E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, tension në Gjermani, protesta kundër bankave

GJERMANI- Ditë tensioni në kryeqytetin financiar gjerman. Mijëra vetë kishin mbërritur nga e gjithë Europa për të protestuar kundër bankave dhe institucioneve financiare që shkaktuan krizën ekonomike. Mijëra vetë të lëvizjes antikapitaliste "Blockupy" bllokuan aksesin ndaj Bankës Qendrore Europiane në Frankfurt, për të protestuar kundër menaxhimit të krizës së borxhit në Europë.

Nën shi, manifestuesit u mblodhën përpara selisë së BQE-së, përfshirë edhe hyrjen e Deutsche Bank, në lagjen financiare të qytetit. Njerëzit u mblodhën që në orët e para të mëngjesit, në 5 e 30 një grup i vogël ishte në hyrje të qytetit dhe më pas u shndërrua në një turmë gjigande, që bllokoi të gjitha hyrjet e Bankës Qendrore Europiane.

Gjatë protestës ka patur edhe momente tensioni dhe konfrontim me forcat e rendit, pasi grupe të caktuara, sipas policisë, qëlluan me gurë. “Qëllimi ynë është bllokimi i veprimeve të Bankës Qendrore Europiane”- deklaroi një zëdhënës i lëvizjes Blockupy, e lindur pas Occupy Wall Street në vitin 2011.

Ndërkohë autoritetet thanë se shumë punonjës që ishin nisur për në vendet e tyre të punës në këtë bankë, janë kthyer mbrapsht. Ndërsa vetë BQE ka deklaruar se po merr të gjitha masat për të garantuar sigurinë e stafit të vet. Blockupy ka bërë thirrje për dy ditë protesta kundër asaj qe e quan politika e varfërisë së qeverisë gjermane dhe të ashtuquajturës trojka, BQE, KE dhe FMN, që mbikëqyr ndihmën financiare për vendet e Eurozonës që janë zhytur në borxhe.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›