E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: AAK-ja spekuloi për bisedime të fshehta me Serbinë

Prishtinë, 11 gusht – Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli e ka “përgënjeshtruar” Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i AKR-së ka thënë të mërkurën se partia e Ramush Haradinajt ka spekuluar kur ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar bisedime sekrete me Serbinë.
“Unë jam i bindur se janë spekulime, nuk ka të vërteta asgjë, për arsye se nuk ka qenë as atmosfera, nuk ka pasur as kohë që të përgatiten ato (bisedimet v.j.). Unë besoj që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Hashim Thaçi, nuk ka kurrfarë arsye që të bëjë bisedime të fshehta”, ka theksuar Pacolli. “Kryeministri e di mirë që bisedimet e fshehta janë shumë të rrezikshme për vetë Kosovën dhe përveçqë nuk ka asnjë arsye, jam shumë i bindur që nuk e ka bërë këtë”.
Kreu i AKR-së është shprehur se nuk ka kurrfarë rreziku për Kosovën në rast se do të zhvillojë bisedime me fqinjin e veriut. “Ne e dimë tani dhe kudo është e qartë se Kosova e ka një privilegj në bisedimet e ardhshme me Serbinë: ajo nuk është më protektorat, ose ndonjë grup i interesit të njerëzve të Kosovës, por është një shtet i pavarur dhe vetë pala serbe e di që nuk ka kthim prapa”, ka theksuar Pacolli. “Ne vetëm duhet të dimë se Kushtetuta e Kosovës është e shenjtë, kufijtë e Kosovës janë të shenjtë, pavarësia është e shenjtë, jashtë këtyre tri pikave mund të bisedojmë dhe çdo bisedë do të sjellë zgjidhje tani”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›