E Diel, 1 Nëntor 2026

Replikë për sqarim

 

Lidhur me përmendjen e emrit të Bahri Omarit nga Berisha

Në replikat e tij gjatë debatit parlamentar të datës 15 dhjetor 2008për projektligjin “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, Kryeministri Berisha përmendi edhe personin tim, duke thënë se Bahri Omarin, që e mbajti në shtëpi gjatë luftës, Enver Hoxha e vuri përpara pushkatimit dhe se ka një djalë që nuk ka “shqipëruar ndonjë fjalë për të atin dhe që, midis dajës, Hitlerit, superxhelatit dhe babait të tij, patriot, intelektual, zgjodhi Hitlerin dhe nuk i kërkoi as varrin të atit.”

Duke ditur se nuk është hera e parë që z. Berisha flet pa përgjegjësi e pa baza, nuk do t’ia vlente një përgjigje. Por, sidoqoftë, tymi është hedhur dhe nuk lejon të shihen qartë gjërat. Pra, lidhur me këto thënie, deklaroj sa vijon:

Gjatë pushtimi fashist, unë bëra vetëm një zgjedhje; pjesëmarrje në luftën antifashiste që e përfshiu Shqipërinë në koalicionin e shteteve fitimtare dhe siguroi pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, që pas lufte u kërcënua seriozisht nga qeveria shoviniste greke. Për këtë zgjedhje nuk jam penduar asnjëherë. Dua vetëm të theksoj se, zgjedhjet politike atëherë bëheshin sipas pikëpamjeve e jo duke ndjekur persona të veçantë, siç ndodh sot shpeshherë, për fat të keq.

Qëndrimin për dënimin e tim ati, e kam shprehur disa herë në organe shtypi e në disa intervista në televizion: pushkatimin e tij e kam konsideruar gjithnjë një tejkalim të pafalshëm të fajësisë, sepse akuza që iu bë për pjesëmarrjen gjatë katër muajve në një nga qeveritë e krijuara gjatë pushtimit gjerman, nuk ka qenë kurrsesi në përpjesëtim me dënimin që iu dha. Ai ka qenë një atdhetar i përkushtuar dhe një njeri i ndershëm, që gjithë jetën e vet e vuri në shërbim të vendit. Është e pamoralshme dhe hipokrite që figura e tij e pastër, e njohur për integritetin e saj, përmendet e përdoret nga Kryeministri, jo nga ndonjë vlerësim i vërtetë, por vetëm për të njollosur të birin.

Zoti Berisha flet për gjëra private e personale, me siguri aq të madhe, saqë duket sikur i ka nën kontroll të gjitha lëvizjet e shtetasve të vet. E do të shtoja, edhe me paturpësi. Se vetëm mungesa e çdo ndjeshmërie dhe e një edukate elementare i lejon njeriut të hyjë në gjëra të tilla të dhimbshme, siç është kërkimi i varrit të zhdukur të prindit. Sidoqoftë, tymi është hedhur.

Dhe po sqaroj se, me gjithë kërkimet që u bënë gjatë vitesh, për shkak të lëvizjeve të territorit nga ndërtime të ndryshme, nuk u arrit të zbulohej gjë. Në vitin 2004,me interesimin tim personal, me miratimin e të gjithë familjarëve të të dënuarve dhe me ndërhyrjen e Institutit të të Përndjekurve, u sigurua nga Kryeministria një fond i nevojshëm për gërmime të reja, dhe disa eshtra të përziera u gjetën. Në pamundësi të identifikoheshin, u vendosën me një ceremoni të thjeshtë përkujtimore në një varr simbolik, të ngritur më 2007-n në varrezat e Sharrës, ku u vu edhe një pllakë përkujtimore me emrat përkatës.

Së fundi, është për tëardhur keq, dhe nuk ndodh në shtete me qeveri normale e demokratike, që Kryeministri i vendit, duke dalë nga binarët e një ligjërimi racional në një debat parlamentar, dhe duke keqpërdorur tribunën eKuvendit, të përgojojë e të sulmojë një qytetar që nuk është as deputet, as politikan, as njeri me ndonjë funksion publik dhe as pjesëmarrës në këtë debat.

Jo vetëm si kreu i ekzekutivit, por edhe si mjek që është, duhej ta shqetësonte jo pak kjo prirje e theksuar për të gjetur kënaqësi të përbaltë kë të mundë, pa u menduar dy herë, majtas e djathtas. Kredia politike që mendon se fiton me këtë, ia zhvlerëson keqas kredinë si njeri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›