E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, qeveria rrit fshehtazi taksat

Disa vendime të kaluara pa zhurmë kanë shtuar ngarkesën fiskale për konsumatorët
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa nisma indirekte për të krijuar për vete hapësira për më shumë taksim apo gjoba të mbledhura nga shqiptarët, si një mënyrë për të përballuar pasojat negative të krizës, por dëshiron ta bëjë këtë me sa më pak zhurmë e pa shumë diskutime publike, bëhet e ditur nga ekspertë të fushës. Disa nga nismat për të rritur taksimin janë kryer përmes ligjeve të miratuara pa shumë debat në Parlament, ndërsa shumë të tjera, përmes akteve administrative, të cilat kanë rritur sasinë reale të taksave të paguara. Referencat doganore, referencat tatimore, shumëfishimi i gjobave administrative për kundërvajtje të vogla si shitje malli pa faturë fiskale, apo së fundmi, taksimi i kapitalit të kompanive dhe ndryshimi i skemave ligjore të amortizimit, kanë sjellë që të gjitha rritjen e taksave reale që do të paguajnë shqiptarët gjatë vitit 2010.
Kështu, shembulli më i dukshëm vjen nga doganat, të ardhurat e të cilave gjatë vitit 2009 teorikisht duhej të uleshin ndjeshëm si pasojë e rënies së njëkohshme të çmimeve dhe të sasisë së mallrave të importuara, por në fakt ato u rritën. Kështu. në vitin 2009, doganat arritën të arkëtonin 29.1 lekë taksa për çdo 100 lekë mall të importuara, ndërsa në vitin 2008, patën arkëtuar vetëm 27.2 lekë për çdo 100 lekë mall të importuar. Në të njëjtën kohë, tarifat doganore janë ulur më tej si pasojë e detyrimeve për integrimin europian. Kështu, taksa doganore mesatare në vitin 2008 qe 2.37 për qind dhe u ul më 2009-n në 2.08 për qind. Gjatë të gjithë vitit të kaluar, një numër i pafund kompanish biznesi u ankuan për zbatimin e referencave doganore në mënyrë arbitrare, por pa rezultat. Shumë biznese tregtare u ankuan për kontrolle dhe gjobitje të shumëfishta, ndërkohë që në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, qeveria njoftoi për të ardhura të jashtëzakonshme prej rreth 50 milionë eurosh nga gjobat. Pavarësisht të gjitha këtyre manovrave, gropa e financave publike nuk u arrit të mbyllej. Këtë fillimviti, qeveria ka ndërmarrë ndryshime të reja ligjore që pritet të rrisin taksat.
Ndryshon amortizimi
Sipas këtij vendimi, ndryshohet formula e llogaritjes së amortizimit vetëm për kostot e blerjes ose ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, të konstruksioneve dhe makinerive e pajisjeve me afat të gjatë shërbimi që amortizohen veçmas, në mënyrë lineare me 5%. Sipas kësaj formule amortizimi prej 5 për qind tani do të llogaritet mbi vleftën e mbetur të aktivit dhe jo mbi vleftën fillestare të tij (siç është aktualisht).
Në ndryshimin e formulës së llogaritjes së amortizimit për aktivet materiale me afat të gjatë shërbimi që amortizohen veçmas, në mënyrë lineare, me 5 për qind, përfshihen kryesisht ndërtesat. Sipas kësaj formule, amortizimi prej 5 për qind do të llogaritet çdo vit mbi vleftën e mbetur të aktivit dhe jo mbi vleftën fillestare të tij. Sipas ekspertëve, një gjë e tillë ul masën e shpenzimeve të njohura të biznesit, rrit fitimin fiskal dhe për rrjedhojë edhe tatimin mbi fitimin që shoqëritë duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.
Tatimi i kapitalit shtesë
Burime jozyrtare nga tatimet, thonë se skema e re e qeverisë për taksimin e kapitalit shtesë me burim të panjohur, është bërë thjesht për të taksuar këto para nën kërcënimin e përndjekjes ligjore. Parlamenti miratoi një ligj javën e kaluar, i cili takson kapitalin që kompanitë shtojnë me 10 për qind për të gjitha rastet kur nuk ka fatura fiskale që të tregojnë burimin e krijimit të këtij kapitali. Teorikisht, bizneset do të kenë mundësi ta shmangin këtë taksim, duke krijuar një kompani të re, por ekspertët e tatimeve thonë se poseduesit e parave me origjinë të panjohur do të parapëlqejnë të paguajnë tatimin e ri, sepse përndryshe, rrezikojnë të pyeten se ku i kanë fituar këto para. Në këtë mënyrë, autoritetet kanë në dorë një mekanizëm shumë efikas presioni, pasi kompanitë mund të përballen me sekuestrimin e kapitaleve pa burim në bazë të ligjit të ri kundër krimit të organizuar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›