Kroacia heq vizat për shtetasit shqiptarë

Ministria e Punëve të Jashtme informon se Qeveria e Republikës së Kroacisë ka marrë vendimin për të përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve, nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë dhe për të qëndruar në Republikën e Kroacisë deri në 90 ditë, si dhe për kalimin tranzit në territorin e Republikës së Kroacisë. Ky vendim, që hyri në fuqi më 01 janar 2011, pason vendimin e mëparshëm për liberalizimin e vizave për periudhën 31 tetor – 31 dhjetor 2010. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet këtë vendim të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, e bindur se ky veprim do t’i shërbejë intensifikimit të shkëmbimeve njerëzore, kulturore, ekonomiko-tregtare, etj. dhe do të sjellë dy popujt tanë më pranë njëri-tjetrit.
...