Kriza prek edhe tregun e sigurimeve
Duket se kriza ka prekur edhe sektorin e sigurimeve në vend. Të dhënat e fundit në muajin janar tregojnë se, të ardhurat nga primet e sigurimit qenë rreth 634 milionë lekë, ose 5.33% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë muajit janar 2010, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 41309, duke shënuar një ulje prej rreth 25.08% krahasuar me muajin janar 2009. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 91.26% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.74%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 55% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 45% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Gjatë muajit janar 2010 është ndjerë dhe një ulje e primeve të shkruara bruto në sigurimin e detyrueshëm me rreth 19.51%, krahasuar me janar 2009. Sa i takon sigurimit të detyrueshëm, primet motorike arritën shifrën 286 milionë lekë, ose rreth 19.51% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar gjatë muajit janar 2010 pati një rritje prej 32.36% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 21.59% krahasuar me janar 2009.
#