Gordon: “Qeveria shqiptare ti japë fund ngërçit politik”
Komisioni i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë ka zhvilluar një seancë mbi Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua përparimi i bërë nga vendet e rajonit në drejtim të integrimit euroatlantik, si dhe sfidat me të cilat përballen këto vende.
Në lidhje me Shqipërinë, ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euro-Azisë, Filip Gordon, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht integrimin euroatlantik të vendit. "Megjithëse qeveria shqiptare duhet të punojë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe teksa shpresojmë më forcë t’i jepet fund ngërçit politik në Parlamentin e vendit, duhet ta theksoj se Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon. Ajo ka punuar shumë për pajtimin e komuniteteve serbe dhe shqiptare, ka ripërtëritur marrëdhëniet e nivelit të lartë me Serbinë dhe mbështet integrimin euroatlantik të Serbisë dhe Kosovës", - u shpreh Gordon. Në seancën dëgjimore, Gordon foli edhe për Kosovën, duke e cilësuar stabilitetin si një nga sfidat kryesore të shtetit të ri, së bashku me përpjekjet për integrimin e pakicës serbe.
16 Prill 2010