E Shtunë, 31 Tetor 2026

I fundit mbetet oxhaku

(Përshtypje nga ekspozita e skulptorit Ben Bajo)

Nga të gjithë artet, vetëm skulptura ka fatin të bëjë gjëra që mund t”i përshtaten apo bëhen pjesë e natyrës, pjesë e rendit të sendeve. Sepse, tek e fundit, çdo art synon “të bëjë diçka”, “të shtojë diçka në hierarkinë e gjërave”. Është mëse e njohur ëndrra e Ezra Poundit, që krijimet e veta të arrinte t’i bënte “pjesë të rendit kozmik”, sikundër thoshte shpesh mes miqve. Dhe miqësinë më të madhe Poundi e kishte me skulptorët, të cilëve thellë i zilepste jetueshmërinë e veprës artistike që ata potencialisht mund të krijonin. (Për të shkruar duhet dalta, penat qenkan kaq të lehta”, shkruante në këtë frymë një ithtar i Poundit, Basil Bunting). Le të kujtojmë këtu ëndrrën finale të Uiliam Blakut, i cili në rastet më të mira i shihte veprat e artit si makina fizike kohe, që mund të na shpien kollaj prej së tashmes në të shkuarën dhe të ardhmen. Edhe për prozatorët e mëdhenj, krijimi i karaktereve mbetet sfida finale me realitetin letrar, dhe aq e fortë është kjo shtysë, sa vetë Saramago, prozatori i shquar portugez (çmimi “Nobel 1998”), i tha njëherë një gazetari, se kishte kohë që po kërkonte një karakter të njërit prej romaneve të tij, dhe besonte se shpejt kishte për ta gjetur, “diku nga jugu, me plot fusha e bujq të vrazhdë”.

Dhe të shohësh një radhë oxhaqesh hijerëndë, të lartë, pa moshë, në zemër të një galerie, që çudi si i mbante bashkë ato “mendje të gurta”, është me të vërtetë mbresëlënëse. Ben Bajon në përfytyrimin e vet për shtëpinë si konstrukt i plotë e i vetëmjaftueshëm përballë “kohës, shkatërruesit”, i ka zënë vend elementi ndofta më misterioz, por edhe i pranë në sy: oxhaku. Oxhaku si ndërlidhës i shtëpisë dhe kozmosit, i banuesit dhe kohës, i unit dhe i tërësisë, merr rëndësi kapitale në këndin me të cilin Bajo po sheh gjërat rreth dhe ato që i vijnë prej kujtesë, ku të qarta e të plota, ku gjysma-hije e ronitur nga koha apo bjerrja e kujtesës, që nuk dihet mirë nëse na mbron me porozitetin e saj apo “do të na bjerrë”.

Për këdo shikues bëhet menjëherë e qartë, se “oxhaku” i gjithë këtyre oxhaqeve duhet të ndodhet në Gjirokastër, diku në një nga shtëpitë që Bajo ose ka jetuar, ose e ka parë, ose “i ka rënë në imazh”. Në të vërtetë janë të tria bashkë. Vetë oxhaku i shtëpisë së Bajos (edhe i shkruesit këtu) sheh nga jugu, që na ka përgjuar ndër vite gjithë çka bënim apo mendonim që fëmijë. Dikur për ne jugu qe kënd bote prej nga vinin erërat, shirat, drita, zogjtë, andej kah shihnin gjithë bimët dhe lulet e krahinës, andej kah na shkonin fare natyrshëm këmbët për të përfunduar në fushat e luginës së Drinos o për bimë mjekësore, o për të ndjekur lepuj, o për “të rrezikuar” jetët tona të vogla nëpër xhepat lumorë që fshihnin rrënjë armiqësore. Në të vërtetë, Bajo prej 1992 zbuloi vërtet atë që nga shtëpia e tij dukej paksa në kohë të kthjellët, tokën e artit, Greqinë, që do të ndikonte mbarë krijimtarinë e mëpasshme të tij, por duke mos humbur asnjëherë themelin e vet metafizik.

Oxhaqet e tij janë të mbuluara apo “të përmbytura” me imazhe nga më të kundërtit, por edhe më familjarët. Oxhaqet e tij e dinë mirë punën e vet, si pole vetmitarë ata pikasin e arrijnë të kapin në kujtesën e vet të trupëzuar gjithë ç’mund t’i shkëpusin kësaj bote të mistershme. Dhe ky është thelbi i tyre i rrojtjes: bisedë me botën, e heshtur, e shtrirë pa fund, deri ku biseda e sheh veten në një vetëmëvete pa anë. Apo mund të vlejë edhe ky këndvështrim tjetër: janë vetë këto sende apo imazhe që kanë lënë vendet e tyre, si për t’i shpëtuar një përmbysjeje të mundshme finale dhe që kanë gjetur një vend të sigurt në këtë botë të pasigurt. Por oxhakët e Bajos dinë dhe heshtin, sikundër u ka hije atyre, ndofta pse për këtë edhe janë krijuar apo më mirë “ardhur në ekzistencë”. Për këtë edhe janë pjesa më e brishtë e shtëpisë, “thembra e Akilit”, prej nga skulptori mund të ta rrëzojë në çast plot një shtëpi, në atë imagjinatën e vet, veç për hir të një oxhaku. Me ato flegrat e tyre hapur nga cilido kah horizonti, ato sikur tokëzojnë çdo mbrëmje mesazhe natësore, që vetëm nata di t’i thotë dhe që janë tmerrësisht të rëndësishme për ne, për jetët tona, ndaj dhe zbresin heshtur për pak dhe vetëm natën. Oxhakët e Bajos si gjilpëra ndjesorësh, herë na rizbulojnë një ngjarje mitike të lënë përgjysmë, sikur të pozonin për skulptorin, herë vetë gjilpëra tronditet nga prania mrekullore e një engjëlli që do të thotë diçka, por s’mund, ose që sapo e tha dhe tani ka ardhur koha të kthejë pas. Zbulimet artistike të Ben Bajos nuk janë zbulime nostalgjike apo të sentimentalizuara, ndonëse në rrënjë të tyre ato ushqehen fuqishëm nga sentimenti. Dhe pikërisht këtu rri dhe fuqia e tyre krijuese. Ka një lidhje të fortë në këto krijime mes tyre dhe krijuesit, a thua ndërtojnë njeri-tjetrin, apo më mirë akoma zbulojnë njeri-tjetrin. (Vetë profili i Ben Bajos me atë harkim të shpinës dhe mollën e kërcyer të Adamit, të jep menjëherë idenë apo hijen e një oxhaku. Kaq mund të mbetet në fund të fundit, na thotë Bajo, këto duaj plot imazhe të botës, ku ato mitologjike “hahen” apo kacafyten me ato religjioze, si në mendjet e miliona njerëzve që nuk dinë kush do të fitojë në fundin e fundit. Po të pyesësh Bajon, me siguri të thotë që i fundit mbetet “oxhaku”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›