E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizë dhe solidaritet

Gjatë muajve të fundit, bota është përballur më një krizë financiare, e cila rrezikon të ketë një ndikim të thellë dhe të gjatë mbi ekonominë e vërtetë. Vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, pra vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, nuk u kanë shpëtuar pasojave. Zhvillimet globale kanë pakësuar aktivitetin huadhënës të sektorit financiar dhe kanë shkaktuar një ngadalësim të rritjes ekonomike.

BE-ja nuk ka qëndruar indiferente ndaj vështirësive të vendeve tona të ardhshme anëtare. Për këtë arsye, në kuadër të Planit të tij të Shpëtimit Ekonomik, i prezantuar në fund të nëntorit 2008, Komisioni propozoi shtrirjen e solidaritetit të vet edhe ndaj Evropës Juglindore.

Komisioni po ridrejton 120 milionë euro për vendet e këtij rajoni, për masa kundër krizës gjatë vitit 2009. Kjo do të thotë lëvrimin e një shume prej të paktën 500 milionë eurosh në kredi nga institucionet ndërkombëtare financiare. Megjithëse shpalosja e krizës është vonuar në këto vende, çekuilibrimet e mëdha të jashtme duhet të adresohen.

Komisioni tashmë shfrytëzon plotësisht mbështetjen e tij financiare të para-aderimit për të adresuar sfidat kyçe të ndërtimit të shtetit. Por, është gjithashtu thelbësore që të veprohet në situata të paparashikuara, si kriza aktuale.

Parimet themeltare të paketës së asistencës, janë solidariteti dhe drejtësia sociale – veprimi jonë duhet të përshtatet në ndihmë të atyre që janë më shumë në nevojë.

Duke pasur parasysh krizën akses i pandërprerë ndaj burimeve financiare për bizneset është i domosdoshëm për ruajtjen e vendeve të punës dhe rritjes. Një qëllim i rëndësishëm i financimit prioritar të BE-së është lehtësimi i pengesave të institucioneve financiare për të vazhduar huadhënien në nivel mikro, si edhe për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto biznese janë motori kryesor për rritjen ekonomike në Evropën Juglindore.

Ndërtimi i institucioneve duhet të behët prioritar gjithashtu, në mënyrë që të forcohet ekonomia dhe aftësia e saj konkurruese. Pjesë e financave të Planit të Shpëtimit do të përdoren për të fuqizuar politikëbërësit në rajon, për të çuar përpara reformat mbi kapitalin njerëzor dhe novacionin. Kjo përfshin politika specifike sektoriale, që kanë si qëllim identifikimin e sektorëve me potencialin më të madh ekonomik. Njëkohësisht, zhvillimi i kapitalit njerëzor duhet t'u përgjigjet nevojave të ekonomisë.

Në 2008-n, BE-ja përshpeshtoi punën e vet për rritjen e shfrytëzimit eficent të energjisë brenda saj. Ulja e konsumimit pa ulur standardet e jetesës është një nga elementët kyç drejt një sistemi energjetik me nivele të ulëta karboni dhe të padëmshëm për mjedisin. Është e qartë që duhet t'i japim të njëjtën rëndësi zhvillimit të sistemeve eficente energjetike në vendet kandidate dhe potencialisht kandidate. Kështu që, sigurimi i mjeteve financiare për investime eficente energjetike, është pjesë e masave të shpëtimit në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, financimi do të synojë gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të investimeve të domosdoshme në infrastrukturën lokale. Mbështetja u drejtohet fushave të mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social. Falë mekanizmave të bashkë-financimit dhe huadhënies, niveli lokal i qeverisjes do të jetë në gjendje të zbatojë projekte, të cilat, përndryshe do të ishin të pamundura për t’u realizuar. Kjo do të thotë më shumë vende pune dhe kushte më të mira për biznesin. Për qytetarët, kjo do të thotë shërbime sociale, kujdes shëndetësor dhe arsim më cilësor.

Zgjerimi është një nga prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian. BE-ja është më se e përkushtuar për nxitjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Evropën Juglindore, krahas mirëqenies ekonomike dhe mundësive më të mira për rritje.

Perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë është një inkurajim i madh dhe shërben si një shtysë e fuqishme për reformat politike dhe ekonomike. Është e rëndësishme të mos trazohen ekonomitë e tyre delikate, por edhe padyshim në zhvillim. Me kombinimin e duhur të politikave, reformave të vazhdueshme dhe të pakthyeshme, si edhe veprimet e Komisionit dhe të institucioneve financiare së bashku, ekspozimi ndaj rreziqeve në rajon mund të ulet.

Kriza financiare tregoi qartazi se sa e integruar është tashmë Evropa Juglindore. Ekonomitë në rritje të rajonit janë mes atyre më dinamikeve në Evropë dhe një destinacion i rëndësishëm për eksportet e BE-së. Kjo thekson faktin se zgjerimi është pjesë e zgjidhjes, jo e problemit, për rigjallërimin ekonomik të Evropës. Ne ndajmë një fat dhe interesa të përbashkëta.

*Komisioner i BE-së për zgjerimin / Dërguar në “Shekulli” nga zyra e KE-së në Tiranë. Titulli është i redaksisë. Titulli i plotë: Solidaritet Evropian në kohët e krizës financiare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›