E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat financiare që tronditën SHBA

Nervozizmi aktual i tregjeve e ka bazën te çrregullimet e tregut botëror të kredive. Shqetësimet për vlefshmërinë e kredive të dorës së dytë janë përhapur në të gjithë sistemin financiar dhe bankat qendrore janë detyruar që të bëjnë furnizime të mëdha prej miliarda dollarësh për bankat e niveleve të dyta. Sigurisht që kjo nuk është hera e parë që era e krizës fryn në ekonominë botërore. Po cilat kanë qenë krizat e mëparshme financiare dhe cilat janë mësimet e nxjerra prej tyre?

Disa nga mësimet kryesore të situatave të krizave të mëparshme janë: globalizmi e ka shtuar frekuencën dhe shpeshtinë e krizave financiare, por jo domosdoshmërisht edhe ashpërsinë e tyre. Ndërhyrja e hershme e bankave qendrore është shumë më efektive në kufizimin e përhapjes së tyre, sesa lëvizjet që ndërmerren më vonë. Në kohën kur ndodh një krizë ekonomike, është shumë e vështirë që të parashikohet efekti afatgjatë ekonomik. Shpesh rregullatorët ekonomikë nuk mund të ndjekin dot hapin e risive financiare dhe kjo mund të shkaktojë kriza.

Kriza Dot.com e vitit 2000

Nga fundi i viteve ‘90, tregjet e aksioneve u mashtruan nga rritja e madhe e kompanive të internetit të tilla si “Amazon” apo AOL, të cilat u duk se sollën një epokë të re për ekonominë. Aksionet e tyre kapën shifra të larta kur u listuan në bursë, pavarësisht faktit se vetëm pak prej tyre kishin një xhiro vjetore të konsiderueshme. Kulmi arriti kur kompania e internetit AOL (America on Line) bleu kompaninë mediatike “Time Warner” në janar të vitit 2000 për 200 miliardë dollarë. Por në mars të po atij viti, “flluska” shpërtheu dhe indeksi Nasdaq ra me 78% në muajin tetor të 2002. Kriza pati ndikim afatgjatë dhe në shkallë të gjerë me investimet e biznesit që pësuan rënie dhe ekonominë amerikane që shënoi shifra më të ulëta, një proces ky që u nxit edhe nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, të cilat çuan në një mbyllje të përkohshme të tregjeve financiare. Por “Federal Reserve”, banka qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uli përqindjet e interesit në vitin 2001, duke i ulur gradualisht ato nga 6.25% në 1%.

Menaxhimi afatgjatë i kapitalit 1998

Kolapsi i fondit të investimeve Tregu Afatgjatë i Kapitalit (LTMC) ndodhi gjatë fazës përfundimtare të krizës financiare botërore që nisi në Azi në vitin 1997 dhe u përhap në Rusi dhe në Brazil në vitin 1998. LTMC ishte një fond investimesh i themeluar nga nobelisti Myron Scholes dhe Robert Merton. Të dy ishin profesorë dhe ekspertë ekonomie dhe besonin se në një afat të gjatë kohor, përqindjet e interesit të obligacioneve të qeverive të ndryshme do të ishin shumë fitimprurëse. Gjërat shkuan mirë fillimisht, por kur në vitin 1998 Rusia nuk u tregua korrekte me pagesën e vet, gjërat nisën të pësonin çarje dhe përqindjet e interesit u rritën. LTMC, që kishte marrë borxh një shumë të madhe parash nga kompanitë e tjera, ishte në prag të humbjes së miliarda dollarëve dhe për të bërë likuidimet e duhura dhe në afatin e duhur i duhej që bonot e thesarit amerikan, duke e zhytur tregun amerikan të kredive në një kaos dhe duke shkaktuar si pasojë rritje të përqindjeve të interesit. Në një situatë të tillë, “Fed” vendosi që të ndërhynte për të ndrequr situatën. Banka Qendrore bëri bashkë disa banka amerikane që jepnin hua, të cilat u ftuan që të investonin në fondin në fjalë. Ato derdhën 3.65 miliardë dollarë për të shpëtuar firmën nga kolapsi i rëndë. Vetë “Fed” nga ana tjetër bëri një ndërhyrje në normat e interesit në vitin 1998 dhe tregjet iu rikthyen stabilitetit. Sa për fondin LTMC ai e likuidoi veten në vitin 2000.

Kriza e vitit 1987

Tregu amerikan i aksioneve e humbi një ditë vjeshte qetësinë që kishte fituar me mund dhe e kishte ruajtur që prej një kohe të gjatë, pikërisht më 19 tetor të vitit 1987, kur indeksi Dow Jones ra me 22% dhe si pasojë u shënuan rënie edhe në tregjet europiane dhe japoneze. Humbjet u shkaktuan edhe nga një ide që u shpërnda në rrethet e ngushta financiare, se tregu po dominohej nga para të marra borxh dhe se ekonomia amerikane, ndryshe nga sa mendohej, po hynte në një periudhë rënieje. Frika u shtua kur edhe Gjermania nisi të rriste përqindjet e interesit, duke rritur kështu edhe vlerën e monedhës së saj, markës. Këto rrethana bënë që “Fed” dhe banka të tjera qendrore të ulnin përqindjet e interesit në mënyrë drastike. Krisa ekonomike në pamje të parë dukej të kishte pak efekte ekonomike të drejtpërdrejta, por ulja e përqindjes së interesit, veçanërisht në Britaninë e Madhe, mund të ketë kontribuar në krizën e tregut të pasurive të paluajtshme të viteve 1988-‘89. Një tjetër tregues i krizës ishte edhe fakti se tashmë tregjet botërore nuk ishin më të pavarura, por të lidhura ngushtë njëri me tjetrin dhe ndryshimet në politikën e një tregu financiar kishin pashmangshmërisht ndikime në një treg tjetër.

Skandali i kredive dhe llogarive të kursimit në SHBA, 1985

Institucionet e kursimit dhe të kredidhënies në Amerikë ishin bankat lokale, të cilat merreshin kryesisht me kredidhënie për blerje shtëpish dhe mbajtje depozitash nga investitorë të ndryshëm. Sipas rregullores financiare të vitit 1990, këto banka lejoheshin që të përfshiheshin në aktivitetet më komplekse se ato të mësipërmet dhe kjo bëri që në shumë raste ato të përfshiheshin në transaksione të pasigurta, që sollën probleme të mëdha. Kështu, në vitin 1995, shumë institucione dhe banka të vogla falimentuan duke shkaktuar trazira të mëdha në tregjet financiare dhe duke e shtrënguar edhe këtë herë “Fed”-in që të ndërhynte për t’i shpëtuar.

Kriza e vitit 1929

Kriza e “Wall Street” në vitin 1929, ose siç njihet ndryshe, “E enjtja e zezë”, ishte një ngjarje që shkaktoi kolapsin e ekonomisë amerikane dhe asaj botërore, duke i hapur rrugën Depresionit të Madh të vitit 1930. Pas një rritjeje spekulative të ekonomisë në fund të viteve ‘20, bazuar kryesisht në rritjen e industrive të reja të tilla si transmetimet radiofonike dhe prodhimi i makinave, aksionet ranë me 13% të enjten më 24 tetor. Pavarësisht përpjekjeve nga autoritetet për të stabilizuar tregun, aksionet ranë edhe me 1% më shumë të martën pasuese, më 29 tetor. Në atë kohë, tregjet thuajse u dërmuan dhe u deshën plot 25 vjet para se Dow Jones të merrte veten dhe të shkonte në nivelin që kishte pasur para krizës në vitin 1929. Efekti i krisës në ekonominë e vendit ishte i rëndë dhe humbjen më të madhe e pati shtresa e mesme. Ata hoqën dorë nga blerja e mallrave të tilla si automjetet dhe shtëpitë, ndërkohë që shumë biznese falimentuan. Në vitin 1932, ekonomia amerikane kishte pësuar një rënie prej 50% dhe një e treta e forcës punëtore ishte e papunë. Shumë ekonomistë majtas dhe djathtas fajësuan autoritetet kompetente financiare për mosndërhyrjen në një situatë të tillë. Banka Qendrore Amerikane rriti përqindjet e interesit për të mbrojtur vlerën e dollarit dhe ruajtur standardin e arit, ndërkohë që qeveria amerikane rriti tarifat dhe shtoi buxhetin. Masat e të ashtuquajturi “New Deal” shënuan disa nga problemet më të mëdha të Depresionit, por ekonomia amerikane nuk e mori veten plotësisht deri në Luftën III Botërore, gjatë së cilës shpenzimet e mëdha ushtarake eliminuan papunësinë dhe shtuan rritjen e ekonomisë. “New Deal” futi edhe rregulla të reja në tregjet financiare dhe sistemin bankar përmes krijimit të Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimeve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›