Krizë shifrash, apo krizë vlerash?
Po artikulohet gjithnjë e më shumë ideja se problemet e tejzgjatura, thënë ndryshe, kriza që ka prekur shumë sektorë të jetës së globit, por edhe të Shqipërisë, nuk është vetëm thjesht një krizë standardesh ekonomike, por një krizë më e thellë, e do të thosha me plot bindjen, një krizë e njeriut dhe mendimit mbi të. Trajtimi njëdrejtimësh i krizës si fakt vetëm ekonomik, zbeh dhe, do të thosha, mbyll perspektiva zgjidhjesh afatgjata e të vlefshme për të gjithë, që do të ishin të tilla sikur të vlerësoheshin seriozisht diagnoza të tjera që i bëhen kësaj krize.
Në pak rreshta dëshiroj të zbres nga Roma në Tiranë me tri citime të shkurtra, fjalën e Benediktit XVI me dëshirën se mos gjejmë edhe këtu ndër ne mundësi dhe shtysë për të reflektuar. Fjala është mbajtur para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë më 9 janar të këtij viti dhe është përqendruar në tri pika: kriza që ka mbërthyer planetin më shumë se sa ekonomike është krizë e reflektimit mbi ekzistencën njerëzore dhe mbi përmasën etike; nevoja e një edukimi harmonik të të rinjve i hapur ndaj së Përtejmes; dhe hapja ndaj jetës në të gjitha fazat e saj. Më shumë se sa një fjalë e rëndomtë e një kryetari shteti, në momentin aktual që jetojmë, më duket një ravijëzim konkret i rrugëtimit që shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë duhet të ndërmarrin për të dalë nga kriza që ka përfshirë globin. Unë nuk kam ndër mend të merrem me atë globalen, por me këtë të shtëpisë sonë.
Së pari: Kriza, para se të jetë (një reflektim) mbi mekanizmat që qeverisin jetën ekonomike, mund dhe duhet të jetë një shtysë për të reflektuar mbi ekzistencën njerëzore dhe mbi rëndësinë e përmasës etike. Jo rrallëherë në jetën politike dhe ekonomike të vendit tonë arsyetohet mbi logjika të karakterit tërësisht teknokrat: për të dalë nga kriza duhen politika ekonomike të përshtatshme, duhen ligje të rrepta, duhen programe e sisteme zgjedhore, duhen kompromise politike ndërmjet pozitës e opozitës etj. Të gjitha këto janë të drejta, por në të vërtetë në vendin tonë mungojnë zgjidhje afatgjata, sepse nuk ka zgjedhje etike. Zgjedhjet etike apo me susbstrat etik këtu në Shqipëri bien ndesh përditë e më shumë me situata korruptive, klientelizmin, nepotizmin, mosbesimin dhe bojkotin e institucioneve. I korruptuari i madh në këtë vend nuk është politikani, e as polici, por njeriu shqiptar në brendinë e tij. Korrupsion do të thotë shkatërrim, rrënim, alterim, çnatyrim, prishje. A nuk na kujtojnë këto fjalë sa e sa raste publike të njerëzve me rëndësi në vendin tonë? Performanca publike e shumë njerëzve, me ose pa parti, me ose pa pushtet, tregon një nivel të ulët në të cilin ka degraduar sot e mira publike. Nuk ka një substrat etik, pasi nuk ka një substrat njerëzor. E vizioni mbi njeriun te ne vlen sa dylbitë e një partie apo të një firme ndërtimi. Kapërcimi i limiteve të vizioneve individuale, partiake, militante apo klanore në gjetjen e rregullave të reja që tu sigurojnë të gjithëve një jetë plot dinjitet dhe zhvillimin e aftësive në të mirë të gjithë bashkësisë duhet të jetë përparësia absolute e jona për të dalë në breg.
Së dyti: Është e nevojshme të vihen në zbatim politika për formimin, që përveçse të promovojnë zhvillimin e dijeve të personit, të kujdeset edhe për një rritje harmonike të personalitetit, duke përfshirë këtu edhe hapjen ndaj së Përtejmes. Asnjë reflektim mbi përmasën etike dhe ekzistencën njerëzore nuk është i mundur pa një edukim gjithëpërfshirës të personit. Në Shqipëri ka një emergjencë edukative, të cilën unë e has çdo ditë jo vetëm në zonat periferike ku jetoj, por edhe në ambiente ku mëtohet një standard jetese elitar. Me gjithë punën vetëmohuese të shumë pedagogëve, niveli i edukimit në shkollat tona, për fat të keq, lë shumë për të dëshiruar jo vetëm në planin informativ, por sidomos në planin formativ. Kjo ndodh sepse një vizion i limituar i edukimit vetëm në rrafshin dijësor, pa marrë parasysh integralitetin e formimit të njeriut, pjell teknokratë të mirë, por njerëz të dobët. Pjell kuadro të aftë të bëjnë ligje e politika ekonomike, por njerëz të paaftë për të jetuar në ambient familjar e shoqëror. Dhe kur për më tepër kjo dije i mbyllet, në emër të laicizmit militant (një variante moderne e ateizmit militant komunist) së Përtejmes, atëherë ky qark i mbyllur është i destinuar të krijojë qark të shkurtër. Kjo ka të bëjë me lirinë e besimit, e cila ka një përmasë të sajën personale që nuk mund të mos jetë edhe publike në të gjitha rastet, e sidomos në rastin kur duhet të bëhen vendimmarrje të rëndësishme që prekin parimet e panegociueshme.
Së treti: Brenda familjes njeriu i hapet botës dhe jetës hapja ndaj jetës është shenjë e hapjes ndaj së ardhmes. Në mënyrë induktive shkojmë e përplasim kryet aty prej ku fillon gjithçka, familja, e cila është më e pakonsiderueshmja absolute në të gjitha programet apo strategjitë për të dalë nga krizat. Dy parimet e panegociueshme mbi të cilat nuk mund të jepet negotium as juridik, as elektoral e as ekonomik janë pikërisht familja dhe jeta, të dyja, në realitetin shqiptar, thellësisht të plagosura. Duke u nisur nga këto dy realitete, të cilat kërkojnë tutelim dhe respektim, një shoqëri arrin të përvijohet si e tillë. Mbyllja ndaj jetës dhe ndaj familjes janë dështimi i një shoqërie, e cila në emër të lirisë individuale, të barazive gjinore false, të relativizmit etik imponon, nëpër salla parlamentesh e nëpër programe partish e shkollash, politika kundër jetës dhe familjes.
Ne kemi nevojë për shpresë dhe vetëm një vizion i së ardhmes i mbështetur në dinjitetin e njeriut e të çdo njeriu, i cili natyrshëm është i hapur ndaj diçkaje më shumë, do të na krijojë këtë shpresë. Një shpresë e tillë mund të bëhet konkrete vetëm nga njerëz apo grupe njerëzish të angazhuar, që të hapur ndaj së Përtejmes dinë tu japin shifrave vlera dhe një shpirt e janë mbrojtës të paalterueshëm (të pakorruptueshëm) të parimeve të panegociueshme. Duke dashur ta mbyll këtë shkrim, nuk kam se si të mos e lë të hapur duke cituar edhe një herë Benediktin XVI, i cili na jep nota shprese duke na kujtuar se vetëm kur e ardhmja është e sigurt si një realitet pozitiv, edhe e tashmja bëhet e jetueshme.
