Ëndrra që e preka me dorë
-Me rastin e çeljes së ekspozitës personale të Luan Mulliqit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Prishtinë, më 8 Tetor 2008
1.
Në botën e kësaj bote, Luan Mulliqin e njoha nga një ëndërr që e preka me dorë.
Prandaj, lehtë më erdhi të flas për krijimtarinë e tij, e cila me disa gjetje, mes antikës e modernës skulpturës shqiptare i dha një trup dhe një shprehje të rrallë monumentale.
Ky prezantim nuk është vetëm shkollë, por me pastërti e hapësira të krijuara me përkushtim figurës së modeluar i afron të fshetën e shumë pyetjeve.
2.
Feniksi i Luanit kalon kufijtë e portretit të realizmit, apo të ngjashmërisë së ftohtë dhe të ngrirë të shtatorëve që po na rrethojnë.
Kulti i tij krijues është prezantimi i njohurive të reja.
Me vlerat e veta plotësuese, idetë kanë shumëçka të lashtësisë.
Brenda vetes ruajnë të fshehtën, të njohurën, të panjohurën, thirrjen, plagën,
egzodin...
Nga udhëtimi i kësaj frymëmarrje dhe nga erupsionet vullkanike prezantohet një anatomi e re që flet për modelimin e kohës së tashme, e cila na zbulohet si hije e zgjatur e kohës së ardhshme.
3.
Për ta qetësuar vetveten, Luanit nuk i mjafton ngjashmëria. Përtej kufijve të saj është edhe një ngjashmëri tjetër e çliruar nga realizmi i realitetit kopjues që në skulpturën shqiptare gjatë, shumë gjatë dominoi si shkollë e cila ende nuk po harrohet as si shprehje e as si shije.
4.
Kur ecja kalon largësitë Ai modelon formën brenda së cilës lëvizin mendimet dhe përjetohet një vazhdimësi.
Kjo paraqitje edhe pse tregohet si legjendë shënon një kohë ku gjithçka që ka ndodhur prapë do të ndodhë.
Nga një jetë e të gjitha kohëve kjo mjeshtri kërkon hapësirë ekspresive për të mos thënë vetëm simbolike.
Në gjendje kërkimi nuk i përgjigjet realitetit të realizmit socialist, por kërkesave të mesazhit.
5.
Mbi kodrën të cilën e prenë rruga e hyrjes në kryeqytet ngritet Porta e Lirisë.
Mbi sup mban një kulm dhe një qiell që sjell hapësirën e gjurmëve mijëvjeçare.
Pamja e saj e qetë dhe e hapur si pamje e hapur e ka edhe një portë tjetër që i përshtatet portës së dy shtyllave të krijuara me simbolikë të dyfishtë.
Me sekretin dhe të veçantën që i kushtohet njeriut mund të vlerësohet edhe si mbrojtëse e qytetit. Nga njëra anë përfaqëson shtyllën antike moderne. Në anën tjetër është shtatorja e kariatideve të njohura e të panjohura.
Kjo përpjekje dhe gjetje për vlerat krijuese, sado të largëta apo të afërta të jenë, për kërkesat e artistit krijon një mbretëri.
Për ta prezantuar si kohë flet për një kontrast të pastërt dhe një paraqitje të guximshme që shkon më larg se shqetësimet tona.
6.
Shtatorja e Nënës Terezë e vendosur në Aeroportin e Tiranës me intelekt dhe sharm të kohës moderne shihet në qetësinë e lutjes së vet. Prandaj, ajo, ashtu siç është e lidhur me shprehjen e ndjenjes, mund të adhurohet.
Për t’i kuptuar mesazhet paraqitja është e pranishme kudo, sepse në përkushtimin e saj çdokush gjen copat e formimit të një tërësie ashtu siç e mendon dhe e kërkon ai vetë.
Kjo njohuri e re, arsyetim i ri, duke zhdukur pakuptueshmërinë e realizmit që nuk siguron përgjigje realiste, përjetohet edhe jetësohet si një realitet i ri, i kuptueshëm.
Larg llogaritjeve të vogla krijuese, shtatorja e Nënës Terezë me lindjen dhe me të veçantën, daljen mbi fytyrë të tokës pjellore është vizion i gjetjeve të rralla dhe të jashtëzakonshme krijuese.
Edhe pse koha e tashme nuk përmendet me emër, për ta bërë historinë që të shihet më mirë, meritat janë të kohës së ardhshme.
Me fjalën N ë n ë respektohet qetësia e Zotit dhe qetësia e Njeriut.
Qëllimi është i mbrojtura nga jopërshkrimi dhe jokopjimi i natyrës.
Aty qëndron e fshehta.
Shtatorja që i kushtohet Nënës Terezë e vendosur në Aeroportin e Tiranës shoqërohet edhe me një paraqitje të rolit të nënës dhe të lutjeve e mendimeve të mitit të saj.
Pas një heshtjeje dhe nderimi, kjo shtatore prezanton frymën e përkushtimit.
Si figurë qendrore dhe e rëndësishme fryma e saj me shumë respekt zuri vendin dhe kohën e vet.
7.
Një monument tjetër i një dore me emrin e gishtit tregues, në shenjë mirënjohjeje të ngritur kah qielli ka një privilegj, një përkushtim.
Në këtë rol, si figurë të rëndësishme Luani e ka vendosur kohën dhe jetën për ta pasur një përgjigje, sepse ky gisht që i kushtohet fitores paraqitet si një pamje e hapur për të cilën kemi çka të flasim edhe më shumë.
Pranë zjarrit dhe hijeve, kjo shprehje krijuese, me gishtin tregues të ngritur nga qielli dhe me simbolikën e vet krejt ndryshe nga shqetësimet, mentaliteti popullist, shkarkon shumëçka nga koha e ndarjeve të vjetra dhe krijimi i hapësirave të reja.
8.
Me një anatomi të gjetur aty ku askush nuk e ka pritur, Luan Mulliqi ka krijuar edhe shumë vepra të tjera që e meritojnë respektin dhe vëmendjen tonë.
Nga këto shqetësime e vlime vullkanike kohë pas kohe vjen një fund tërheqës nga i cili mund të nxjerrim mësime.
Dhe në fund, jo vetëm për hir të prezentimit, por më shumë për hir të përjetimit vepra e Luan Mulliqit meriton të jetë mesazh i pranishëm në jetën tonë edhe kur jetën e prjetojmë në mënyra të ndryshme.
Ajo që del e qartë nga krijimtaria e tij ishin kohët moderne.
Fqinjtë e mëdhenj të Renesancës dhe të Antikës që në kërkesat e veta e kishin njeriun, fytyrën e re të vlerave që rrëfehen me historinë që tregohet si fund, si fillim.