Ministrja e Integrimit, Bregu: Qeveria do punojë për hapjen e negociatave të anëtarësimit- mazhoranca ka prova që tregojnë se Edi Rama s’do integrimin e shqiptarëve

Edhe pas afro 20 muajsh politika shqiptare gjendet e ngërthyer në mosmarrëveshje, kjo duke anuar më tepër nga opozita e Edi Ramës, pavarësisht se mazhoranca ka ruajtur si kryefjalë të raporteve ndërkombëtare apelin për konsensus për reformat, për zgjedhje të lira e të ndershme, tek e fundit për vënien e interesave të vendit në plan të parë. Por në këtë kurs reformash dhe përpjekjesh të gjata, Partia Socialiste dhe Edi Rama akuzohen si kundërshtarët më të fortë të integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve
2011-a është edhe viti vendimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zotim ky jo vetëm i kryeministrit të vendit Sali Berisha, por njëherazi edhe i mbështetur nga ministritë e linjës, konfirmon axhendën sa të vështirë aq dhe impresionuese nëse do t’i referoheshim kursit të reformave. Një fakt të tillë e aprovon edhe ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, e cila në këtë korpus detyrash dhe angazhimesh thekson se një prej 12 rekomandimeve të opinionit të KE-së lidhet me garantimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Ajo deklaroi se qeveria do të përmbushë të gjitha angazhimet për të realizuar një proces të tillë. Ashtu siç ndodhi në vitin 2009 kur shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat u bë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare edhe këtë herë hapja e negociatave do të bëhet vetëm nëse zgjedhjet lokale të 8 Majit, përmbushin standardet e kërkuara, të cilat mbeten kushtet më të rëndësishme për të marrë një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian. Në kontekstin e këtyre zgjedhjeve, opozita mund të vijojë të mos japë konsensusin e saj për reformat që kërkon Bashkimi Evropian në progres- opionin për Shqipërinë, për shkak të qëllimeve të saj politike, por ky refuzim sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, do të ketë përballë vendosmërinë e qeverisë për të dëshmuar para autoriteteve të BE-së se gjithçka qeveria ka në dorë do t’i përgjigjet në plan- veprimin e saj problematikës që u ngrit në raportin e 9 nëntorit. Por si ministre e Integrimit dhe pas një viti të lodhshëm politik, Bregu e ka të pamundur të japë një parashikim për fatin e atyre rekomandimeve për miratimin e një sërë ligjesh që domosdoshmërisht kërkojnë votat e opozitës. Sipas zonjës Bregu, lojën e socialistëve po e luan një antishqiptar, siç e quan ajo Edi Ramën, për të cilin thotë se ka dhënë prova të mjaftueshme se nuk e do integrimin e shqiptareve. Ministrja Bregu deklaron se qeveria në çdo hallkë të saj po punon me të njëjtën frymë si ajo për pyetësorin e Bashkimit Evropian për të evidentuar e për t’i dhënë përgjigje çdo problematike që raporti ngre.
...