E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, 17 vende “po” pranimit të Shqipërisë

20/12/2008  Gjermania dhe Italia ratifikojnë protokollin e anëtarësimit

Gjermania dhe Italia ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Parlamentet e dy vendeve me vendimet e marra dje brenda pak orësh e kanë çuar në 17 numrin e shteteve që kanë ratifikuar këtë protokoll, duke konfirmuar në këtë mënyrë mbështetjen për Shqipërinë dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Zëdhënësja e ambasadës gjermane në Tiranë Irene Eidemuller përmes një deklarate për mediet bëri të ditur se “Bundesrati miratoi ligjin mbi marrëveshjen në lidhje me protokollin të datës 9 korrik 2008 për Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë”. Në këtë mënyrë Gjermania përmbylli procedurën parlamentare të ratifikimit. Eidemuller u shpreh se "qeveria federale e Gjermanisë është e bindur se anëtarësimi në NATO i dy vendeve do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë". Ambasada gjermane thekson gjithashtu se qeveria federale do të vazhdojë të mbështesë tri vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor me masa konkrete në kuadër të përgatitjes për anëtarësimin në NATO.

Ndërkohë pas Bundesratit gjerman ishin deputetët e Parlamentit italian që i kanë dhënë votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pas këtij ratifikimi pritet që të hënën edhe Senati italian të ratifikojë këtë protokoll, duke mbyllur kështu procesin e ratifikimit nga Italia. Gjatë dy ditëve të fundit katër parlamente të vendeve anëtare të NATO-s (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Estonia, Italia) kanë dhënë miratimin dhe njëkohësisht vlerësimin për Shqipërinë, duke e konsideruar një vend që falë progresit të bërë dhe vullnetit të treguar meriton të jetë krah vendeve të Aleancës së Veriut. Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është paralajmëruar që herët nga zyrtarë të lartë gjermanë dhe italianë në takimet që kanë pasur me homologët e tyre shqiptarë. Kështu, kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës që Kryeministri Berisha ka zhvilluar në Gjermani, ka dhënë mbështetjen maksimale për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga zyrtarët më të lartë të Italisë gjatë vizitave që kanë zhvilluar në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›