E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat dhe tjetërsimi i qytetarit nga politika

Grid Rroji

Përfundimi i grevës së urisë së socialistëve duket sikur e ka qetësuar skenën politike shqiptare. Megjithatë, ashtu siç theksonte analisti Bushati, në një artikull para disa ditësh, asnjëra nga palët nuk ka shkak për t'u qetësuar. Kjo sepse ngërçi politik i muajve të fundit krijon ndjesinë se përplasjet brenda sistemit politik nuk janë në funksion të rritjes së mirëqenies së publikut. Me pak fjalë, sistemi nuk është i ndërtuar për t'i shërbyer konsolidimit të shtetit dhe interesave të qytetarëve, por nevojave të aktorëve të tanishëm politikë. Nevoja e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, për të ndërmjetësuar midis palëve, tregon për papjekurinë e sistemit dhe paaftësinë politike të palëve për t'i shërbyer qëndrueshmërisë politike afatgjatë. Pra, forcat politike po kontribuojnë në bërjen e legjitimitetit të tyre duke ngushtuar hapësirat politike dhe duke tjetërsuar qytetarin, në vend që t'i ofrojnë atij zgjidhje për problemet që ekzistojnë.
Kriza që kulmoi me grevën e urisë nuk përbën ndonjë risi në historinë e shkurtër të demokracisë në Shqipëri. Megjithatë, arsyeja për të cilën u konsumua kjo përballje midis palëve, këtë herë ishte e një rëndësie të veçantë sepse kishte të bënte me fibrën përbërëse të demokracisë, vërtetësinë e rezultateve zgjedhore. Megjithëse zgjidhja është ende në varësi të rezultatit që do të dalë nga ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar, ka vend për disa përfundime që rrjedhin nga mënyra se si u zhvillua dhe u fashit kriza.
Për opozitën, dalja nga greva pa siguruar de facto asnjë nga objektivat afat - si rishqyrtimi i votave apo alternativisht largimi i Qeverisë si faktor pengues për transparencën- përforcon dyshimin se greva nuk mbështetej në ideologji qeverisëse alternative, por shërbeu si mjet trysnie politike. Mirëpo, humbja më e madhe e opozitës nuk ishte tërheqja nga synimet e deklaruara në foltoret e grevës, por humbja e legjitimitetit në sytë e qytetarëve si përçuese e problemeve të tyre. Një pakicë parlamentare efektive do të duhej të paraqiste alternativa ndaj politikave të shumicës, ndër të cilat përfshihet padyshim edhe transparenca e zgjedhjeve. Por, duke u lëkundur herë në favor të revolucionit paqësor (që nënkuptonte mosnjohjen e rezultatit) e herë në favor të ndryshimeve brenda sistemit (transparenca si masë paraprirëse për të garantuar zgjedhjet e ardhshme), socialistët nuk arritën të krijojnë besueshmëri politike. Për rrjedhojë, greva e tyre ndonëse arriti objektivat e ngushta të udhëheqësit socialist, i.e. konsolidimi i kontrollit të partisë nëpërmjet promovimit të figurave të reja, të cilat e mbështesin pa kufi linjën e tij politike, duket se nuk e ka ngritur profilin e opozitës. Përkundrazi, kjo lloj sjelljeje politike krijoi përshtypjen se përplasja ishte një çështje midis palëve e për rrjedhojë u lexua nga shumë qytetarë si manovër politike. Kjo do të shpjegonte edhe apatinë relative të tyre ndaj protestave, edhe pse në Shqipëri nuk mungojnë problemet. Në këtë pikëvështrim, ka gjasa që opozita ja ka ngushtuar vetes hapësirën për të bërë thirrje për protesta masive, për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në të ardhmen.
Nga ana tjetër, fitorja e mundshme e argumentit të shumicës nuk përparon ndonjë vizion për Shqipërinë e të ardhmes, por vetëm i siguron asaj vazhdimësinë e pushtetit. Përkundrazi, përqendrimi i forcës politike për të ruajtur pushtetin dëmton imazhin e shumicës si forcë qeverisëse që punon. Ka disa arsye që të çojnë në këtë përfundim. Së pari, pozicionimi i ngurtë për të mos cënuar ligjin, por edhe për të mos lejuar në asnjë mënyrë hapjen e kutive, krijon perceptimin se shumica ka diçka për të fshehur. Ligji elektoral u votua nga shumica dhe pakica së bashku. Nëse ky ligj ka brenda mekanizma që lejojnë mosbërjen publike të ndonjë defekti të mundshëm, shumica mban përgjegjësi politike për këtë. Pavarësisht se pozicionimi i saj u pranua pjesërisht edhe nga faktori ndërkombëtar, mos-hapja e kutive ja bren de facto legjitimitetin shumicës. Së dyti, e gjithë përpjekja për të mos hapur kutitë, duke ju referuar cënimit të ligjit, nuk duket se i shërben ndonjë vizioni më të gjerë të shumicës për demokracinë, por perceptohet si kusht për mbajtjen e pushtetit. Në fakt, sipas deklaratave të Kryeministrit, shumica është e gatshme të pranojë çdo kompromis përveç cënimit të ligjit zgjedhor dhe vendimeve të gjykatave mbi zgjedhjet, të cilat janë bashkëkordinuar me socialistët. Pra, shumica është gati të bëjë marrëveshje politike me pakicën për çdo çështje, e cila nuk ka të bëjë me pushtetin e saj aktual. Së treti, megjithë përpjekjen për të përçuar imazhin e normalitetit dhe liberalizimit të vizave- i cili mbetet në varësi të plotësimit të disa kushteve të arritshme, po ende jo të plotësuara-energjitë politike të shpenzuara për të kundërpeshuar veprimin politik të opozitës logjikisht kanë pakësuar angazhimin e shumicës ndaj projekteve qeverisëse. Duhet marrë parasysh këtu që koalicioni i tanishëm qeverisës paraqet dinamika të ndryshme nga ato të katër viteve të kaluara, dukeqenëse LSI kërkon me ngulm të ravijëzojë një profil politik të qëndrueshëm brenda shumicës së djathtë. Së katërti, por jo më pak e rëndësishme, shumica po përballet me një mjedis ekonomik në degradim. Kriza e euros, sipas shumë ekspertëve ndërkombëtarë, nxjerr në pah dobësitë strukturore të sistemit të përbashkët evropian, duke i vendosur vende financiarisht të stabilizuar, si Gjermania apo edhe Franca, në pozitat e financuesit të borxheve të brendshme të vendeve me deficit galopant si Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja e deri edhe Italia. Ashtu siç kanë theksuar edhe organizatat financiare ndërkombëtare, Shqipëria rrezikohet shumë nga thellimi i kësaj krize europiane. Pra, qeveria nuk mund të zgjidhë problemet e të tashmes duke ricikluar mediatikisht arritjet e katërvjeçarit të parë sepse kriza ekonomike është reale dhe kërkon vëmendje maksimale.
Tash, pas gjithë kësaj zhurme, pyetja që shtrohet për qytetarin është: për çfarë shërbeu kriza? E gjithë kjo gjullurdi politike tingëllon surreale për qytetarët, të cilët e vëzhguan grevën më tepër si ngjarje a la Big Brother, sesa me interes të mirëfilltë politik. Kjo për arsyen e shprehur më sipër, se në këtë përballje nuk u ndeshën vizione të ndryshme politike mbi shtetin dhe qeverisjen, po opsione taktike të palëve, të cilat i shërbenin interesave të tyre për pushtet e jo interesit afatgjatë të shqiptarëve. Për shembull, megjithëse tejdukshmëria zgjedhore dhe respekti ndaj ligjit dominuan debatin publik gjatë krizës, perceptimi publik është që këto koncepte përdoren prej palëve si mjet për qëllime të ngushta politike. Kësisoj, çdo lloj marrëveshjeje që mund të arrihet me ndërmjetësimin e BE-së pothuajse garanton që këto dy probleme nuk do të zgjidhen, por do të vazhdojnë të infektojnë debatin publik deri në krizën tjetër.
Për rrjedhojë, qytetarët e ndjejnë veten të lënë jashtë debatit, edhe pse të dyja palët tentojnë t'i manipulojnë me anë të instrumenteve mediatikë. Ky çinteresim i politikës për çështjet që prekin jetën e përditshme të qytetarëve ua ngushton atyre hapësirat për të marrë pjesë në sistem. Nga ana tjetër, kjo lloj përballjeje politike ua heq palëve politike shtysën për të kërkuar miratimin e qytetarëve, dhe i bën peng të grupeve mbështetëse të interesit, të cilat Bruce Bueno de Mesquita i quan "shumica përcaktuese brenda sistemit". Këto grupe i sigurojnë pushtetin palëve, në këmbim të politikave të favorshme për interesat e tyre. Por mbështetja e tyre gjithashtu ngushton hapësirën për një thelë të madhe të shoqërisë, e cila mbetet e tjetërsuar nga politika. Kjo e bën sistemin në thelb të paqëndrueshëm.
Si përfundim, sfida kryesore e politikës shqiptare sot është tjetërsimi i qytetarëve dhe interesave të tyre nga sistemi politik. Në se nuk ndërgjegjësohet për efektet që shkakton ky hendek midis politikës dhe qytetarit, sistemit shumë shpejt do t'i duhet të përballet me kriza legjitimiteti, të cilat zor se mund të zgjidhen me darka mondane në Strasburg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›