E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia ekstradon të dyshuarin për vrasjen e Gjingjiqit

Beograd, 11 gusht - Një gjykatë në Kroaci ka vendosur të ekstradojë në Serbi, një serb të gjykuar për bashkëpunim në vrasjen e ish kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq në vitin 2003. Ky është ekstradimi i parë mes Kroacisë dhe Serbisë që prej përfundimit të luftës mes tyre në fillim të 90-ve.
Bëhet fjalë për një nga anëtarët e Klanit të Zemunit, Sretko Kaliniq, i plagosur rreth dy muaj më parë gjatë të shtënave me armë në liqenin Rakitje, pranë Zagrebit.
Arsyetimi i gjykatës që mori vendimin ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje në qershor që lejon ekstradimin e të dyshuarëve për krim të organizuar dhe korrupsion mes këtyre dy vendeve.
Serbia pati kërkuar ekstradimin e Kaliniq, pas arrestimit të tij në 6 qershor. Por pavarësisht kundërshtimeve të tij të shumta, autoritetet gjyqësore kroate nisën procesin e ekstradimit, duke marrë parasysh faktin se Kaliniq zotëron nënshtetesi të dyfishte, serbe dhe kroate dhe është dënuar në Serbi.

Ndonëse në mungesë të Kaliniq, një gjykatë e Beogradit e ka dënuar atë me 30 vjet burg për konspiracion në vrasjen e ish kryeministrit Gjingjiq. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një kërkesë e rëndësishme që vjen nga BE për vendet e Ballkanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›