E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti me FSHF-në, UEFA përjashton Shqipërinë

Shqipëria, jashtë aktiviteteve ndërkombëtare. Ky ka qenë vendimi i djeshëm i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që nuk ka toleruar më ndërhyrjet politike të shtetit shqiptar në autonominë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Shqipëria cilësohet e pezulluar pa afat, që do të thotë se nuk mund të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare në nivel përfaqësuesesh apo klubesh, pa u ndryshuar ky status. Përveç dëmit të pallogaritshëm të imazhit dhe atë ekonomik, drejtuesit e FSHF-së kanë filluar që tani të llogaritin dëmin sportiv, si humbjen në tavolinë të ndeshjes së përfaqësueses Shpresa ndaj Greqisë, apo mospjesëmarrjen e kombëtares U19 në fazën e dytë të Evropianit të kësaj moshe. MTKRS-ja, e cilësuar nga FIFA dhe UEFA si shkaktare e kësaj situate, nuk ka reaguar dje, por është vetëm në dorën e kësaj të fundit të shlyejë gabimin dhe të bëjë sa më parë prapakthehu para se dëmi ndaj futbollit shqiptar të bëhet i pariparueshëm.

FIFA ka vendosur që të mos e zgjatë debatin pa fund me përfaqësuesit e shtetit shqiptar. Duke parë kokëfortësinë e këtyre të fundit dhe dëshirën për të ndërhyrë në autonominë e FSHF-së, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka marrë dje vendimin drastik të pezullimit pa afat të Shqipërisë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Vendimi është bërë zyrtar dje nëpërmjet faksit të mbërritur në orët e pasdites në FSHF, ku janë sqaruar të gjitha arsyet e këtij vendimi që dëmton futbollin shqiptar. "FIFA dëshiron të informojë FSHF-në dhe të gjithë komunitetin shqiptar të futbollit që Komiteti i saj Ekzekutiv, është mbledhur në Zyrih, më 14 mars, dhe ka rishikuar situatën në federatën tuaj. Duke dëgjuar raportin e kësaj situate, Komiteti Ekzekutiv mori informacion se gjatë dy viteve të fundit, FSHF ka qenë objekt i një ndërhyrjeje konstante qeveritare nëpërmjet auditimeve të paligjshme, fushatave denigruese kundër presidentit të FSHF-së me akuzat e paprovuara për fiksim ndeshjesh nga ministri i ngarkuar për Sportin, refuzimin e statusit të ri të FSHF-së në versionin e aprovuar nga anëtarët tuaj dhe paraprakisht të aprovuar nga FIFA dhe UEFA, etj. Komiteti Ekzekutiv vuri re se të gjitha përpjekjet, nëpërmjet vizitave në Shqipëri dhe letrave të përbashkëta FIFA-UEFA, për të krijuar kushtet që t‘i mundësonin FSHF-së të respektonte detyrimet e saj përkundrejt FIFA-s, në veçanti pavarësinë e saj për procesin e brendshëm vendimmarrës, kanë dështuar për shkak të rezistencës nga ministri i ngarkuar për Sportet për të njohur këtë pavarësi. Komiteti Ekzekutiv vendosi të pezullojë FSHF-në me efekt të menjëhershëm në bazë të Nenit 14 të Statusit të FIFA-s", shkruhej në faksin që mbërriti dje në FSHF, i nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Vlake. Mesazhi i ndërkombëtarëve është i qartë dhe topi ka kaluar në këmbët e shtetit shqiptar, i cili sapo ka pësuar autogolin e dytë në 12 vitet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›