E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ushqimore dhe varferia qeverisese

Njerëzit e uritur janë dhe agresivë dhe mund të rrisin trazirat politike, paralajmërojnë drejtues të programeve botërore të reduktimit të varfërisë. Politikanët po u tremben përmasave të krizës ushqimore që mund të shkaktojë tronditje të rënda shoqërore e politike. FMN dhe BB ndjejnë shqetësimin që kjo krizë e rëndë ushqimore mund të djegë disa nga arritjet e deritanishme në luftën disavjeçare kundër varfërisë. Për një botë pa varfëri- është logoja/misioni i Bankës Botërore, institucionit ndërkombëtar më të madh për politikat e zhvillimit.

Përgjysmim të varfërisë deri në vitin 2015, synonin Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit të Kombeve të Bashkuara. Kjo ishte iniciativa më e madhe ekonomike e Kombeve të Bashkuara në vitin 2000, e mbështetur në rekomandimet e ekspertëve më të mirë të ekonomisë në botë, drejtuar nga Jeffrey Sachs. Objektivat e vitit 2015 duket se ishin kompromentuar edhe nga mosplotësimi i ndihmës së nevojshme financiare, që premtuan shtetet më të zhvilluara të botës. Pikërisht në debatin e rrezikut për dështimin e realizimit të këtyre objektivave, kriza e re ushqimore jo vetëm i rrezikon arritjet e deritanishme, por mund ta përkeqësojë varfërinë në këto rajone.

Katër janë faktorët dominues të krizës së ushqimit, e cilësuar si një cunam i heshtur. Vendin kryesor e zë rritja e konsiderueshme e kërkesës nga vendet në zhvillim. Rreth 400 milionë vetë i kanë shpëtuar varfërisë ekstreme dhe paraqiten si konsumatorë me kërkesa në rritje për ushqim. Si faktor të dytë përmendim politikat subvencionuese për biokarburante, që kanë shkurtuar me miliona hektarë prodhimin e drithërave për konsum ushqimor, duke i përdorur për të prodhuar lëndë të parë për prodhimin e biokarburanteve. Ekspertë të ushqimit reagojnë ashpër ndaj keqpërdorimit të taksave për të lehtësuar sfidat e makinave të të pasurve në kurriz të rritjes së varfërisë ushqimore. "Krim kundër njerëzimit" e kanë cilësuar këtë politikë subvencionuese ekspertë botërorë në fushën e ushqimit.

Faktori i tretë është efekti negativ i fatkeqësive natyrore. Rritja e temperaturave ka ndikuar negativisht në rendimentin e kulturave bujqësore, fatkeqësitë natyrore në trajtë përmbytje dhe thatësirë janë bërë më të shpeshta dhe më shkatërruese. Faktori i katërt vlerësohet manipulimi i ofertës dhe kërkesës në treg. Bota ka një fluks të lartë likuiditetesh. Mundësia për të ndërhyrë në blerjen e sasive të mëdha dhe deformimin e raporteve kërkesë-ofertë për fitime të mëdha, është rritur ndjeshëm.

Faktor vendimtar është rritja e kërkesës nga konsumatorët e rinj, faktor që do të veprojë si një trend i përhershëm. Ky faktor, nga njëra anë është rezultat i luftës kundër varfërisë dhe nga ana tjetër, ka përshpejtuar një krizë më të rëndë varfërie, në kushtet kur nuk është shoqëruar me politika të suksesshme të rritjes së prodhimit. Këtë faktor mban parasysh edhe konkluzioni i ekspertëve të revistës "The Economist", kur konkludon se koha e çmimeve të lira të ushqimit ka përfunduar. Qeveritë duhet të rishikojnë politikat subvencionuese për biokarburantet, që ato të mos cenojnë sigurinë ushqimore. Qeveritë mund të imponojnë rregulla shtesë të transparencës së funksionimit të bursave të mallrave dhe reduktimin e impakteve manipuluese të këtyre tregjeve. Janë shumë institucione e qindra ekspertë të përfshirë në analizën e situatës, identifikimin e faktorëve të krizës ushqimore dhe konturimin e politikave më të mira, që e ndalin dhe minimizojnë këtë krizë vrastare.

Theksohet fakti që strategjia e përballimit të krizës duhet të jetë sa më reale dhe duhet të jetë vendore, receta të gatshme ndërkombëtare nuk rekomandohen. Në aspektin afatshkurtër duhet të ndërtohen skema funksionale dhe kredibile të pagesave të drejtpërdrejta ndaj familjeve më të varfra. Premtimet populiste për indeksim në rritje të pagave, vetëm e rrisin impaktin negativ të spirales: paga, çmime - inflacion. Çdo skemë financiare që tenton të rrisë pagat dhe pensionet më shumë se inflacioni mund sjellë në fakt më shumë inflacion. Për ironi, shtresat më të varfra që duhet të ishin përfituesit e parë dhe kryesore të çdo skeme kompensimi, do të goditeshin më rëndë. Kriza ushqimore me miliona njerëz në kufijtë kritike të mbijetesës, me panikun e mbijetesës, rrezikon të rrisë ndjeshëm pasojat negative ekonomike dhe sociale.

Politikat e shtrënguara monetare dhe fiskale nuk duhet të jenë qëllim në vetvete, por mundësi për të krijuar kohën e nevojshme të qartësimit dhe funksionimin e strategjive afatgjata. Vendosja e kontrollit te çmimeve për disa mallra, kufizimi i eksporteve, vendosja e taksave për mallrat e eksporteve për të ruajtur tregun e brendshëm, heqja e taksave të importeve për mallrat me sensitive, në kushtet e kredibilitetit të cënuar të disa qeverive, janë akoma më të limituara në impaktin e tyre. Politikat ekonomike që rrisin ofertën e mallrave, heqja e barrierave të tregtisë, reduktimi i konkurrencës abuzive nga vendet më të zhvilluara, do të përbëjnë thelbin e strategjive afatgjata. Solidariteti për të ndihmuar në fondet e emergjencës për vende në krizë të rëndë, vetëm mund të lehtësojë dhimbjet e kësaj krize por nuk e shëron dot atë. Vonesat e bëjnë më të dhimbshme.

Çdo populizëm në politikat fiskale për politikat sociale për të gjithë, jo vetëm që nuk e lehtëson krizën ushqimore, por mund ta bëjë atë më të rëndë. Por, edhe duart magjike të fshehura të ekonomisë së tregut të lirë nuk mjaftojnë për të eliminuar këto kriza. Goditjet e jashtme në ekonomitë e vendeve tona që bëhen gjithnjë e më të hapura dhe gjithnjë e më të ndërvarura mund te bëhen më të shpeshta dhe të rënda. Kjo krizë tregoi së qeverisja ne tërësinë e saj ka qenë e varfër në parandalimin e krizës, ka qenë e varfër në strategjitë afatgjata, por edhe në politikat e instrumentët afatshkurtër. Rritja e varfërisë, dështimi i sfidave të reduktimit dhe eliminimit te saj do të jenë dëshmia më akuzuese e varfërisë qeverisëse, në çdo nivel të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›