E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në MALIN E ZI Në vendin e manastireve

Monika Shoshori Stafa

Reportazh

MONIKA SHOSHORI STAFA

Një rrëfenjë e mirënjohur malazeze bën fjalë për optimizmin e krajl Nikollës, mbretit të fundmë të Malit të Zi, para se të gëlltitej në Jugosllavinë e parë, brenda së cilës humbi dhe emrin: Sa të ketë bjeshkë dhe dhi, ky vend nuk do të mposhtet! Si të gjitha rrëfenjat, edhe ajo e krajl Nikollës, nuk ka pasur nevojë të argumentohet. Mali i Zi dhe Malet, siç quhej dikur në histori, rron prej maleve. Kjo të vjen në mendje duke përshkuar bregdetin e Malit të Zi, prej Ulqinit me emër ilir deri në Hercegnov me emër kelto-gjermanik (herceg në gjuhën e burimit do të thotë prijës, komandant), gjithnjë të shoqëron ky mendim.

Pse ky mit malesh në vendin që edhe emrin e ka të lidhur me malin, qoftë ky dhe një mal i zi, ndërkohë që bregdeti, Primorje, siç i thonë vendësit, me Sveti Stevan-in dhe me Boka Kotorska-n, mund të ishte mburrja e çdo vendi dhe populli. Në të vërtetë, duke shijuar valëvitjen e peizazhit, që të bën të mendosh se po të del si një shfaqje natyrore para teje, djallëzisht mund të të shkojë në mendje se ndoshta mali dhe deti këtu nuk janë parë dhe aq miqësisht me njëri-tjetrin. Lavdia e historisë, më shumë se shija e së bukurës, e ka zënë të parin vend në jetën e popullit. Dhe kjo vjen e të përforcohet duke pyetur vendësit se çfarë mitizon himni i këtij vendi, që është krijuar disa vite, diçka më shumë se një dekadë më parë. Ashtu si shqiptarët, ndoshta si në çdo popull tjetër, edhe malazezët ngatërrohen kur vjen puna për himnin. Prit: Oj svijetla majska zoro; Majko naa Crna Goro: O agim i ndritshëm i majit / Cerna Gora nëna jonë. Pastaj si vazhdon? pyet të bijën e zonja e shtëpisë ku jemi vendosur për të kaluar pushimet. Mua më pyet? Kur se di ti, si do ta mbaj mend unë? Ato këmbejnë jo fjalë, por vargje me njëra-tjetrën, derisa mua më duket se e kam gjetur çelësin e asaj që po kërkoj: Volimo vas, brda tvrda – të duam ty dhe malet e fortë, i thonë malazezët vendit të tyre. Dhe më tej vazhdon: Ne jemi bij të shkëmbinjve të tu. Duket sikur Primorje dhe Crna Gora janë dy gjëra gati të ndryshme. Malet mënjanë dhe bregdeti me bukurinë e vet mahnitëse në anën tjetër; krenaria e historisë që buçet brenda himnit dhe tërheqja e turistëve për vijën bregdetare.

Me Jetën e Mikelanxhelos e dy-tre libra të tjerë për mitologjitë e popujve të Europës në duar nisin pushimet e mia në vendin fqinj në veriperëndim. Natyra dhe historia të parakalojnë duke të sjellë ndërmend se ndoshta pikërisht kjo ka qenë zgjidhja më e drejtë: shpirti i Renesancës, fryma e krishterimit, vendi i manastireve, bregdeti që përthyhet me gjire dhe ishuj modestë në mënjanësinë e tyre, të presin gjithandej. Diku në të majtë është dhe manastiri i Rotacit, ku thuhet se është shtypur libri i parë shqip. Shumë manastire të të krishterëve romanë kanë vetëm emrat tashmë, qoftë në bregdet, qoftë në thellësi. Manastiret, kishat, katedralet e tyre ose janë rrënuar, ose janë kthyer në ritin pravosllav, siç ka ndodhur në Kosovë. Në atë Kosovë që Jugosllavia e dytë, një shtet ateist, megjithatë vendosi ta mbiquante Metohi që në gjuhën greke do të thotë manastir: tokë e manastireve. Në të vërtetë, Mali i Zi është një tokë manastiresh, në tokë dhe në det.

Librat për mitet më sjellin ndërmend fakte parahistorikë, që bëjnë fjalë për zanafillë popujsh, qytetesh, mjeshtërish. Prej Budvës deri në Cavtat sundon edhe sot miti i Cadmos-it, i cili konsiderohet prej shkencëtarëve si prius parens i ilirëve. Cadmos-i, njëri prej djemve të hyjneshës Europë, së bashku me gruan e vet, Harmonia, u dëbua prej Tebës dhe u vendos në këto anë. Nga dy djemtë e Harmonisë lindi qyteti i Durrësit, qytet me origjinë muzike, tingujsh jetëdhënës. Ilirët fili serpentis sunt, shkruante tre shekuj më parë Farlati, dhe gjarpri ishte totemi i tyre, gjarpri që vinte nga Cadmos-i rebelues ndaj hyjve më të lartë.

Mali i Zi është shteti më i vogël i Ballkaneve, dhe ti mund të mendosh se pas disa viteve me radhë që e viziton nuk ke çtë zbulosh më. Tekefundit, prej ishullit të Shën Jozefit në deltën e Bunës deri në Hercegnov nuk janë më shumë se 150 kilometra largësi. Qytetet e vjetra me emra ilirë, si Ulqini, Risani e Perasti; me emra latinë si Antibari (Tivari, Bari), Budva (Budua) e Kotorri, me sllavë e gjermanikë, ndjekin njëri-tjetrin si një rresht yjësish llamburitëse, që të shfaqen këndshëm kreu i të dytit pa mbaruar fundi i të parit. Nëse mendon se duke e lënë qytetin e Tivarit në jug për shkak të udhëtimit më në veri tani ske çpret më të papritur në natyrë e në kulturë, sigurisht se ky është gabim. Pikërisht atëherë kur të duket se, bashkë me bazilikën ilirike në qendër të qytetit dhe portin gjithë dinamizëm, vendos të lidhësh rripin duke menduar se do të udhëtosh gjatë, ja ku shfaqet tabela me emrin Olea europea, ulliri europian, që të orienton drejt një peme muzeore, e shpallur monument natyror nga UNESCO. Ky ulli ka mbi dymijë vjet që prodhon për njerëzinë. Asnjë fabrikë moderne nuk mund të krahasohet me të. Shqiptarët mburren duke thënë se ky ulli i ka parë dhe i ka njohur ilirët. Malazezët mjaftohen me biletën prej tre eurosh dhe me kujdesin që askush të mos hyjë brenda rrethit dhe të cenojë shëndetin e pemës së bekuar. Më tej vijnë Budva me fortesën veneciane dhe me rrugicat tipike perëndimore, ku njerëzit mund të shkëmbejnë gjërat që u duhen mbi kryet e udhëtarëve kalimtarë si në filmat neorealistë italianë. Dhe më tej Kotorri, një xhevahir i fshehur apo një dhunti e natyrës për të fshehur të rrezikuarit, siç pati ndodhur dy mijë vjet më parë me mbretëreshën ilire Teutë: mozaiku me portretin e saj, ku artisti nuk ka hezituar të spikasë jo aq skeptrin e një mbretëreshe, por bukurinë femërore, aq sa të të duket më shumë si Hypnosi, vëllai i ëndrrës, shpresës dhe dashurisë.

Kotorri gjithashtu është listuar në pasuritë natyrore dhe historike nën mbrojtjen e UNESCO-s: deti me gjiret e tij, që tani i lë mënjanë trageti; lashtësia me Risanin, Perastin e Cavtatin dhe mozaikët e kështjellat e tyre historike; njerëzit, me butësinë e tyre krejt të përkundërt me sa u thuhet nxënësve në librat shkollorë. Boka Kotorska është ndoshta pjesa e vetme e Bregdetit malazez, Primorjes, që vendësit e veçojnë me dashuri. Sepse atje ku nis ideja shtetërore malazeze, në lartësinë e njohur Loven, ku ndodhet mauzoleu i Njegoi-ëve, Boka Kotorsa shihet e admirohet si një diamant në trupin e tokës. Dhe kështu, siç thuhet në himnin malazez: nga Loven-i i djepit të mendimit malazias, bashkimi ynë merr krahë, lumenjtë tanë marrin udhë, për tu derdhur në dy dete dhe për ti thirrur oqeanit: Mali i Zi do rrojë përjetë: Dok lovenskoj naoj misli / Naa sloga daje krila /Rijeka e naih valvala Uskaui u dva mora / Glas nositi okeanu / Da je vjena Crna Gora! Kush di ta çmojë natyrën, me siguri u jep të drejtë vendësve që detin e shohin përmes Kotorrit: si një vëth diamanti që stolis trupin e imët të shtetit të tyre.

Por bregdeti malazez nuk është vetëm i kësaj ndërthurjeje prej labirinthi të tokës me detin. Gjithnjë kisha menduar se ishujt i takojnë më së shumti pjesës dinarike, përmbi Dubrovnik e lart. Mirëpo nëse bëhesh pak i vëmendshëm, atëherë afër e larg toka të shfaqet në formën e ishujve shkëmborë qysh në Ulqin, ku disa dhjetëra metra det, jo më shumë, ndajnë atë që quhet qyteti i vjetër, ku në të vër

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›