E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike jashtë pyetësorit të Shqipërisë për BE

Kriza politike, bojkoti 6-mujor i opozitës dhe debati për kutitë, nuk janë përfshirë në pyetësorin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Në një intervistë për Alsat, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, shprehet se Brukseli nuk mund të parashikonte trendin e një përplasjeje të pajustifikuar shkaktuar nga luhatjet e humorit të kreut të opozitës.

"Nuk mundet që në pyetsor të përfshihet trendi se cfarë do të ndodhte me Shqipërinë apo me krizën politike. Nuk do të thotë që Brukseli rinte me laps në dorë për të mbajtur shënim gjithë lëvizjet absurde të opozitës. Në 16 dhjetor, as Brukseli dhe as ne nuk e dinim sa do të zgjaste bojkoti. As Brukseli dhe as ne nuk e dinim që opozita herë do të hynte dhe herë do të dilte nga Parlamenti, as Brukseli dhe as ne nuk e dime sot e kësaj dite që opozita do të hyjë për të qëndruar në Parlament, apo do të hyjë vetëm për të folur për kutitë në Parlament, apo do të dalë nga Parlamenti. Nuk mund të kishte pyetje për një sjellje anormale, sepse dokumenti nuk pyet për parashikim", thotë për Alsat, Majlinda Bregu.

Megjithatë, kriza politike në Tiranë mund të vonojë përgjigjen, për proceset e mëtejshme, pavarësisht korrektësisë me të cilën i është përgjigjur 2284 pyetjeve të pyetësorit. Situata aktuale sipas ministres Bregu, nuk mund të quhet ideale.

"Sigurisht, nuk ishte ajo që duhej të ndodhte në këtë moment kur ne po plotësonim detyrimet tona zyrtarisht përballë Komisionit Evropian. Të mos kishim patur një situatë politike e cila lë mundësi për të kërkuar më tej përmirësim, ndërhyrje, zgjidhje të krizës. Pra, do të kishte qenë idealja që ne të kishim dëshmuar një, le të themi, mundësi dhe realitet bindshëm për Evropën. Njerëzit që janë angazhuar nuk janë pak por janë 1200, dhe nuk numëroj këtu nëpunësit e Ministrisë së Integrimit. Dhe sigurisht nuk është as për ta e ndershme, një punë në të cilën u ka marr orë dhe ditë të tëra më shumë se tre muaj rresht, të rrezikohet ose të ketë një vonesë në dhënien e mendimit për faktin se një opozitë e një lideri të papërgjegjshëm ka kryer një sjellje politike të papërgjegjshme për muaj me rradhë", vijon Bregu.

Pesë kapitujt e mbetur nga pyetësori do të miratohen nga këshilli ndërministror i integrimit në javën që vjen. Pjesa politike, ekonomike dhe drejtësia, janë të fundit që do të marrin "OK" nga kryeministri para përcjelljes drejt Brukselit.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e diel , 28 mars 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›