E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia përkujton 20-vjetorin e rënies së Vukovarit

VUKOVAR - Rreth 30 000 persona u dyndën sot në Vukovar për të përkujtuar marrjen e këtij qyteti në lindje të Kroacisë nga forcat serbe në 1991, që shënoi fillimin e mizorive gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Zyrtarët më të lartë kroatë, ndër të cilët presidenti Ivo Josipoviç dhe kryeministrja Jadranka Kosor, u bashkuan me "marshimin përkujtimore" që përshkoi rrugët e qytetit.

"Mblidhemi këtu çdo vit për të përkujtuar sakrificën e Vukovarit. Vukovari është një simbol dhe një motivi për të punuar më tepër dhe më mirë për të mirën e qytetarëve tanë", deklaroi Josipoviç.

Marshuesit ndaluan së pari në spitalin bashkiak, një nga simbolet e rezistencës kundër një rrethimi tre mujor, nga ku rreth 400 të plagosur, kroatë dhe të tjerë jo serbë, janë marrë nga Ushtria federale jugosllave.

Rreth 260 persona të evakuar nga spitali janë dërguar më 20 nëntor 1991 nga disa ushtarakë në një stallë derrash të izoluar në Ovcara, që ndodhet pesë kilometra nga qyteti, ku ata janë rrahur, ekzekutuar dhe varrosur në varre të përbashkëta. Marshimi përfundoi në një varrezë përkujtimore ku disa të afërm ndezën qirinj dhe vendosën lule në kujtim të viktimave të vrarë gjatë dhe pas rrethimit. Pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë, forcat serbe të vendit pro shkëputjes, të mbështetur nga ushtria jugosllave dhe regjimi në pushtet në Beograd, filluan në gusht 1991 një fushatë ushtarake kundër Vukovarit.

Rreth 1 800 vullnetarë kroatë, të pajisur kryesisht me armë të lehta, rezistuan deri më 18 nëntor. Sipas disa historianëve kroatë, beteja e Vukovarit ishte themelore për Kroacinë, sepse ajo i bëri të mundur qeverisë së Zagrebit të përgatiste trupat për konflikt më të gjerë me Beogradin.

Kjo luftë e viteve 1991-'95 shkaktoi rreth 20 000 të vdekur. Rreth 1 600 persona, 1 100 prej të cilëve civilë, janë vrarë gjatë rrethimit të Vukovarit dhe pas rënies së qytetit. Qyteti në fakt u rrafshua nga bombardimet e përditshme. Rreth 22 000 banorë janë dëbuar nga Vukovari pas rrëzimit të tij.

Dy ish-oficerë serbë të ushtrisë jugosllave, Veselin Sljivançanin dhe Mile Mërksiç, janë dënuar përkatësisht me 10 dhe 20 vjet burg për rolin e luajtur në masakrën e Ovcaras, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, TPI.
(ma.ar/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›