E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda, para Japonisë në stërvitje edhe Roben

AFRIKE E JUGUT- Holanda përballet të shtunën me Japoninë në ndeshjen e dytë të grupit E, por pavarësisht diferencave, portokallinjtë kanë shumë arsye që të jenë të kujdesshëm ndaj samurajve blu. Japonia mundi 1-0 Kamerunin në ndeshjen e parë, ndërkohë që në miqësoren e vitit të kaluar u hapi shumë holandezëve. Ndeshja e luajtur në muajin nëntor përfundoi 3-0 për Holandën, por golat erdhën vetëm në minutat e fundit pas një qëndrese të fortë të aziatikëve.

Takimi i së shtunës duket tepër deciziv për dy skuadrat, teksa tulipanët kërkojnë të kalojnë në turin tjetër. Trajneri Bert Van Marvijk do të hedhë në fushë të njëjtin formacion që mposhti 2-0 Danimarkën në ndeshjen e parë, ndoshta duke hedhur në fushë edhe Elian, i cili shkëlqeu në ato pak minuta që luajti me danezët.

Ndërkohë, një lajm i mirë ka ardhur nga Arjen Roben, i cili u stërvit rregullisht me skuadrën në seancën e zhvilluar në Durban. Por, duket e vështirë që tekniku holandez ta aktivizojë në këtë ndeshje, pasi nuk kërkon të rrezikojë me futbollistin kryesor të skuadrës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›