E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike në Maqedoni, Ivanov: Të zgjidhet me dialog

Partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI kanë preferuar heshtjen lidhur me projekt ligjin për ish pjesëtarët e forcave mbrojtëse të Maqedonisë, i cili shkaktoi krizën e thellë qeveritare. Nga BDI dhe VMRO-DPMNE nuk kanë bërë të ditur se në c`drejtim do të zhvillohen raportet mes tyre, por ajo që dihet është se asnjëra palë nuk e ka ndërmend të lëshojë pe.

Edhe pse BDI kundërshton ashpër miratimin e këtij ligji që garanton të drejta të veçanta për ish ushtarët dhe policët maqedonas të cilët luftuan në vitin 2001, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së e ka futur në procedurë parlamentare dhe rreth të njëjtit do të debatohet në Kuvend më 10 shtator. Nga ana tjetër presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, ka kërkuar që mosmarrëveshjet midis partnerëve të koalicionit qeverisës të zgjidhen përmes dialogut.

“Me siguri do të gjendet zgjidhje. Partnerët e koalicionit qeverisës nga gjithë kjo situatë do të marrin edhe mësim, mësim se si duhet të sillen të gjithë në mënyrë të përgjegjshme, që është në interes. Kushtetuta parasheh qartë se si merret vendimi për zgjedhje, kështu që nëse shumica në Kuvend e merr këtë vendim, ajo do të respektohet”-deklaroi presidenti i Maqedonisë.

Hetimet interne, të cilat i kërkoi presidenti Ivanov, i cili njëherësh është dhe komandant suprem, për rastin e nderimit të ish dëshmorëve të UCK-së në Sllupçan, treguan se Ushtria maqedonase nuk është e përfshirë fare në këtë rast, pasi sipas Ivanovit ata që nderuan të rënët e UCK-së, ishin të punësuar në kabinetin e ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi. Ivanov thotë se ata kanë keqpërdorur uniformën duke shkaktuar huti në opinion.

“Janë ngritur të gjitha aktivitetet procedurale dhe pritet të ndërmerren masa ndaj atyre personave, për shkak se është e paraparë saktësisht se kush mund të mbajë uniformë dhe kur ta mbajë atë, prandaj kjo ngjarje paraqet shkelje të të gjitha dispozitave dhe Shtatmadhoria do të kërkojë nga Ministria e Mbrojtjes ti ndëshkojë këta persona”- u shpreh Ivanov.

Vendosja e kurorave me lule në varrezat e dëshmorëve të UCK-së në fshatin Sllupçan nga ministri i Mbrojtjes nga radhët e BDI-së Fatmir Besimi dhe pjesëtarë të ushtrisë, ishte pikënisja e tensionimit të marrëdhënieve midis partnerëve të koalicionit qeverisës. VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit këtij veprimi iu kundërpërgjigj me projekt ligj për të drejta të posaçme për ish ushtarët dhe policët maqedonas të përfshirë në konfliktin e vitit 2001. Partia e Ahmetit kërcënoi atë të Gruevskit, se në rast të miratimit të këtij ligji, pa përfshirjen e UCK-së do ta braktisë Qeverinë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›