E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar, Topi:Do shprehem me dekret

Presidenti i Republikës shprehu besimin për një gjykim të drejtë nga ana e Kushtetueses

TIRANË- Presidenti i Republikës vazhdon t'i mbetet qëndrimit të tij institucional përsa i përket zgjidhjes të çështjes së marrëveshjes së ujërave midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke. Presidenti i Republikës sërish nuk ka dhënë asnjë koment rreth marrëveshjes që aktualisht po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. "Kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për një transparencë lidhur me këtë proces.


Së dyti, kam thënë që duhet të respektojmë në të njëjtën kohë institucionet e Shqipërisë. Së treti, duke respektuar pozicionin tim Kushtetues, nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti shprehet dhe vullneti vjen nga Parlamenti. Natyrisht Presidenti shprehet me dekret", - tha dje Presidenti Topi.


Ashtu si edhe në çështjet e tjera tepër delikate, edhe kësaj here, Topi evidentoi faktin se roli dhe statusi i tij, nuk e lejon atë të ndërhyjë në këtë proces, duke shtuar se kjo çështje do të marrë formën e zgjidhjes duke u trajtuar me transparencë dhe korrektësi. E gjitha kjo sipas kreut të shtetit duhet të realizohet në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar.


"Fakti që ky proces nuk ka ndodhur, fakti që sot procesi është në Gjykatën Kushtetuese, në respekt të gjykatës, në mënyrë specifike në respekt të Gjykatës Kushtetuese, do e pres këtë vendim dhe natyrisht do të shprehem në momentin që kam aksesin për t'u shprehur, por duke shprehur besimin, gjë që e kam bërë edhe dje nëpërmjet një shkrese, mbi bazën e së cilës është dhënë mendimi i Institucionit të Presidentit, në bazë të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, që nuk mund të ndërhyj në këtë proces, por duke pasur një besim të plotë tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.


Gjithsesi unë mendoj që ky është një proces, i cili do të vazhdojë të trajtohet me transparencë dhe kam bindjen që do të realizohet në mënyrën më korrekte të mundshme në mbrojtje të interesave legjitime të shtetit shqiptar", - u shpreh ai.

*********************************

Fati i marrëveshjes me Greqinë për ujerat do të përcaktohet vitin që vjen


Pakti, Kuvendi nuk e përfshin në kalendarin tre javor

TIRANË- Fati i marrëveshjes për delimitimin e ujërave territorialë midis Shqipërisë dhe Greqisë, do të përcaktohet vetëm sesionin e ri parlamentar. Në axhenden tre javore të punimeve të Kuvendit, që përfshin periudhën nga 7 deri në 24 dhjetor, nuk thuhet asnjë fjalë për marrëveshjen.


Marrëveshja e ujerave detare mes Greqisë dhe Shqipërisë u shqyrtua pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese ndërkohe që vendimi për këtë proces pritet që të merret vetëm vitin që vjen, sa kohë që edhe Kuvendi nuk e ka parë të udhës që ta përfshijë në axhendën tre javore.


Në kalendarin tre javor janë përfshire disa projektligje, të cilat kërkojnë shumicë të thjeshtë, ndërkohë që sërish kryetarja e Kuvendit ka provokuar me futjen në axhendë të draftit për gjykatat administrative e cila kërkon shumicë të cilësuar votash.


Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka mbyllur në një seancë maratonë prej 7 orësh shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Partisë Socialiste për të shpallur antikushtetuese marrëveshjen për delimitimin e kufirit dhe përcaktimin e shelfit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë, e njohur ndryshe si marrëveshja për ndarjen e kufirit ujor mes dy vendeve tona.


Pas dëgjimit të palëve dhe pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, këta të fundit, pritet që të shprehen në fillim të vitit që vjen. Kuvendi nuk mund të miratojë marrëveshjen në fjalë, për sa kohë që nuk është marrë ende një vendim nga kolegji kushtetues.


Ndërsa Presidenti i Republikës do të jetë i fundit që do të japë qëndrimin e tij edhe pse e ka lënë qartë të kuptohet se firma e tij do të varet pikërisht nga vendimi që do të japë Gjykata Kushtetuese.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›