E Shtunë, 31 Tetor 2026

I hapet rruga pavarësisë së plotë, Komisioni përmbyll punën

Komisioni për Ndryshime Kushtetuese sot ka përfunduar punën e vet sa i përket ndryshimit dhe miratimit të amendamenteve në pakon kushtetuese dhe ligjore, ndryshime këto që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo i ka hapur rrugë sovranitetit të plotë të Kosovës. Kështu kanë pohuar para mediave anëtarët e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, pas takimit që kanë pasur lidhur me këtë çështje.
 

Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se Komisioni e ka kryer punën e vet në drejtim të ndryshimit dhe votimit të amendamenteve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai ka thënë se me këtë veprim të Komisionit i është hapur rruga sovranitetit të plotë të vendit.
 

“Komisioni për Ndryshime Kushtetuese sot ka përfunduar punën në pakon kushtetuese dhe ligjore për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ne njëzëri kemi votuar 22 amendamente me të cilat përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë dhe i hapet rruga sovranitetit të plotë Republikës së Kosovës. Kemi pasur vetëm një amendament të kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, ajo për të drejtat e refugjatëve dhe jemi marrë vesh që ai amendament të spostohet në kaptinën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut”, ka thënë ai.
 

Bajrami ka shtuar se kanë bërë amendamentin në propozimin e Qeverisë dhe kanë arritur një konsensus të plotë politik që ky ligj të procedohet në leximin e dytë, në mënyrë që ditën e premte të mbahet seanca ku do të miratohet projektligji për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ai ka shtuar se kjo po bëhet në mënyrë që deri më 10 shtator kur mbahet mbledhja e Grupin Drejtues Ndërkombëtar në Prishtinë, Kuvendi t`i përmbush të gjitha obligimet, që edhe formalisht Kosova të jetë shtet i plotë, sovran, pa mbikëqyrje ndërkombëtare.
Gjithashtu, edhe partitë opozitare e kanë përkrahur punën e Komisionit.
Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese nga radhët e LDK-së, ka thënë se Komisioni e ka bërë punën e vet dhe ka shtuar se si proces Kosova e ka arritur një sukses, ku si të tillë ajo ka thënë se do ta ketë përkrahjen e LDK-së.
 

“Komisioni e përmbylli punën e vet sa i përket miratimit të ndryshimeve të ligjeve dhe të pakos së amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Mendoj që si proces është një sukses i Kosovës, ku si i tillë ne si LDK do ta përkrahim. Natyrisht ka pasur amendamente që kemi propozuar dhe si të tilla do t`i përkrahim edhe në seancë dhe shpresoj se do ta marrin përkrahjen e deputetëve të tjerë”, ka thënë ajo.
 

Zëra pozitiv në këtë drejtim vijnë edhe nga drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ardian Gjini nga kjo parti, njëherësh anëtar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, edhe pse e ka quajtur si një proces shumë të mundimshëm, pohon se Kosova po e kryen obligimet e veta, edhe pse ka shumë sfida të ndryshme.
 

“Sot ka përfunduar kjo pjesë e punës së Komisionit për ndryshimet kushtetuese dhe për amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Ka qenë një punë e gjatë, një punë e lodhshme, me shumë mendime të ndryshme. Mendoj se Kosova po i përmbush obligimet e veta dhe shumë shpejt, pavarësisht sfidave që i ka në shumë aspekte, siç është sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik etj., në këtë aspekt të zhvillimit të vendit tonë në këtë proces të rëndësishëm, mendoj se do të dalim pozitivisht”, ka thënë ai.
 

Për më tepër, me 10 shtator pritet që Grupi Drejtues Ndërkombëtar ta mbajë një mbledhje në të cilën pritet t`i jepet drita jeshile sovranitetit të plotë të Kosovës.
Deri në atë kohë, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës i mbetet ende punë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›