E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parapërgatitjet për një farsë demagogjike

13-01-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Pas një jave mbushet viti i ngjarjes tragjike të parapërgatitur të 21 janarit të një viti më parë. Tani, siç shprehen disa organe propagandistike të Edvinit, po bëhen përgatitjet e bujshme për të përkujtuar atë eveniment që i duhej Ramës për ta pasur si një argument zgjedhor. I interesonte që kandidatin e tij për bashkinë e Tiranës ta përgojonte, përveçse  me shprehje vulgare, si Lulzim Saliu e me epitete të tjera të nxjerra nga zhargonet e rrugaçërisë, por edhe me një goditje të paramenduar: ta quante vrasës!
Pasi u orvat të vetëprezantohej si dhjetorist i vendosur dhe pasi mbushi faqet e një libri të cilin e nxori jashtë përdorimit, sepse kishte tiparet e Haxhi Pishmanit, e ndërroi fizionominë e profilit politik në kahen e kundërt, prej 180 gradësh. Tashmë u bë aleati fanatik i atyre prej të cilëve ishte dënuar me vdekje për ekstremizmin e tij antienverist gjer në nxjerrjen e partisë së tyre jashtë ligjit dhe dënimin e veteranëve enveristë me vdekje!
Tanimë ishte protagonisti i festimeve anakronike të Enver Hoxhës, në çdo 16 shtator në Pezë. Nxori një libër të ri, diametralisht të kundërt me atë për të cilin u bë pishman, libër i cili është dypamjesh: Ekzaltim i shfrenuar i vetvetes dhe nihilizëm tërësor i të gjithë veprimtarisë të regjimit demokratik që zëvendësoi atë tetëvjeçar të qeverisjes socialiste, për të cilin kishte shpërthyer: “E kishim me hak humbjen e pushtetit!”. Tani synon me çdo mjet e mënyrë që të risjellë në pushtet një regjim si ai i tetëvjeçarit të zi! Kjo periudhë, ishte e mallkuar prej tij, dikur, veç të tjerash, si e molepsur nga korrupsioni. Korrupsioni ishte vulosur, në dosje të tëra, nga ish-prokurori Theodhori Sallaku. Ky person, që ia kishte shitur shpirtin mëkatarëve të kuq, më së fundi e humbi ofiqin e tij të shpërdoruar. Veçse tani e kemi në Asamblenë Kombëtare  të “partisë së Edvinit”! Është vënë nën thonjëza se, si autokrat agresiv, ER-ja e gjunjëzoi lëvizjen për mendimin ndryshe brenda radhëve, që kërkonte dorëheqjen e tij, sipas nenit 28 të statutit të PS-së, në saje të të cilit, ia zhvati pushtetin kryetarit paraardhës. Por ai vetë, që kishte dështuar disa herë rresht?
Dështimi i fundit ishte ai i 8 majit 2011. Që të mbulonte edhe këtë herë dështimin e tij të radhës, i duhej një ngjarje e jashtëzakonshme: 21 janari i plot një viti më parë.
***
Kryengritja e 21 janarit ishte personale, e programuar, e pakonsultuar, e organizuar me udhëzimet vetjake për një mësymje gjer në vërshim brenda selisë kryeministrore, e frymëzuar nga ish-mëkatarët e diktaturës brenda radhëve. Në “Kurban” 21 janari paraqitet paqësor, i zakonshëm si demonstratat e tjera, me policinë dhe gardistët që iu vërsulën demonstruesve “të qetë” me makinat e rënda me ujët me presion dhe me bomba Molotov (!),  që provokuan turmën që në minutën e parë... Është një mashtrim, si i gjithë koleksioni i rrenave që rrëmbush këtë libër propagandistik, “Kurbanin”. Në të vërtetë edhe mediet e majta që dhanë sekuenca të filmimeve këto ditë, paraqitën policët gardh para kangjellave, të paarmatosur dhe të mbrojtur vetëm nga parzmoret prej kauçuku. Është fakt se në orët e para të plagosurit që çoheshin në klinika spitalore ishin dyfish më shumë se të plagosurit e mësymësve. Automjetet për shpërndarjen e turmës së egërsuar u shfaqën pas orësh e orësh pësimi të goditjeve dhe pritje goditjesh nga mbrojtësit e selisë kryeministrore. Kur u shemb me goditje makine porta e hekurt e kryeministrisë, atëherë filloi shpërndarja e demonstratës. Pra, kemi një ndryshim të madh, me vrasjet me përzgjedhje me nishan në shënjestër, më 3 prill. Jo më kot viktima e parë qé Arben Broci,  protagonisti më i shquar i lëvizjes dhjetoriste në Shkodër. Të plagosurit nga demonstruesit qenë të panumërueshëm më 3 prill, ndërsa policia thuajse s’kishte të plagosur.
Përse nuk bëhet ky krahasim?
***
21 janari ishte një provokim që mban autorësinë e Edi Ramës. Tani që tregoi fytyrën e vërtetë të enveristit, ai ia lejon vetes të përdorë metodat staliniste, siç i përdorte edhe Enveri i tij i apoteozave të Pezës. Për ta bërë të paprekshëm pushtetin e tij të dhunshëm, Stalini vriste personalitet me kontribut të padyshimtë, që t’ua ngarkonte kundërshtarëve politikë dhe të shumëfishonte terrorin. 1. Ai vrau një nga figurat më me prestigj të B.Politike, Kirovin. Dokumentet e reja provojnë se  vrasësi, Nikolajevi, ishte i vënë nga Stalini. Për të mbuluar krimin, Stalini vrau Nikolajevin, shoferin e Kirovit dhe bëri një spastrim terrorist, për të konsoliduar edhe më tepër pushtetin e tij. 2. Vrasja e Valerian Kuibishevit, u krye po nga Stalini. Njëri ndër qytetet e BS mbante emrin e tij. Në një operacion të lehtë (apendisiti, më duket) ai humbi jetën. Me këtë rast shpërtheu sërish një valë terrori. 3.Orxhonikixe, gjeorgjian, ishte njëri ndër personalitetet më të mëdha të lëvizjes revolucionare në Gjeorgji. Orxhonikixe ishte, më pas, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe mik shtëpie i Stalinit. Svjetllana e quante xhaxha. Dikur kryetari gjeorgjian shkroi një libër kujtimesh. Por nuk e kishte lavdëruar sa duhej Stalinin. Xhaxhai u vu para alternativës: Ose duhet të vriste veten dhe të varrosej me nderime shtetërore. Ose të kundërshtonte dhe të ekzekutohej nga gjyqet staliniste. Pranoi versionin e parë. U varros me nderime. Enveri, a nuk e vrau, në bashkëfajësí me M. Popoviçin, Mustafa Gjinishin? Ky u varros me nderime të mëdha. Nuk kaloi shumë kohë, u zhvarros dhe u deklarua tradhtar! Si enverist, a nuk i dinte këto tertipe E. Rama? Ata që e panë të gjithë ngjarjen në “abc neps” vunë ré edhe vrasje në rangjet e fundit të grumbullit. Sekuencat filmike u dhanë me rreth të kuq. Për leverdinë e vrasjeve të tilla foli edhe një anarkist megaloman: Pushteti duhej marrë, qoftë edhe me 130 mijë viktima!
Është bërë një supozim interesant: Sikur të kishte një fuqi magjike që të bëhej ky manifestim i përgatitur në detaje nga Rama, pa viktima, a do të ishte i kënaqur ky njeri që në “Kurban” e paraqet 21 janarin si aspak të dhunshëm? Sigurisht që jo, për  ata që nuk e hanë shapin për sheqer! (Atij i interesonin viktimat). Përndryshe S. Ngjela duhej përjashtuar nga Aleanca për të Ardhmen, për atë gafë të 130.000-shit! (Por gafë ishte edhe ajo shpallja para kohe (më 20 janar) e paralajmërimit  që 21-shi mund të dilte jashtë kontrollit. Përse nuk e anuloi atë, kur doli vërtet jashtë kontrollit? Një mesazh në celular do ta kryente në sekondë atë ndalim të dhunës manifestuese. Por duke se E. Rama nuk e preferonte të mbyllej me kaq ajo që mund t’i jepte një okazion për ta quajtur vrasës  kandidatin kundërshtar për bashkinë e Tiranës!
***
Tani është bërë një program i tërë me të gjitha hollësirat për 21 janarin e përvjetorit të parë. Rama ka thirrur kryetarët socialistë të bashkive, që demonstrata të bëhet sa më solemne dhe sa më e populluar. Me lule, me qirinj, por pa fjalime. Vërtet paqësore. Do të kalohet para selisë së kryeministrisë, me thirrjet për mjerimin ekonomik, për varfërinë, për papunësinë, për plehrat, për turizmin e dështuar... Në këtë “program” të imtë kjo fjalia e fundit sikur na bën skeptikë. Sepse edhe ai i një viti më parë, të gjitha nuancat i kishte të planifikuara dhe të porositura për militantët e vijës së parë.  Edhe dhunën brenda! (Sa për pagesat, duhet pyetur Fiqiri Xibri!).

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›