Uidhers: Të garantohet pavarësia e mediave
Bosh dhe Uidhers kërkojnë pavarësinë e institucioneve veçanërisht të gjyqësorit
TIRANË- Pavarësia e mediave dhe e sistemit gjyqësor mbetet shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve, të cilët vazhdojnë t'i bëjnë apel politikës shqiptare, që të garantojnë këtë proçes.
Në një kohë kur presionet e qeverisë rriten dita ditës ndaj mediave opozitare, Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, evidentoi qartë se pavarësia e medias është një zonë mjaft e rëndësishme për zhvillimin demokratik të vendit. "Pavarësia e medias është një tjetër zonë kyçe. Në një shoqëri demokratike, media luan rolin e rojtarit së shoqërisë dhe mbron interesin e publikut.
Pavarësia e medias siguron gjithashtu që zyrtarë në sektorin publik dhe biznesmenë në sektorin privat t'i binden ligjit dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre. Kur media shndërrohet thjesht në një tjetër vegël politike, pa u shqetësuar për faktet apo për të vërtetën, ajo humbet pavarësinë e saj dhe interesi i publikut nuk mbrohet", - tha dje Uidhers.
Duke përsëritur qëndrimin e tij, të disa ditëve më parë për pavarësinë e gjyqësorit, ambasadori Uidhers vuri në dukje se sistemi gjyqësor është shtylla e një shoqërie demokratike.
"Në të njëjtën mënyrë, dhe institucionet e tjera nuk janë në gjendje të funksionojnë ashtu si duhet pa pavarësinë e tyre. Pavarësia e gjyqësorit është një kolonë themelore e shoqërisë demokratike dhe është, në fakt, guri i themelit mbi të cilin ndërtohen shoqëritë demokratike.
Një gjyqësor i pavarur i trajton të gjithë qytetarët të barabartë përpara ligjit dhe kërkon që të gjithë qytetarët t'i binden ligjit. Asnjë institucion politik nuk mund të marrë përsipër apo të ndërhyjë në pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionet të cilat ai është modeluar që të kryejë.
Askush, absolutisht askush, nuk është përmbi ligjin", - u shpreh ambasadori amerikan. Në 10 vjetorin e krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit, dhe 61-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Uidhers theksoi se në Shqipëri duhet të garantohet pavarësia e institucioneve, qofshin këto qeveritare ose jo.
"Ndërsa jemi mbledhur sot, për të shënuar përvjetorë të tillë si ai i Deklaratës Universale dhe i Avokatit të Popullit, do të doja të përqendrohesha në një pikë të rëndësishme, në atë të pavarësisë së institucioneve, siç është Avokati i Popullit.
Nuk po flas këtu vetëm për Avokatin e Popullit, por për pavarësinë e të gjithë institucioneve, qofshin ato qeveritare, të lidhura me median apo OJF-të. Pavarësia e institucioneve të tilla si ajo e Avokatit të Popullit është kritike për zhvillimin demokratik dhe thelbësore për një shoqëri të shëndetshme", - theksoi ai.
Uidhers shtoi se plotësimi i këtyre kritereve për arritjen e pavarësisë së institucioneve, do ta drejtojë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Robert Bosh, i cili në harkun e 24 orëve i bën apel qeverisë shqiptare që të garantojë pavarësinë e institucioneve.
"Duhet të mbajmë parasysh të gjithë, se qeverisja e mirë do të thotë respekt për të drejtat e qytetarëve, do të thotë pavarësi e institucioneve, do të thotë gjykim të drejtë në sistemin gjyqësor, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe të gjitha këto mund të përmbushen vetëm nëse të tërë aktorët e përfshirë bëjnë punën e tyre", - nënvizoi Bosh.