BE, marrëveshje për emigrantët e paligjshëm
Pas vitesh mosmarrëveshjeje, Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje mbi burgosjen dhe deportimin e emigrantëve ilegalë. "Ne kemi 10-12 milionë persona ilegalë në BE...ata janë skllevër modernë", tha eurodeputeti gjerman Manfred Ueber, që e cilësoi marrëveshjen një arritje të madhe. Ai tha se do të kishte një kufi gjashtëmujor burgimi për pjesën më të madhe të njerëzve dhe një marrëveshje ripranimi do të nënshkruhet para se ata të dërgohen në shtëpi. Një vendim përfundimtar do të merret tani nga eurodeputetët dhe vendet anëtare të BE-së. Marrëveshja u rinxor në dritë nga Presidenca sllovene e BE-së dhe disa prej anëtarëve të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, por ajo kundërshtohet gjithsesi nga disa eurodeputetë. Grupi socialist ka refuzuar të japë pëlqimin e tij për marrëveshjen, duke thënë se kundërshton disa prej kushteve. "Ne kemi rezerva në lidhje me një numër aspektesh të tekstit, në veçanti për kohën gjatë së cilës emigrantët mund të mbahen në qendrat e burgimit", tha eurodeputeti francez, Martin Roure, që mori pjesë në bisedimet e zhvilluara në Strasburg. Franca aktualisht ka në fuqi një periudhë maksimale prej 30 ditësh në burg për emigrantët e paligjshëm, ndërkohë që vende të tjera si Malta, aplikojnë një maksimum prej 18 muajsh. Britania e Madhe ndërkohë nuk ka asnjë limit. Në vend të kufirit gjashtëmujor të burgimit, me mundësi për zgjatjen edhe me një vit tjetër për raste të jashtëzakonshme, socialistët besojnë se duhet të ketë një limit më të ulët me një maksimum absolut prej gjashtë muajsh. Por, eurodeputetja liberale nga Holanda, Zhanin Henis-Plaskaert, thotë se pavarësisht nga fakti që marrëveshja nuk ishte e përsosur, ajo përbënte një hap përpara. "Socialistët po veprojnë me një papërgjegjshmëri të madhe politike dhe janë plotësisht të pamatur", tha ajo. Eurodeputetja britanike e të gjelbërve, Zhan Lambert, tha se vështirësia për disa eurodeputetë francezë ishte se ndërsa disa vende duhet të reduktonin limitin e tyre për mbajtjen e emigrantëve në burg, Franca duhet të rriste ndjeshëm të vetin. Ndërkohë, sipas saj, të gjelbërit ka shumë gjasa të votojnë kundër për shkak të disa masave të parashikuara në marrëveshje. "Nëse je i martuar me një qytetar britanik, nuk ke të drejtë të qëndrosh në Britani dhe detyrohesh të largohesh. Si pasojë mund ta gjesh veten jashtë kufijve të këtij vendi për pesë vjet", thotë ajo. Socialistët janë gjithashtu të shqetësuar për trajtimin e fëmijëve të pashoqëruar. Por Martin Ueber, raportues i Parlamentit Evropian në lidhje me kthimin e emigrantëve të paligjshëm, tha se shërbimet sociale do të ishin përgjegjëse për kthimin e fëmijëve në vend të autoriteteve të zakonshme. Vështirësitë e emigrantëve të paligjshëm janë bërë një çështje e rëndësishme debati në një numër vendesh anëtare të BE-së. Në Gjermani, mbrojtësit e të drejtave të emigrantëve ankohen se nëse një emigrant i paligjshëm shkon në një spital për t‘u trajtuar, mjekët janë të detyruar të informojnë autoritetet. Kjo, thotë Ueber, çon në një situatë në të cilën shumëkush nuk kërkon trajtim mjekësor. Në fillim të këtij muaji, në Francë, një emigrant nga Mali, Baba Traore, vdiq pasi ishte hedhur në lumin Marne ndërsa përpiqej t‘i shpëtonte policisë që po e ndiqte në lindje të Parisit. Ai u hodh në lumë kur policët e pyetën për emrin dhe i kërkuan dokumentet e identifikimit. Protestuesit pas kësaj dolën nëpër rrugë, në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve dhe kërkuan mbylljen e qendrave të burgimit. Qeveria franceze që merr Presidencën e radhës së BE-së në korrik, e ka bërë arritjen e një pakti evropian për emigrantët, një prioritet. Zhanin Henis-Plaskaert tha se marrëveshja e re do të thotë se do të ketë tani një politikë efektive rikthimi në BE, që deri më tani, nuk është zbatuar ndonjëherë. "Nëse duam të dalim me një paketë të plotë dhe të arsyeshme për emigracionin, nuk mund të injorohet se duhet të luftojmë problemet e emigracionit të paligjshëm", tha ajo.