Laura Bush: Donin të na helmonin në takimin e G8 në Gjermani
Në këtë libër, ndër të tjera ajo shkruan se së bashku me të shoqin dhe delegacionin amerikan në takimin e G8 që u organizua në vitin 2007 në Gjemani rrezikuan helmimin kolektiv. Ndërkaq, hetuesit gjermanë dhe stafi i kuzhinës së hotelit në të cilin u zhvillua takimi i rëndësishëm e kanë mohuar një fakt të tillë. Stefen Duckhorn e kujton ende mirë ditën kur Laura Bush mendoi se mund të vdiste. Ai ndihej pak i stresuar, sepse kishte dëgjuar se Presidenti amerikan që ndodhej në krye të delegacionit amerikan në takimin e organizuar në kështjellën e Heiligendamit në Gjermani nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore. Duckhorn kishte gatuar diçka të veçantë për Presidentin, i cili kishte pasur dhimbje stomaku. “Ne kontaktuam menjëherë me hetuesit gjermanë për t’u siguruar se gjithçka ishte normale. Ata na thanë që gjërat ishin nën kontroll të potë dhe nuk kishte asnjë problem. Sipas kuzhinierit, gjatë gjithë takimit toksikologë të ndryshëm qëndruan gjatë gjithë kohës në kuzhinë, aty ku përgatitej ushqimi dhe hetonin dhe i qëndronin në kokë çdo gjëje.
Duckhorn, 34 vjeç është tashmë një nga shefat më të famshëm në një hotel të madh në Gjermani, por ai kurrë nuk do ta harrojë situatën e krijuar në takimin e shumëpërfolur. Ai rrëfen se shërbimet sekrete amerikane morën copëza nga ushqimet për t’i analizuar në laboratorët e tyre dhe pavarësisht kësaj nuk pati kurrë as hijen më të vogël të dyshimit. Kuzhina përgatiste vetëm ushqimet e krerëve të shteteve, presidentëve dhe kryeministrave, por jo për pjesën tjetër të delegacionit. “Ata i sillnin ushqimet me vete. Për shembull, amerikanët i sillnin të gjitha ushqimet me logon e Shtëpisë së Bardhë”, rrëfen kuzhinieri. Ndërkaq, aty ku kuzhinierët përgatisnin ushqimet ndodheshin edhe persona nga Ministria e Jashtme gjermane, ndërkohë që në dyert e kuzhinës kishte punonjës të shërbimeve sekrete gjermane që mbanin situatën nën kontroll. Ndërkaq, sipas zakonit, i pari që provonte ushqimin që kishte përgatitur, si masë sigurie ishte kuzhinieri vetë, sepse në rast helmimi ai do të ishte i pari që do ta kishte pësuar.
Ndërkaq, Laura Bush në kujtimet e saja shkruan se shërbimet sekrete ishin në alert të plotë gjatë gjithë takimit të G8 në Gjermani dhe kërkuan në të gjithë hotelin për lëndë të mundshme helmuese. Një pretendim i tillë hidhet poshtë nga shefi i kuzhinës, sipas së cilit, kjo është një situatë që Laura me siguri duhet ta ketë imagjinuar. Ndërkaq, edhe burime të tjera kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë lloj informacioni në lidhje me ndonjë mundësi helmimi apo frikë nga ndonjë helmim i mundshëm që mund t’i ishte bërë Presidentit amerikan. Për këtë nuk kanë dijeni madje as zyrtarët e ambasadës amerikane në Berlin. Bush ndër të tjera shkruan se ajo vetë nuk u informua më pas në lidhje me zbulimin e ndonjë helmi, ndërkohë shkruan se mjekët thanë se çifti i parë i Shteteve të Bashkuara kishte kontaktuar një virus që godiste veshin dhe më pas gjithë organizmin, Madje, sipas Laurës, një nga personeli i rojeve të Presidentit kishte pasur dhimbje të mëdha veshi dhe humbje të ekuilibrit, madje më pas e kishte humbur krejt dëgjimin. Ish-zonja e parë shkruan më pas se ai nuk arriti kurrë të rifitonte dëgjimin. Por të gjitha këto pretendime hidhen poshtë nga shumë persona. I tillë është edhe shefi i rajonit të pneumonive të klinikës së zonës ku u zhvillua takimi. Për të një pretendim i tillë i Bush është shumë i çuditshëm dhe se nëse do të kishte pasur me të vërtetë një virus të fuqishëm atëherë do të bëhej fjalë për një epidemi që do të ishte përhapur edhe te persona të tjerë të delegacioneve, gjë që në fakt nuk ndodhi.
#