E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi merr nga shkolla “Nobel” 280.000 euro për biznes

Nga Tema

Vazhdon të thellohet skandali i shkollës “Nobel”. Brenda 4 ditësh, nga data 29 prill 2008 deri më 2 maj 2008, z. Taçi, president i kompanisë “Taçi Oil” dhe njëherazi administrator i shkollës “Nobel”, tërheq cash 280.000 euro nga llogaritë e shoqërisë “Ginnes R&J” (shoqëri me objekt edukimin, ku i vetmi aktivitet ka qenë dhe është shkolla “Nobel”). Qëllimi i marrjes së këtyre parave, sipas konfirmimeve bankare, ka qenë “për biznes”. Por, sipas informacioneve që kanë siguruar gazetarët tanë, rezulton se këto pará nuk janë shpenzuar për shkollën “Nobel”. Ato ende nuk dihet për çfarë janë shpenzuar. Sipas informacioneve jo të konfirmuara zyrtarisht, dyshohet se në këtë periudhë nga zoti Taçi janë përdorur sasi të konsiderueshme të hollash cash, por që kurrsesi të jenë përdorur për shkollën “Nobel”.

Gazeta “TemA” nëpërmjet disa shkrimeve ka bërë me dije se në shkollën “Nobel” ka ndodhur diçka e pazakontë. Një keqpërdorim i shkollës, i stafit të saj, i nxënësve e prindërve të kësaj shkolle nga zoti Taçi. Një konflikt i rëndë midis tij nga njëra anë dhe të gjithë mësuesve e drejtuesve të shkollës nga ana tjetër, si rrjedhojë e të cilit të gjithë mësuesit u larguan nga shkolla, duke refuzuar firmosjen e kontratave për vitin shkollor 2008-2009 dhe rreth 60 % e nxënësve u larguan nga kjo shkollë.

Z. Taçi shkoi edhe më tej. Edhe pse mësuesit dhe drejtori i shkollës kishin punuar deri më 1 korrik 2008, edhe pse kontratën e punës e kishin deri më 30 gusht, edhe pse i gjithë stafi pedagogjik ishte me lejen e zakonshme, ai ndërpret marrëdhëniet financiare për periudhën qershor, korrik, gusht 2008, duke demonstruar një arrogancë të paparë.

Por, cili ishte shkaku i konfliktit? Në prill 2008, z. Taçi merr një kredi prej 2 milionë eurosh nga Banka NBG me kolateral shkollën, pa vendim asambleje të ortakëve, si dhe pa firmën dhe pëlqimin e ortakut tjetër të shoqërisë dhe njëherazi dhe drejtor i shkollës “Nobel”. Marrjen e kredisë prej 2 milionë eurosh e kundërshtoi drejtori i shkollës dhe njëherazi aksioner i saj, si dhe të gjithë mësuesit dhe një pjesë e prindërve që mbështetën drejtorin. Ky ishte shkaku i konfliktit.

Por pse u kundërshtua nga drejtori dhe stafi pedagogjik kjo kredi? Sipas tyre, ajo kredi konsiderohej e dyshimtë dhe abuzive për disa arsye: Së pari, sepse ishte marrë një kredi prej 950.000 eurosh rreth një vit më parë nga Emporiki Bank po me kolateral shkollën, e cila ende nuk ishte shpenzuar; së dyti, edhe sikur shkolla të dyfishonte kapacitetet e saj infrastrukturore dhe numrin e nxënësve, ajo kurrsesi me të ardhurat e saj nuk mund të shlyente këtë kredi; së treti, kjo kredi u miratua në kushtet e një fshehtësie dhe mungese transparence për t’u përshëndetur në llojin e vet, jo vetëm nga z. Taçi, por edhe nga banka NBG (me gjithë këmbënguljen e ortakut tjetër dhe drejtorit të shkollës asnjëherë qoftë z. Taçi, qoftë banka nuk dha asnjë informacion) dhe së katërti, shkolla nuk kishte nevoja emergjente për një kredi të re, pra, përse do të merreshin dhe ku do të përdoreshin këto pará?

Dhe dyshimi i stafit pedagogjik, i drejtorit të shkollës dhe një pjese të prindërve po vërtetohet çdo ditë. Kredia prej 2 milionë eurosh të marra nga z. Taçi rezulton se nuk u shpenzua për shkollën. Rreth 280.000 euro z. Taçi i merr cash dhe nuk dihet destinacioni i tyre (29 prill-2 maj 2008). Rreth 1 milion e nëntëdhjetëmijë euro më datën 9 maj 2008 z. Taçi i kalon për ndihmë kompanisë së tij “Taçi Oil”! (dokumenti bankar i publikuar nga gazeta “TemA” më datën 7 tetor).

Pra, paratë që merren për shkollën, përdoren për naftën?! Të gjitha këto lëvizje e shpenzime janë kryer pa asnjë vendim asambleje dhe me një fshehtësi të plotë. Për më tepër që dyshohet që në këtë periudhë ai ka lëvizur shuma të mëdha parash cash. Pra, ku shkoi kredia e marrë për shkollën? Pse lëvizen paratë cash? Për këto e të tjera, të cilat po zbulohen me shumë vështirësi, z. Taçi nuk po gjen qetësi. Ai do të duhet të justifikojë se ku kanë shkuar paratë e kredisë së marrë, që sipas dokumenteve bankare ato janë përdorur, sigurisht jo për shkollën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›