Terroristi grek kërkohet në Shqipëri

Një terrorist grek shumë i rrezikshëm, anëtar i organizatës “Sekti Revolucionar”, po kërkohet nga shërbimet inteligjente të Athinës në Shqipëri. Në territorin shqiptar, Zyra për Antiterrorizmin në Greqi po kërkon gjurmët e organizatës së dytë më të rrezikshme, të njohur si “Sekti Revolucionar”. Mediat greke, bazuar në informacionet e shërbimit të tyre kombëtar, raportojnë se katër muaj më parë, pas përgjimeve intensive, është arritur të identifikohet një sinjal telefonik në vendin tonë, që dyshohet se i përket një personi, i cili konsiderohet si eksponent kryesor i një organizate terroriste. Personi në fjalë dyshohet se është urdhëruesi dhe përgjegjësi i vrasjes së oficerit të Shërbimit të Antiterrorit, Nektarios Sava, në Patisja, në qershor të vitit 2009.
ZbulimiGazeta “Ethnos tis Qiriaqis” shkruan se agjentët e Antiterrorit grek kanë zbuluar katër muaj më parë në Shqipëri një person, i cili dyshohet se është i përfshirë në organizatën terroriste “Sekti”, që mendohet të jetë krijuar pas gjoja shpërbërjes së organizatës “Lufta Revolucionare”. Agjentët grekë, falë informacioneve të marra në rrugë operative, arritën të vënë në përgjim telefonin e tij celular, për të identifikuar vendndodhjen. Sipas mediave greke, në 15 ditët e fundit është angazhuar një numër i madh policësh për të kapur terroristin, që mendohet se është personi që mban lidhje edhe me të tjera organizata. Mendohet se “Sekti” lindi pas arrestimit të drejtuesve të organizatës “Lufta Revolucionare”, por megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë të fundit.
Në themel të punës së saj, organizata terroriste “Sekti” ka doktrinën e kërcënimit, gjë që e vërtetoi që me shfaqjen e saj të parë në shkurt 2009. Kjo organizatë u përpoq të jepte përshtypjen se ishte “një produkt i egër” në dhjetor 2008, me vrasjen e 15-vjeçarit Aleksandro Grigoropulu. Për herë të parë policia deklaroi se organizata ka ekzistuar, por nën një tjetër emër. Mendohet se te “Sekti” bëjnë pjesë ish-anëtarë të rëndësishëm të “Lufta Revolucionare”. Kur kjo organizatë kishte 18 muaj që heshtte, një sulm i armatosur në Koridhalo u mor përsipër nga “Sekti”, i cili e quante atë aksionin e tij të parë.
Pas sulmit me pistoleta dhe automatikë kallashnikov në Departamentin e dytë të Nea Ionia në prill 2007, “Lufta Revolucionare” u shfaq përsëri me një bombë, e cila nuk shpërtheu më 24 tetor 2009, në ndërtesën e SHELL, në Paleo Faliro. Pas kësaj, dukej se organizata po bënte një rishpërndarje të roleve. Sipas të dhënave, gjashtë prej anëtarëve të organizatës, të burgosur në Fountas, ishin për shtatë vjet në organet drejtuese të saj. Po ashtu po mblidheshin të dhëna edhe për katër persona të tjerë, por që mendohet se kanë qenë në role fragmentare në organizatë.
Informacioni në lidhje me atë që me të vërtetë ka ndodhur me “Sektin” është shpesh herë kontradiktor. Disa zyrtarë “duan” ta paraqesin shpërbërjen e “Lufta Revolucionare” si vullnetare, pra me dëshirë të disa anëtarëve të saj, ndërsa të tjerë kërkonin sulme ekstreme e të përgjakshme mbi policinë, apo institucionet.
Pas një kontrolli të Zyrës së Antiterrorit të Athinës në shtëpinë e Lambru Funta, në Ambeloqipi, iu gjetën letra të dërguara nga të burgosurit, ku i kërkohej të merrte vendime për veprime. Mefshtësia e tij duket se i detyroi një apo dy vetë të krijonin vijën e re që u ndoq pastaj edhe nga të tjerët, për të krijuar një organizatë tjetër. Policia e llogariste “Sektin” si organizatë të përbërë nga 5 persona, deri kur organizata goditi në Kalandri. Atëherë policia tha se me këtë organizatë ka bashkëpunuar edhe një i huaj, i cili mendohet të ishte furnizuesi i organizatës me armë të rënda, automatikë “Skorpions”, pistoleta 9mm, granata dhe lëndë plasëse.
Me dispozitë të veçantë, policia do të marrë ADN-së nga gjashtë të arrestuarit, të akuzuar si anëtarë të “Lufta Revolucionare”. Me urdhër të veçantë, i cili duhet të nënshkruhet nga gjyqtari hetues, do të merrnin materiale organike nga gjashtë të ndaluar, të cilët u sollën në zyrat e Antiterrorizmit dhe nuk pranuan të jepnin mostrat. Autoritetet e konsiderojnë të nevojshme për të marrë material gjenetik, si një provë të veçantë të ADN-së. Zyra e Antiterrorit ka krijuar një bankë për të mbajtur mostrat e mbledhura në bazë të veprimeve që janë bërë pas goditjeve të realizuara nga organizata, e cila e ka marrë përsipër përgjegjësinë. Nga momenti që u është marrë mostra e ADN-së në laboratorët specialë, ekspertët do të krahasojnë dhe identifikojnë nëse kodet e tyre gjenetike përputhen me ato të disa prej të pandehurve, për të dhënë kështu përgjigjen e kaq e kaq pikëpyetjeve të ngritura deri tani për veprimtarinë e organizatës terroriste.
#