e cilëson si një provokim, me qëllim që opozita të lëshojë apo tolerojë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit.
Këtë qëndrim e specifikon deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, në një intervistë për gazetën "Shekulli", i cili është futur në grevë urie që prej shtatë ditësh, së bashku me 21 deputetët e tjerë dhe 200 protestuesit e majtë.
Ai vuri në dukje se me takimin e Metës dhe Topit, Kryeministri Berisha kërkon që të fitojë kohë, por, sipas Ahmetajt, kreu i qeverisë nuk mund të luajë më me durimin e shqiptarëve.
Z. Ahmetaj, duke qenë se greva e urisë ka hyrë në ditën e shtatë që nga fillimi i saj, si paraqitet gjendja juaj shëndetësore?
Në ditën e saj të shtatë gjendja shëndetësore e grevistëve në përgjithësi është e rëndë dhe sot mund ta quaj pa frikë si tepër të rënduar, sepse pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në grevë kanë simptoma serioze, të lëvizjeve të tensionit dhe ka simptoma të humbjes së fuqisë.
Sigurisht, ka simptoma të tjera që shumë prej tyre janë të rrezikshme, shumë prej tyre nuk janë të rrezikshme. Por, në përgjithësi mund të them që gjendja e grevistëve në çadra është e rënduar.
Personalisht mbahem akoma, por edhe unë sot pata një gjendje lodhjeje të theksuar, kuptohet kam pasur disa luhatje të vogla të tensionit, veçanërisht përgjatë dy ditëve të fundit.
Duke parë këtë situatë që është krijuar nga greva e urisë, mazhoranca ka filluar lëvizjet e saj, kur zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është takuar me kreun e shtetit, Bamir Topi, për krizën politike.
A mendoni se kjo lëvizje politike e mazhorancës kërkon që të ulë sërish në tryezën e bisedimeve kryetarët e forcave politike Rama e Berisha për zgjidhjen e krizës politike?
Së pari, dua të them që nuk e di nëse Meta kur ka shkuar tek Presidenti Topi ka përfaqësuar mazhorancën apo thjesht kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Unë po e marr si një lëvizje të mazhorancës.
Por, kjo është tepër e vonuar. Megjithatë, në qoftë se lëvizja është në drejtimin e duhur, nëse lëvizja është në drejtimin e pranimit të kërkesave të grevistëve, por edhe e të gjithë popullit opozitar, atëherë unë e shikoj si një lëvizje në kahun e duhur.
Por, jam shumë skeptik në lëvizjet e mazhorancës, sepse pashë në Parlament një shou jashtëzakonisht të turpshëm, ku deputetët e mazhorancës pa opozitën në prezencë, lëshonin fjalime nga më të ulëtat dhe nga më qesharaket, duke fyer grevistët e grevës së urisë dhe duke përbuzur sakrificën tonë. Kjo tregon se nuk kanë reflektuar nga e gjithë lëvizja opozitare dhe nga e gjithë kriza politike, e cila u faturohet atyre.
Megjithatë, mazhoranca dhe konkretisht Kryeministri Berisha vazhdon të qëndrojnë indiferentë ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive, duke thënë se ky veprim politik cenon ndarjen e pushteteve.
Si e konsideroni këtë qëndrim refuzues të kreut të qeverisë, por edhe heshtjen e tij për lëvizjen e fundit të shumicës nëpërmjet zëvendëskryeministrit Meta?
Kjo është në stilin e lëvizjeve të Sali Berishës. Ai tenton që të avancojë një nga anëtarët e tij të kabinetit në një diskutim apo hapje debati provokues, siç është rasti i takimit Meta -Topi, për të provokuar deri ku opozita do të shkojë në tolerim ose në pranim ose në avancim të kërkesave të veta.
Indiferenca e Sali Berishës, nuk është vetëm indiferencë por edhe frikë, frikë nga ajo që populli opozitar po tregon ndaj regjimit të tij dhe ndaj refuzimit të tij për kauzën shumë legjitime dhe shumë demokratike të transparencës së plotë të asaj që ka ndodhur më 28 qershor, duke përfshirë këtu edhe hapjen e kutive.
Ky është komenti im për lëvizjet e Kryeministrit Berisha, të cilat i njoh pak apo shumë, mirë apo keq 20 vjet, dhe Berisha kërkon të fitojë kohë që nuk e ka më, e ka pasur deri më tani, por nuk e ka më.
Nisur nga këto manovrime të fundit politike, a u është propozuar në mënyrë konfidenciale ndonjë ofertë konkrete nga ana e mazhorancës për zgjidhjen e krizës politike?
Unë do të ndjek parimin uillsonian që çdo gjë që është sekrete nuk është transparente. Deri ditën që ajo ofertë bëhet publike, pavarësisht se mund jetë konfidenciale, kjo e Presidentit Topi, atëherë ajo quhet një ofertë zyrtare transparente publike.
Oferta nën tavolinë që mund të bëjë mazhoranca, duke lëshuar një apo dy anëtarë të kabinetit drejt Topit apo diku tjetër, akoma nuk janë oferta. Ato janë thjesht bisedime në rastin më të mirë dhe kulisa në rastin më të keq.
Faktori ndërkombëtar ka dështuar sërish për t'i hapur rrugën zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri, kur Parlamenti Europian disa ditë më parë, nuk arriti të miratojë as deklaratën përfundimtare për ngërçin politik.
Si e shikoni tani e tutje rolin e faktorit ndërkombëtar në këtë situatë?
Në përgjithësi, europianët në raste krizash kanë qenë relativisht të vonuar në ndërhyrje. Por, këtë radhë, europianët me vonesën e tyre janë në të drejtën e tyre për të parë sesi vepron klasa politike shqiptare, e cila pretendon të jetë e maturuar, pasi është një klasë politike e një vendi anëtar të NATO-s.
Ajo që bëri Parlamenti Europian nuk është një dështim. Ajo që bëri PE-ja është t'i lërë një test mazhorancës së këtij vendi që qeveris në përgjegjësi të saj vendin për të reflektuar dhe për të ardhur në një ofertë serioze për transparencë të plotë. Nuk mundet që Parlamenti Europian të na japë neve zgjidhje në tavolinë.
Opozita e ka treguar seriozitetin e saj në këmbëngulje demokratike, institucionale të veprimeve të saj për transparencë të plotë. Ne nuk jemi larguar nga parimi. Opozita e ka bërë hapin e vet të maturisë politike, duhet që mazhoranca të bëjë hapin e saj të maturisë politike, duke ofruar një zgjidhje të krizës, sepse zgjidhja e krizës është në tryezën e Sali Berishës dhe i pari njeri që është përgjegjës për këtë krizë, për këtë vuajtje për këta jetë njerëzish, është Sali Berisha.
Ju theksuat se prisni një zgjidhje nga aktorët politikë shqiptarë, por në të njëjtën kohë ju i keni dërguar një letër ndërkombëtarëve, ku kërkoni transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit.
Cila është përgjigja konkrete që keni marrë deri më tani nga ndërkombëtarët?
Përgjigja konkrete e letrës sonë është e dukshme. Përgjigjet janë; qëndrimi i Parlamentit Europian, refuzimi që i bëri për prodhimin e një deklarate, paralajmërimi i komisionerit për zgjerimin Fyle për klasën politike shqiptare dhe konkretisht për mazhorancën, për stopimin e dhënies së opinionin mbi statusin, mbledhjet e sotme (e djeshme) të ambasadorëve. Të gjitha janë në reflektim të asaj që jemi duke bërë ne këtu dhe të letrës sonë, e cila ishte sa njerëzore, sa informative edhe me një thelb politik.
Në ditën e 7-të të grevës së urisë, dy grevistë shtrohen në spital. Mjeku Sabit Brokaj tha dje se gjendja shëndetësore sa vjen e rëndohet mes grevistëve
*************************
Gjendja, tre grevistë në spital. Një tjetër rikthehet në grevë
TIRANË - Greva e urisë nuk ka kursyer dje shëndetin e tre burrave, të cilët kanë përfunduar në Spitalin Universitar "Nënë Tereza" për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore në ditën e shtatë të grevës së urisë.
Në fillim më i moshuari i grevës 67-vjeçari, Nuredin Gora, i cili vuan nga sëmundja e diabetit, gjatë orëve të paradites së djeshme u nis me urgjencë në QSUT. Gores, i cili vuan nga diabeti, i është përkeqësuar shëndeti dhe mjekët kanë urdhëruar dërgimin e tij për mjekim në spital.
Më pas, Edmond Prifti nga Patosi, 37 vjeç, pati probleme me shëndetin, duke u detyruar që me barelë të lërë ambientet e grevës dhe të kërkojë ndihmën më të specializuar të mjekëve.
Mjekët thonë se Edmond Prifti nga Patosi, 37 vjeç, kishte shfaqur probleme me tensionin. Ndërkohë, mjeku Sabit Brokaj theksoi se gjendja e grevistëve, sidomos të atyre që kanë probleme me diabetin është e rëndë, ndaj njoftoi se këtyre grevistëve iu është rekomanduar që ta braktisin protestën.
Ndërkohë, një tjetër grevist, 40-vjeçari Isa Arapi, është transportuar mbrëmë për në spital. Ndërsa Demo Muho, grevisti nga Tirana, i cili dje u shtrua në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit i është rikthyer grevës. "Erdha të përkrah shokët e mi në këtë betejë për transparencën e zgjedhjeve", - tha Muho, para se të hynte sërish në kampin e grevistëve.
Numri i grevistëve që kanë përfunduar në spital ka arritur në shtatë, nga 30 prilli, datë kur filloi greva e urisë së 22 deputetëve të Partisë Socialiste dhe 200 qytetarëve të thjeshtë mbështetës të PS-së, të cilat nisën betejën për transparencën e zgjedhjeve.
**********************
MSH: Evidentoni grevistët kronik, kanë nevojë për ndihmë
TIRANË - Ministria e Shëndetësisë i është drejtuar sërish Partisë Socialiste për të gjetur mirëkuptimin për ofrimin e asistencës profesionale, qoftë edhe të ekipeve të specializuara që ofrojnë shërbim mjekësor jashtë ambienteve të grevës për rastet që rëndohen dhe duan ndihmë shëndetësore të specializuar në spital.
"Kjo është e rëndësishme për të marrë informacionin e nevojshëm për gjendjen e tij, në mënyrë që personeli të orientohet në kohë dhe në spitalin e duhur", - pohon drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, duke shtuar se rekomandojnë të evidentohen grevistët me sëmundje kronike dhe për ta të komunikojnë me organet shëndetësore kompetente, si edhe ekipet e ndihmës mjekësore pranë grevës në mënyrë që të ofrohet ndihmë më specialiste brenda mjediseve të grevës.
**************************
Leskaj: Zgjidhja duhet të jetë politike
TIRANË - Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, ka mbështetur dje deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, sipas të cilit, duhet të ketë një zgjidhje konform Kushtetutës.
"Dua të konfirmoj edhe njëherë se ajo që Partia Socialiste kërkon sot është transparenca e zgjedhjeve mbështetur në të drejtën kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit apo me vendime të Kolegjit Zgjedhor, por ka të bëjë me respektimin e një të drejte ligjore.
Në tetë ditë të protestës së Partisë Socialiste, të protestës së qytetarëve shqiptarë në Tiranë dhe në të gjithë vendin, kanë dëshmuar vendosmëri për standarde europiane në zgjedhje, por njëherësh kanë dëshmuar civilizim, qytetari, etikë dhe respekt ndaj ligjit", - tha dje Leskaj. Sipas saj, PS-ja beson se kriza është politike dhe zgjidhja duhet të jetë po e tillë, politike.