Kriza politike, Topi: S'ndërhyj, ta zgjidhë Berisha dhe Rama
Në kulmin e krizës politike, Topi nuk ndërhyn. "Besoj që klasa politike shqiptare është koshiente për të zhvilluar dialogun"
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu dje qëndrimin e tij të pandryshueshëm deri më tani, mbi krizën politike, që ka përfshirë mazhorancën dhe opozitën për hapjen ose jo të kutive të votimit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me presidentin turk Abdulla Gyl, Topi vuri në dukje se roli i tij është vetëm inkurajues, sa i përket dialogut politik.
Edhe pse kriza politike është e dukshme dhe thuajse pa zgjidhje, Topi theksoi se nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e partive politike dhe duhet të jenë këto të fundit që të zgjidhin ngërçin e krijuar. Ai sugjeroi që të rritet niveli i komunikimit politik.
"Në respekt të pozicionit të Presidentit, i cili është një pozicion kushtetues, shumë institucional, jepen apelet e nevojshme, të domosdoshme në kufirin apo në limitin e mos interferencës në vullnetet politike të partive.
Kjo është shumë e rëndësishme. Këto apele i kam bërë herë pas here, s'mund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën dhe në momentin e në vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike.
Ajo që do të uroja unë dhe çdo qytetar shqiptar është të rrisim nivelin e komunikimit politik, të dialogut politik", - tha dje Topi. Presidenti u shpreh gjithashtu se zgjidhja e krizës politike mund të vijë nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.
Duke sjellë në vëmendje, reduktimin e partive parlamentare si pasojë e sistemit të ri elektoral, Topi i mëshoi qëndrimit të tij duke thënë se eksluziviteti i zgjidhjes së situatës aktuale politike, duhet të vijë pikërisht nga partitë që kanë arritur të përfaqësohen në Parlament.
"Kjo është në mënyrë eksluzive në vullnetin e partive. Jo pa qëllim iu referova çështjes së numrit të partive parlamentare, sepse përkthehej në tryezat e partive politike parlamentare. Në këtë ambient, në tetor, nëntor, në mos gaboj të vitit 2007 është zhvilluar një tryezë e gjerë e partive politike parlamentare në funksion të ligjit të ri elektoral dhe ju e mbani mend.
Sot padyshim ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në Parlament natyrisht që janë reduktuar që do të thotë që vullnetet politike mund të konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në Parlament. Respektoj në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike. I inkurajoj për dialogun", - u shpreh ai.
Topi përsëriti qëndrimin e tij, se ai nuk mund të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi në optikën e presidentit të vendit, klasa politike është aq e pjekur sa të gjejë një zgjidhje optimale të krizës nëpërmjet dialogut. Për këtë arsye, sipas tij, klima e dialogut duhet të zhvillohet midis partive politike, edhe në interes të qëllimeve të Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
"Natyrisht që nuk mund të ndërhyj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Edhe një herë e inkurajoj këtë dialog në interes të Shqipërisë, të qëllimeve madhore të saj për të pasur një progres dhe sukses imediat në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik", - nënvizoi Topi.