Familja Berisha nuk paguan taksat vendore
Kryeministri Berisha, debitor në pushtetin lokal. Në vitin 2008 nuk ka paguar asnjë taksë vendore
Në Tiranë, 75 për qind e familjeve nuk paguajnë taksat. Bashkia ia kalon vjeljen e taksës Postës Shqiptare
Familja e parë e vendit, ajo kryeministrore Berisha, nuk ka paguar asnjë taksë apo tarifë vendore në vitin 2008, duke shënuar emrin në listën e zezë të debitorëve të pushtetit lokal në kryeqytet. Informacioni bëhet publik nga bashkia e Tiranës, e cila vë re me shqetësim se, në kundërshtim të plotë me shembullin që duhet të japë, familja Berisha është kthyer vetë në shkelëse të ligjit. Mospagesa e detyrimeve nga familja Berisha nuk ka kaluar pa u prekur edhe në diskutimet mbi agjentin tatimor në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Kryebashkiaku Edi Rama ka ngritur në prani të këshilltarëve nevojën për delegimin e kompetencave të pagimit të taksave dhe tarifave vendore nga Njësitë Bashkiake në Postën Shqiptare. Në Tiranë rezulton se 75 për qind e qytetarëve në vitin 2008 nuk kanë paguar detyrimet vendore, ku siç thuhet, midis tyre nuk bën dallim as familja kryeministrore. Njësia Bashkiake, e cila mban rekord negativ për nivelin e ulët të vjeljes së detyrimeve tatimore, është ajo Nr. 10, e cila drejtohet nga Gert Bogdani, i zgjedhur nga Partia Demokratike. Në këtë njësi, gjatë këtij viti janë mbledhur vetëm 5 për qind e taksave, duke u cilësuar nga kryebashkiaku Edi Rama, si precedenti më negativ ndër njësitë e tjera në kryeqytet. “Sigurisht që, çështja e mbledhjes së taksave dhe tarifave lokale mbetet një sfidë. Mbetet një sfidë për një sërë arsyesh. E para fillon qysh nga nevoja për të pasur nga hipoteka të gjithë regjistrin që mund të na japë mundësinë e një inventari të pasurisë së patundshme, që taksohet në nivelin vendor. E dyta, mungon akoma sistemi i adresave që na jep mundësi që kjo të shkojë si një kërkesë dhe njëkohësisht si një detyrim tek të gjithë qytetarët në formën normale që bëhet në të gjitha vendet e Europës ku duhet të integrohemi. Mungon, sigurisht, dhe një kulturë e pagimit të taksave vendore, gjë që e tregon jo për rutinë, por thjesht si shembull, fakti që edhe vetë Kryeministri i Shqipërisë nuk ka paguar taksat vendore”, - është shprehur kreu i bashkisë Rama. Niveli i lartë i mospagesës së detyrimeve ka detyruar bashkinë e Tiranës që të gjejë një formë të re të vjeljes. Brenda gjashtë muajve të parë të vitit, kryeqytetasit, për të paguar detyrimet vendore, duhet të drejtohen në sportelet e Postës Shqiptare, e cila ka premtuar të çojë masën e vjeljes së taksave dhe tarifave vendore në shkallën 80 për qind, ndërkohë që, aktualisht nuk është më shumë se 25 për qind. Lëvizja e fundit është argumentuar nga bashkia e Tiranës edhe si një formë lehtësimi për qytetarët, kjo pasi, për të paguar taksat vendore, nuk është më e nevojshme të mbash radhë në njësitë bashkiake.