Krizë në arkën e shtetit, -54 milionë USD

Administratat tatimore dhe doganore nuk po munden të realizojnë objektivin e vendosur nga Ministria e Financave. Gazeta “Shqip” siguron një kopje të tabelave mbi ecurinë e arkëtimeve në total për tremujorin e parë 2010, të cilat hedhin poshtë deklaratat e Kryeministrit dhe ministrit të Financave. Në total, tatimore rezultojnë me 72 miliardë e 672 milionë lekë, për periudhën janar-mars, ndërsa me planin e Financave, sipas buxhetit, ka mangësi me rreth 5 miliardë e 482 milionë lekë (54 milionë dollarë), ose realizim në masën 93 për qind. Për të kuptuar më qartë punën e institucioneve kryesore në mbledhjen e të ardhurave, pra tatimeve dhe doganave, nga tabelat bie në sy mosrealizimi në masën 3.4 miliardë lekë. Ministria e Financave sqaron se shifrat janë operative, pra jozyrtare. Konkretisht, nga tatimet dhe doganat, niveli i arkëtimeve është rreth 49 miliardë lekë, nga 52.5 miliardë që ishte plani i qeverisë, me një realizimin në nivelin e 93.6 për qind. Pothuajse në të gjitha llojet e taksave, si tremujor të mbledhura së bashku, shikohet rënie e arkëtimit, përjashto tatim-fitimin, me rritje 2.5 për qind. Për të gjithë vitin 2010, qeveria i ka vendosur vetes detyrën për të mbledhur rreth 360 miliardë lekë (ende nuk është aprovuar plani i rishikimit të buxhetit që i pakëson të ardhurat me 30 miliardë lekë), ndërsa deri tani si tremujor është realizuar vetëm 20 për qind.
ParashikimetTatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksa që identifikon aktivitetin ekonomik të një vendi dhe treguesin e performancës, paraqet uljen më të madhe të arkëtimeve. Gjithnjë si tremujor, TVSH-ja nga doganat dhe tatimet rezulton me minus 1.6 miliardë lekë, ose me realizim 93.8 për qind, krahasuar me planin e qeverisë, kurse me vitin 2009, del me rritje rreth 1 miliard lekë. Duke bërë krahasime me vitin e kaluar, periudha janar-mars rezulton me rritje në totalin e të ardhurave, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa doganat dhe tatimet, me 1.2 miliardë lekë.
Pushteti vendorNjësitë e pushtetit vendor, pra bashkitë dhe komunat vijojnë të kenë performancë tepër negative në mbledhjen e taksave referuar të dhënave nga Ministria e Financave, mëson se vendorët kanë krijuar një deficit në të ardhura në masën 3.3 miliardë lekë, krahasuar me planin. Del me dështim edhe nëse bëhet krahasimi me vitin e kaluar, me minus 300 milionë lekë, ose realizim me 46 për qind.
#