Kroacia të dielën zhvillon zgjedhjet presidenciale
Sipas sondazheve, kandidati socialdemokrat Ivo Josipoviç pritet të marrë më shumë vota në raundin e parë, por është e vështirë që ai të kalojë pragun e 50 përqindëshit. Ndërkohë, shanset janë fare minimale për kandidatin konservator Andrija Hebrang, dhe për vendin e dytë duket se do të garojnë dy kandidatët e pavarur, Nadan Vidosheviç dhe Milan Bandiç. Profilet e katër kandidatëve për president të Kroacisë: Ivo Josipoviç, 52 vjeç, kandidat i Partisë Social Demokrate (SDP), mendohet të kryesojë në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen më 27 dhjetor, sipas sondazheve që e kreditojnë me 30 për qind të votave. Josipoviç është ekspert i të drejtës penale ndërkombëtare, por gjithashtu kompozitor i muzikës klasike. Anëtar i Asamblesë Kombëtare që prej vitit 2003, ai ka premtuar se do të luftojë kundër padrejtësisë së madhe sociale, viktima të së cilës janë qytetarët kroatë. Përshkruar nga analistët si një kandidat me një biografi të pasur, ai është angazhuar gjithashtu të luftojë pa kompromise kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nadan Vidosheviç, 49 vjeç, është kredituar me 15 për qind votave. Vidoseviç dha dorëheqjen nga Partia e Komunitetit Demokratik kroat (HDZ), pasi paraqiti kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale si i pavarur. I lindur në Split, me profesion ekonomist, Vidosheviç mbështetet nga votat e elektoratit liberal, HDZ, por gjithashtu edhe nga zgjedhësit e qendrës. Nga viti 1993 deri në 1995, Vidosheviç ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë. Që prej vitit 1995, ai drejtoi Dhomën Ekonomike Kroate (HGK), dhe që prej vitit 2005 ai ishte në krye të një ndërmarrjeje të madhe lokale ushqimore. Vidosheviç premtoi në rast fitoreje ndërtimin e një Kroacie ku çdo qytetar do të jetojë me punën e tij. Milan Bandiç, 54 vjeç, u kreditua me 12 për qind të votave. Bandiç mban postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit kroat, Zagreb, që prej vitit 2000. Ai dha dorëheqjen nga Partia Social Demokrate (SDP) pasi paraqiti kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale si i pavarur. ''Do të punoj shumë për Kroacinë'', theksoi ai gjatë fushatës elektorale. I lindur në një fshat në jug të Bosnje Hercegovinës, ai u largua nga aty në vitet 1970 për të vazhduar studimet për shkenca politike në Zagreb. Bandiç bëri një fushatë të madhe në fshatin e tij në vendin fqinj me qëllim për të fituar votat e kroatëve të Bosnje-Hercegovinës. Andrija Hebrang, 63 vjeç, kandidat i partisë konservatore në pushtet (HDZ), nuk ka shanse të kalojë në turin e dytë të zgjedhjeve, sipas sondazheve që e kreditojnë me shtatë për qind të votave. Me profesion mjek, mik i afërt i nacionalistit, Franjo Tuxhman, presidenti i parë i Kroacisë së Pavarur (1991), Hebrang ka qenë në vitet 1990 ministër i Shëndetësisë dhe më pas ministër i Mbrojtjes. Në vitin 2003, ai mbajti postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë para se të linte funksionin për shkaqe shëndetësore.