E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike dhe vizat dominojnë takimet e Berishës me zyrtarët e lartë të Brukselit



Kriza politike në vend dhe dritëhijet mbi mundësinë e liberalizimit të vizave për shqiptarët brenda vitit 2010, ka dominuar takimet që kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje me zyrtarë të lartë në Bruksel. Situata politike, e cila duket se ka hyrë në një rrugë pa krye, ka qenë kryefjala e takimeve që shefi i qeverisë shqiptare ka zhvilluar me Presidentin e Komisionit Europian, Barroso, me Presidentin e Bashkimit Europian, Herman van Rompuy dhe me Presidentin e PE-së, Jerzi Busek. Në këto rrethana, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur i gatshëm që të bëjë lëshime në adresë të opozitës, por, po të analizohet konteksti i këtyre lëshimeve, vihet re se ato në thelb nuk kanë të bëjnë me shkaqet dhe arsyet e krizës politike, por me një anashkalim të saj. Kryeministri bëri të ditur se në diskutimet për situatën politike në vend me presidentin Barroso e ka siguruar këtë të fundit se ligjet dhe institucionet e vendit bëjnë plotësisht të mundur si respektin e plotë të Kushtetutës, ashtu dhe transparencën e plotë të çdo lloj dokumenti. “Në këtë kontekst, i shpreha zotit Barroso se dëshira e qeverisë është e plotë që të operojë në përputhje me këto dy parime”, - ka nënvizuar Berisha. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, diplomatët e lartë të Brukselit kanë bërë kujdes duke mos përcaktuar data kalendarike, por duke e lënë këtë çështje në varësi të analizës që ekspertët e KE-së do t’u bëjnë përgjigjeve të dhëna nga qeveria shqiptare në Pyetwsorin e bërë nga Bashkimi Europian. Edhe vetë kryeministri Berisha është shprehur i rezervuar në përcaktimin e një afati kalendarik për liberalizimin e vizave, duke u shprehur më shumë se në Bruksel ka një frymë pozitive, por një gjë e tillë do të kërkojë kohën vet, pasi, sipas tij, “vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët është në proces e sipër, sepse do të kalojë nga Komisioni në Këshillin e Ministrave, nga Këshilli i Ministrave në Parlament, pra ka procedurën e vet, por të gjitha këto procese janë një rrjedhje shumë normale”.
Lëshimet ndaj opozitës
Lidhur me krizën e rëndë politike në vend, në konferencën për shtyp me Presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, kryeministri Berisha u përpoq të artikulonte një qëndrim më të moderuar ndaj opozitës shqiptare, duke premtuar se është i gatshëm që të bëjë lëshime. Sipas tij, këto lëshime do të konsistojnë vetëm në kuadrin e reformës elektorale. “Do të bëjmë çdo përpjekje për të punuar së bashku me opozitën shqiptare. Jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha lëshimet në kuadrin e reformës zgjedhore”, - ka deklaruar Berisha. Ky qëndrim i tij, i cili në thelb nuk përbën ndonjë risi sa i përket kuadrit të zhvillimeve politike në vend, në fakt duket se nuk kuron shkaqet dhe arsyet që kanë çuar në lëngim të jetës parlamentare në vend. Këto lëshime jo vetëm që nuk përmbushin kërkesat e opozitës, por, nga ana tjetër, këto lëshime janë një lëvizje e detyruar për kreun e qeverisë, pasi ai dhe maxhoranca që ai drejton nuk mund të ecin asnjë milimetër sa i përket reformës elektorale pa praninë dhe votat e opozitës. Në politikën e Tiranës, ky qëndrim i shefit të qeverisë pritet të shihet më shumë si “një fjalë goje”, sesa një përpjekje për tw zgjidhur krizën e rëndë politike dhe marrwdhëniet tashmë të tendosura ashpërsisht mes pozitës dhe opozitës. Ndërkaq, Berisha ka deklaruar në prani të Presidentit të BE-së se qeveria që ai drejton do të bëjë më të mirën, do të ndërmarrë çdo reformë, do të miratojë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të ecw drejt integrimit në BE.
Nga ana e tij, presidentit Van Rrompuy ka ripërsëritur angazhimin e tij të fortë për perspektivën e integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidenti i BE-së ka bërë të qartë se Bashkimi Europian po i ndjek me interes dhe vëmendje të madhe zhvillimet politike në Shqipëri. Lidhur më çështjen e vizave, presidenti Herman van Rompuy nënvizoi se ka diskutuar shkurtimisht me kryeministrin Berisha, duke lënë të kuptohet se një përgjigje më e kthjellët për këtë çështje do të jepet pasi “Komisioni të bëjë një vlerësim të plotë dhe objektiv”.
Berisha – Busek
“Unë uroj sukses në bashkëpunimin politik në Shqipëri, si dhe i paraqes vendit tuaj urime për arritjet e deritanishme”, - i është drejtuar Buzek kreut të qeverisë shqiptare. Ndër të tjera, ka bërë me dijeni se duhet një komitet i veçantë, ekskluzivisht për këtë çështje, pasi Shqipëria ka një status të ndryshëm tani në lidhje me çështjen e vizave, i cili, sipas tij, e ndan atë nga Maqedonia dhe Kroacia, të cilat janë në një stad tjetër.
Më tej ai ka deklaruar se raportohet hov i ri mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë. “Që prej 20 vitesh, Parlamenti Europian ka qenë një tempull për shqiptarët që i ka ndihmuar ata në momentet më të vështira dhe një gjë të tillë po e tregon edhe tani, me një mbështetje të madhe për procesin e heqjes së vizave dhe integrimit me të drejta të plota në BE në tërësi”, - tha kryeministri Berisha.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›