E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia asistencë Shqipërisë për integrimin

Gjatë kësaj vizite, Ministrja takoi dhe zv/kryeministrin dhe Ministrin për Zhvillimin Rajonal dhe fondet e BE-se, Bianko Grčić, si dhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane, Danijel Mondekar.

Ministrja Pusic, u shpreh se Kroacia, si vendi anëtar me i ri i BE-së, do ta mbështesë dhe asistojë Shqipërinë, në të gjitha hapat, deri në anëtarësimin e saj në BE, qoftë teknikisht, ashtu dhe politikisht. Ministrja Bregu përshëndeti nënshkrimin e Traktatit të Aderimit të Kroacisë në BE dhe e quajti një hap inkurajues për rajonin, pasi konfirmon besueshmërinë e procesit të anëtarësimit dhe perspektivën e qartë europiane të tij.

“Integrimi evropian na jep sensin e së ardhmes së përbashkët dhe nxit frymën e bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë. Progresi që kemi bërë deri tani në bashkëpunimin rajonal është i konsiderueshëm. Kjo duhet kuptuar drejt nga të gjitha vendet e rajonit, të cilat duhet të heqin dorë nga agjenda nacionaliste dhe të pranojnë realitetin e ri të rajonit, ku të gjitha vendet përfshirë Kosovën kanë një perspektivë të qartë evropiane”, tha Bregu.

Ajo kërkoi vazhdimësi dhe garanci nga ana e Kroacisë sa i përket mbёshtetjes pёr Kosovën, veçanërisht në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe atë të integrimit Evropian.
 
Të dyja palët shprehën interesin për zgjerimin e mëtejshëm tëbashkëpunimi në nivel politik, në kuadrin rajonal dhe atë ekonomik, ndërsa nga ana e saj, Ministrja Bregu vlerësoi mundësinë për të përfituar nga eksperienca kroate në përgatitjen e procesit të negociatave. “E parë në aspektin më teknik të procesit, eksperienca kroate mund të jetë e vlefshme në disa faza që nga screening i kapitujve të ndryshëm të Acquis deri tek procesi inegociatave dhe roli i aktorëve të përfshirë në të”, tha ajo.
 
Ndërsa Ministrja Pusic theksoi se Shqipëria ka dhënë një kontribut të qenësishëm për procesin e bashkëpunimit rajonal, përmes rolit konstruktiv për çështje të rëndësishme me të cilat rajoni është përballur dhe po përballet. “Roli stabilizues i Shqipërisë është faktor paqeje dhe sigurie në rajon”,tha Pusic.
 
Nga ana tjetër, u theksua rëndësia për ta mbajtur të gjallë procesin e integrimit nga ana e BE. Në një kohë kur vendet e BE-së i ka mbërthyer kriza ekonomike dhe skepticizmi, mbështjetja që vjen nga popullsia e vendeve të Ballkanit si Shqipëria (94 % përkrahje) është një aset i cili duhet vlerësuar.
 
Gjatë takimit me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Cështjet Europiane Danijel Mondekar dhe anëtarë të tjerë të këtij Komisioni, Ministrja informoi palën kroate për zhvillimet e fundit politike në vend. Ajo shprehu keqardhjen e saj në emër të mazhorancës për qasjen e vazhdueshme jo bashkëpunuese të opozitës shqiptare në lidhje me agjendën evropiane. Anëtarët e Komisionit theksuan rëndësinë që ka pasur kontributi i opozitës kroate ndër vite, për të përmbushur bashkë me qeverinë detyrimet e vendit në kuadër të anëtarësimit në BE, shpeshherë duke votuar unanimisht ligjet e nevojshme në Parlament. Ata gjithashtu nënvizuan faktin se eksperienca me frymën jo bashkëpunuese te opozitës si ajo shqiptare, është unike për vendet e BE dhe ato aspirante. /Start/

                                                                                             2012-06-21 14:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›