Kur mamatë kopjojnë vajzat
Mikesha, bashkëpunëtore, thuajse motra. Shkëmbejnë veshje dhe libra, shikojnë së bashku serialet televizive, bëjnë shaka mbi meshkujt. Nënat dhe vajzat po ngjajnë gjithmonë e më shumë, po ndajnë të njëjtat interesa. Barrierat anagrafike dhe sociale janë rrëzuar. Edhe rolet, ndonjëherë ndërrohen. “Vajza është modeli, nëna rivalja”, shkruan “Le Monde” teksa heton evolucionin e raportit të mëmësisë. Edhe në shumë vende të Europës raporti i ngushtë nënë-bijë i ka thyer kufijtë konservatorë të së kaluarës. Sipas sociologes Monica Fabris: “Të gjitha statistikat konfirmojnë një afrim mes brezave”. Por në krahasim me 40 vjet më parë nënat janë më të reja në shpirt dhe mund të kenë një jetë dashurore dhe profesionale po aq impenjative, sa një vajzë 20-vjeçare. Ashtu siç ndodh shpesh, ndryshimi vihet re te reklamat. Fushatat publicitare, tregon Fabris, kanë tani si target një moshë 20 vjet më të re. Për të shitur një produkt për 40-vjeçaret zgjidhet një 20-vjeçare, ku se kjo e fundit ka si model referimi një adoleshente. Në fund të këtij zinxhiri, ndodh që vajzat konsiderohen gra të vogla të cilave mund t’u shesësh këpucë me taka apo kremra të ndryshëm. Sot një adoleshente mund të shkëmbejë gardërobën e saj me atë të së mamasë. Mund të marrë borxh një fund dhe një bluzë pa u dukur fare qesharake. Shumë firma për fëmijë, kanë shtuar në koleksionet e tyre prerje për të rriturit, duke u paraprirë tendencave të modës. “është pjesë e evolucionit të zakoneve. Nëna ime nuk do dilte nga shtëpia pa kapele. Gjysmëshekulli më parë nuk vishnin as pantallona. Tani nuk përbën skandal fakti se mund të shohësh në rrugë një 70-vjeçare me xhinse dhe atlete”, tregon sociologia. Dikur të rinjtë teksa rriteshin ngadalë bashkoheshin me shijet e së ëmës. Sot ndodh plotësisht e kundërta. “Tani janë mamatë që mësojnë nga vajzat modën e fundit, u kërkojnë atyre si të përdorin teknologjitë e reja. I imitojnë, sepse kjo është një mënyrë për t’u azhornuar dhe integruar nga pikëpamja sociale”. Gratë janë çliruar nga ajo që sociologia e quan “një skemë biografike e ngurtë”. Më pas shton: “Mund të kenë të dashur të rinj dhe nuk janë më të detyruara të plaken, privilegj që deri pak kohë më parë u rezervohej vetëm meshkujve”. Shijet dhe stilet nuk duhen ngatërruar asnjëherë. Kërkimet e fundit mbi prindërit dhe fëmijët, tregojnë sociologët, shkurtojnë distancat kulturore që historikisht ka karakterizuar raportet familjare, me ndonjë rrezik të vogël. “Ekziston rreziku i një lloj rivaliteti me më të rinjtë. Konflikti mes brezave, që ashtu siç mendohej, bazohet në diferenca të forta vlerash dhe stilesh jetese, ishte motori i progresit personal dhe kolektiv. Gara që zhvillohet sot, përkundrazi synon të bllokojë ndryshimin dhe shpesh të na shtyjë drejt regresionit social”. Gustavo Charmet, psikolog, që flet çdo javë me dhjetëra nëna dhe vajza ka arritur në përfundim se tashmë ekziston realisht një lloj miqësie dhe bashkëpunimi në raportin e nënave me vajzat. Një tendencë pozitive sipas psikologëve. “është e vërtetë se disa vajza tremben se i kanë mamatë rivale. Por pjesa më e madhe e tyre i sheh si shoqe duke rrëzuar krejtësisht natyrën e marrëdhënieve të së kaluarës”. Një mama që i prezanton të bijës të dashurin e saj më të ri se vetja, nuk ka pse të ketë turp. “Janë gjëra që tashmë bëjnë pjesë në familjet e ristrukturuara”, tregon Charmet. “Adoleshentet nuk i shohin më nënat si ruajtëse të virgjërisë së tyre. Mes tyre është krijuar një lidhje më intime. Seksualiteti i të rinjve është legjitimuar, duke u larguar tërësisht nga rruga klandestine”, thotë ai. Megjithatë mamaja, nuk duhet ta përfshijë shumë shpejt vajzën në jetën e saj dashurore. Konfidencat në këtë rast, duhen evituar. “Vajza rrezikon të ndihet në pozitën sikur është ajo mamaja në këtë rast”. Por, pavarësisht ndryshimeve raporti i nënave me fëmijët vazhdon ende të mbetet shumë kompleks. Charmet tregon për një tjetër risi, mes pacienteve të tij shumica preferojnë të sjellin në jetë vajza. “U duket sikur përmes tyre mund të kryejnë një udhëtim të dytë në ndryshimin e identitetit femëror, drejt lirive të reja të grave”. Sot ndryshe nga e kaluara shumica e nënave janë të punësuara. Kështu i shtyjnë vajzat të jenë më autonome, favorizojnë socializmin e tyre për të kompensuar mungesën në shtëpi. Kjo vihet re edhe me vajzat: mamatë nuk i konsiderojnë më rivale, por si bashkëpunëtore të rrjeteve të femrave moderne. Psikonalisti Luigi Zoja që ka studiuar për një kohë të gjatë marrëdhëniet e prindërve me fëmijët tregon: “Ajo mes nënave dhe vajzave është bërë një simbiozë”. Edhe në shtëpi, ai shpesh sheh gruan që përkëdhel vajzën 20-vjeçare. Kanë konfidenca dhe ruajnë sekrete që vetëm ato i dinë. “është një simbiozë që shpeshherë synon të përjashtojë babanë. është e rëndësishme të jesh mik me fëmijët e tu, por miqësitë mund të përfundojnë, ndërsa raporti prindëror nuk ndryshon me kohën”. Sipas Zojës, gjithçka ka nisur nga baballarët. “Në vitet ‘70 ata ishin të parët që thyen barrierën e brezave. Pinin marijuanë bashkë me fëmijët, ishin bërë thuajse vëllezërit e mëdhenj dhe i lejonin fëmijët t’u thërrisnin në emër. Shumë nga pacientë e mi të saj kohe ishin të vegjël dhe janë rritur kështu, por sot e ndiejnë që u mungon diçka”. Disa ndiejnë keqardhje që nuk shqiptuan kurrë fjalën mama apo baba me gjithë simbolikën që kjo fjalë përfaqëson.
Raporti nënë-bijë"Mund të themi se raporti që krijohet mes tyre është shumë i rëndësishëm. Ai ndikon në thellimin e raporteve që ndodhin brenda përbrenda familjes", tregon psikoanalistja Silvia Vegetti Finzi: "Tashmë çdo gjë ka ndryshuar. Lidhja afektive më e ngushtë nuk është me prindin e seksit të kundërt, por mes mamasë dhe vajzës". Kini parasysh se bëhet fjalë për një figurë të re, më miqësore nga sa jemi mësuar ta shikojmë dhe me të cilën mund të hapesh për çdo gjë. "Xhelozia dhe rivaliteti janë një kujtim i së shkuarës: mamaja e kohëve të sotme është moderne, e dashur dhe shumë tërheqëse e seksi. Si moshë mund të kenë goxha diferencë, por mamaja e viteve në të cilat jetojmë, është më afër kulturës dhe stilit të jetesës". Mes viteve 1968 dhe 1977, familja u vu në plan të parë dhe raporti nënë e bijë ishte më i përshtatshmi me kohën. Në të shumtën e rasteve, shumica e vajzave të reja jetojnë së bashku me të ëmën, kur u duhet të largohen nga shtëpia e vajzërisë preferojnë një vendbanim pranë ndërtesës së mamasë së tyre që këto të fundit t‘u gjenden pranë në çdo rast. Kjo tregon një thellim të raportit nënë-bijë. Ato flasin në mënyrë direkte me njëra-tjetrën, marrin menjëherë në telefon njëra-tjetrën për t‘i treguar se çfarë kanë parë në vitrinën e butikëve, për t‘i shpjeguar problemet e shkollës, punës dhe zemrës, pa asnjë pengesë. Ky thellim i raportit shpjegohet me konfidencën e këtyre të fundit, për të biseduar për tema të "vështira" si p.sh., raportet e tyre të dashurisë dhe seksualitetin. "Një dialog i hapur, sidomos me vajzat më të vogla", tregon Finzi. "Për të kuptuar ndryshimin, është e nevojshme të bëhet një krahasim me vitet e mëparshme. Para disa vjetësh ka qenë shumë e vështirë të bëje me mamanë muhabete dashurie ose seksi. Duke qenë se shoqëria është hapur dhe kohët kanë ndryshuar, edhe ky raport nuk ka ngelur i njëjtë". Nga ana tjetër, gjinekologët tregojnë se: "Një vajzë në dy bisedon me mamanë për sa u përket problemeve që e shqetësojnë". Ajo që bën dallimin janë disa zgjedhje të rëndësishme: "Kemi vënë re se lidhje më të hapur dhe të qetë kanë mamatë të cilat lexojnë shumë gazeta të përditshme, por edhe të përmuajshme", tregon Finzi. Ka qenë pikërisht shtypi femëror, ai që ka krijuar një mënyrë të re të jetuari feminilitetin, por edhe raportin me femrat e tjera. "çifti" nënë-bijë shënon triumfin e miqësisë femërore. Edhe kjo, në një farë mënyre, është një risi", shpjegon psikologia. "Një herë e një kohë, raporti miqësor ishte një eksperiencë tipike mashkullore, sepse mes femrash i vështirësonte raportet zilia. Ndërsa sot, miqësia ka një rëndësi shumë të madhe për femrat". Dihet se me mikeshat flitet për gjithçka, duke filluar nga problemet e zemrës, lidhjet, raportin seksual dhe deri te metodat kontraceptive. Në shumë vende europiane mesatarisht, 33 për qind e të intervistuarve hapen me mamanë e tyre. Por, shëndeti mbetet argumenti kryesor, pavarësisht temave të tjera, si për shembull: problemeve të përditshme, pazari, fitnesi dhe udhëtimet në kohën e lirë. "Kur flitet për seksualitetin në terma mjekësorë, për shembull mbi zgjedhjen e një kontraceptivi ose mbi dhimbjet që lidhen me ciklin menstrual, mamatë nuk e kanë problem të flasin për veten e tyre, për trupin e tyre", shpjegon Finzi. Nga sondazhet del se 72 për qind e femrave europiane përdorin kontraceptivë për të kufizuar lindjet. "Diskutimi ndryshon kur kalohet në sferën e marrëdhënieve: vajzat flasin qetësisht për tema delikate si ato që janë të lidhura me kënaqësinë seksuale, ndërsa nënat ndihen akoma në vështirësi që të flasin për veten e tyre mbi raportet e tyre intime. Në një farë mënyre, ky argument ngelet akoma një tabu. Femrat flasin më shumë me shoqet e tyre, më shumë se ç‘bëjnë meshkujt. Pikërisht dialogu intim është baza e një raporti nënë-vajzë. Shkëmbimi i shërbimeve nuk është vetëm një tregim i ngrohtësisë, por edhe një nevojshmëri. Kjo, sidomos për vajzat e reja, të cilat duhet të përballojnë të panjohurat e jetës dhe për ato të martuarat, të cilat duhet të ndihmohen nga nënat e tyre për të pasur një shtatzëni më të lehtë, sepse pas ardhjes në jetë të nipërve apo mbesave janë pikërisht nënat që i lejojnë vajzat e tyre të kenë një jetë normale si më parë. Gjithmonë e më të ulëta janë shifrat, të cilat flasin për marrëdhënie jo të mira mes nënave dhe bijave. Lidhja më e vështirë me nënën është ajo e vajzave të viteve ‘68, si tipa më rebele.
#