E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biologjia 10, teksti shkollor i mbushur me gabime

Mësuesja Bode: Janë përsëritur kapituj nga klasa e 9-të dhe e 8-të
Teksti shkollor, “Biologjia 10”, nuk është përshtatur me programin mësimor të vitit të parë në gjimnaz. Ai është një përkthim besnik i versionit të tij nga italishtja dhe u është servirur nxënësve shqiptarë pa u përshtatur më parë për ta. është ky mendimi që vjen nga mësuesit e biologjisë në shkollat e mesme. Por ndërsa disa nga mësuesit e shkollave publike hezitojnë të komentojnë gabimet e vërejtura në këtë tekst, nuk mungojnë kritikat e hapura nga kolegët e tyre në shkollat private. Alma Bode, mësuese biologjie në një shkollë private në kryeqytet, tregon se pasi e ka studiuar me kujdes këtë tekst, që më pas t’ua shpjegojë edhe nxënësve të saj, ka hasur në një shumësi gabimesh jo thjesht ortografike, por kryesisht kuptimore, që lidhen me mungesën e njohjes së fushës. Sipas saj, përkthimi në shumë raste lë për të dëshiruar, ndonëse shkalla e vështirësisë së tekstit nuk është e lehtë. Kjo edhe për faktin se si shkencë ekzakte është e domosdoshme që nocionet, konceptet dhe formulimet të jepen në mënyrë të saktë dhe shkencore. Në të kundërt, pohon mësuesja Bode, nuk kemi të bëjmë më me një libër shkencor, për më tepër kur ky u serviret për studim nxënësve.
“Biologjia 10” është një nga katër tekstet shkollore, të cilat u konsideruan si sukses i Ministrisë së Arsimit gjatë periudhës kur në krye të saj qëndronte si titullar Fatos Beja. “Fizika”, “Kimia” dhe “Shkenca e Tokës” ishin tre tekstet e tjera që u kopjuan pa ndryshime nga kurrikula e disa shkollave europiane dhe u sollën me të njëjtën formë dhe përmbajtje për nxënësit shqiptarë. Për këto katër libra nuk ka pasur tekste të tjerë alternativë. Madje ato ishin të fundit që plotësuan paketën e teksteve shkollore për këtë vit mësimor. Por duket se në këtë proces nuk janë marrë parasysh programet mësimorë dhe ngarkesa që kanë nxënësit e shkollave tona në raport me ata të Europës Perëndimore.
Në këtë drejtim, ndonëse u fol për një kosto të ulët të këtyre teksteve, të cilat si cilësi botimi nuk kanë të sharë, në përmbajtjen e tyre ka gabime jo të vogla. Mësuesja e biologjisë, Alma Bode, shprehet se aty ka disa përsëritje kapitujsh që i përkasin biologjisë së klasës së nëntë, madje edhe të klasës së tetë. Ajo përmend kapitujt “Qeliza” dhe “Trashëgimia”, të cilët janë të shtjelluar më së miri në librin “Biologjia 9”, po kështu edhe kapitulli ku flitet për evolucionin është i shpjeguar gjerë e gjatë në librin “Biologjia 8”.
Po kështu, mjaft rezerva mësuesja e biologjisë shpreh edhe për përkthimin e termave. Ajo jep një shembull në tekst ku tregon se bakteret termofile përshkruhen si “dashurues të ngrohtësisë”, ndërkohë që vlerëson se ky nuk është një përcaktim shkencor, ndërsa shprehet se në gjuhën shqipe nuk mungojnë fjalët për ta përshkruar në mënyrë korrekte këtë veçori.
Ajo vijon më tej duke treguar një tjetër gabim në tekst, ku shkruhet se “kolesteroli përbën 20% të gjelinës”. Mësuesja shpjegon se fjala “gjelina” këtu është përdorur gabim dhe nuk ka lidhje me biologjinë. çdo mësues biologjie duhet t’u shpjegojë nxënësve se bëhet fjalë për mielinën. Për të ilustruar më tej gabimet me të cilat nxënësit e viteve të para të gjimnazeve hasen në këtë tekst, ajo tregon edhe përkthimin “qelizat e lëvores së trurit”. Për këtë ajo thotë se vetë nxënësit e saj e kanë kapur gabimin, duke ju referuar teksteve të viteve të mëparshme. Përkthimi i saktë, sipas saj, do të ishte cipë, ose membranë. Këto dhe shumë të tjera, janë gabime që vetë mësuesit janë të detyruar që t’i korrigjojnë gjatë çdo shpjegimi të mësimeve të reja të këtij libri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›